OpEd

Fauna jonë

Vota do të duhej të ishte mekanizmi i ndëshkimit të një gjuhe të këtillë, por përvoja e viteve të shkuara e ka dëshmuar se as vota nuk bën punë këtu. Për shkak se edhe një pjesë jo e vogël e votuesve e besojnë se kjo është gjuha se si duhet komunikuar për të imponuar pushtet. Mbase edhe për shkak se i pari që e nisi këtë stil komunikimi kishte qenë akademik Isa Mustafa, duke iu hapur rrugë të gjithëve që t’i qasen faunës, me kreativitet a pa të, për ta komunikuar një qëndrim politik

I gjithë kori diplomatik i akredituar në Kosovë, e sidomos BE-ja, e kishte të kthyer vëmendjen nga dita e djeshme dhe pyetja 100 milionë dollarëshe, nëse bartja e pushtetit në katër komunat veriore të Kosovës do të mund të realizohej, dhe po qe se do të ndodhte, a do të mund të rridhte pa telashe.

Pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2023, kur pas dorëheqjes së kryetarëve komunalë serbë dhe bojkotit të zgjedhjeve nga ana e popullatës lokale serbe, katër shqiptarë u zgjodhën për t’i udhëhequr katër komunat, ndodhën protestat super të dhunshme. Atëherë, ndër të tjera, u plagosën mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it në ngjarje që, si kurrë më parë, ishin përcjellë nga një numër rekord gazetarësh, që gjithashtu në fund përfunduan si viktima të dhunës.

Sikurse para mbi dy vjetësh e gjysmë më parë, dje prania e gazetarëve ishte po aq e madhe, nëse jo më e madhe atje. Por tashmë kushtet ishin shumë më ndryshe për të vepruar: nëpër rrugë nuk kishte turma të egra të gatshme për të sulmuar; kishte prezencë të Policisë së Kosovës dhe njësiteve të KFOR-it, kurse në objektet e komunave mund të hyhej edhe me kamera, pa frikën se dikush do të mund ta thyente cilëndo. Dhe, që është edhe më me rëndësi, kësaj radhe, komunikimi me telefon e internet i gazetarëve qe shumë më i lehtë dhe pa pengesa, falë rrjetit të shtrirë të Valës edhe në ato komuna.

Sallat e kuvendeve komunale me pak këshilltarë komunalë ishin përplot vëzhgues e gazetarë që i përcillnin zhvillimet nën vëzhgimin e afërt të zyrtarëve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që kishin marrë udhëzime të qarta nga ministri në detyrë, Elbert Krasniqi: betimi nuk do të mund të zhvillohej po qe se në sallë nuk janë të vendosura fotografia e kryetares së shtetit; flamuri i shtetit të Kosovës dhe nëse formularët e betimit nuk do ta mbanin edhe stemën e Republikës së Kosovës.

* * *

Në të katër komunat veriore, betimi kaloi pa asnjë incident të vetëm. Në Mitrovicën e veriut, kryetari i ri deklaroi se i kishte ardhur fundi “kapitullit të errët të administratës shqiptare”, kurse në dy komuna më të vogla, kryetarët e rinj shprehën vullnetin, së paku deklarativ, për të bashkëpunuar me institucionet e shtetit të Kosovës. Por, në asnjërën komunë, nuk u bë pranim-dorëzimi i detyrave nga kryetarët dalës te kryetarët ardhës. Ajo mbeti për një rast tjetër – që e nënkupton episodin e dytë të serialit pranojmë e dorëzojmë detyra.

Sido që të jetë, krahasuar me të gjitha herët e kaluara, kjo ishte hera e parë që betimi i këshilltarëve dhe kryetarëve të rinj (apo edhe të vjetër) serbë në komunat me shumicë serbe u bë nën simbolet e shtetit të Kosovës. Dhe pavarësisht bindjeve që mund t’i kenë këta përfaqësues komunalë, kjo ka qenë hera e parë që askush nuk i kontestoi simbolet; kjo ka qenë hera e parë që, së paku në formë, këta këshilltarë ta kenë pranuar realitetin e të jetuarit dhe të qenit shtetas të Republikës së Kosovës.

I gjithë zhvillimi i djeshëm është, pa asnjë dyshim, rezultat i veprimit të Qeverisë së dalë nga zgjedhjet e 2021-tës për ta shtrirë sovranitetin në komunat që deri më 2023 kanë qenë të paprekshme - që gjithashtu, pa asnjë dyshim, do të mund të thuhet se është suksesi më i madh i saj në këta pesë vjet pushteti.

Këtij suksesi i ka ndihmuar pa masë shumë urdhri i Vuçiqit, në bazë të të cilit të gjithë zyrtarët serbë u tërhoqën nga postet publike pas vendimit për ndërrimin e targave ilegale me targat RKS. Ajo që për ta ishte “presion”, për krejt ne të tjerët qe barazim sa i përket zbatimit të ligjit që, thuhet, duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Se çfarë do të ndodhë në muajt në vijim, dhe sa do të ketë mundësi MAPL-ja të sigurojë zbatimin e ligjit dhe respektimin e Kushtetutës në punën e kuvendeve komunale, sidomos në veri, do të jetë temë e interesit të madh për opinionin publik edhe për vetë shtetin. Por sido që të jetë, fakti se betimi dje shkoi pa asnjë telashe, është sinjal shumë i fuqishëm për BE-në që t’i heqë sanksionet kundër Kosovës – që kanë qenë një veprim i gabueshëm dhe e kanë ndëshkuar palën e gabueshme. Shtrirja e sovranitetit dhe barazia para ligjit nuk mund të jenë kurrë veprime të njëanshme. Pos në politikën evropiane dhe sipas kutit të interesit.

* * *

Ndërkohë, për të tretën herë sivjet, KQZ-ja e merr një vendim të kotë dhe populist, duke e ditur a priori se ai do të hidhet poshtë nga PZAP-ja: moscertifikimi i Listës Serbe. Insistimit se kjo parti është përgjegjëse për sulmin terrorist dhe se do të duhej të shpallej e tillë i mungon vetëm një gjë: një aktgjykim i plotfuqishëm gjyqësor, me të cilin do t’i mohohej mundësia e garës në zgjedhje. Pa këtë vendim gjyqësor, krejt vendimet e tjera në këtë drejtim dhe në këtë çast kanë për qëllim që të dëshmojnë se cilat parti, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në KQZ, janë më patriotike – se kjo çon kandar në përcaktimin e disponimit të votuesit.

Me përsëritjen e vendimit të njëjtë edhe dy herë, krejt çka arrin KQZ-ja është ta shndërrojë veten në degën e vogël të cirkut të madh – dhe e nxeh atmosferën edhe pak (nëse bash ‘jemi ngushtë për edhe pak hallakamë) para se të nisë zyrtarisht fushata zgjedhore.

Jozyrtarisht ajo tashmë ka nisur me aderimin e kandidatëve të rinj për deputetë, prej të cilëve disa tashmë janë të njohur dhe riciklohen për nevojat e konsumit partiak. Do t’i njohim emrat e kandidatëve nesër, kur edhe skadon afati.

E mandej do të marrim vesh nëse fletëvotimet do të nisen me kohë për në diasporë, që përnjëherë u bë problem për shqyrtime të gjata e akuza të ndërsjella në KQZ, me qëllimin e përcaktimit se kush i do më së shumti mërgimtarët. Duke i injoruar votuesit rezidentë, të cilët në fund do të jenë vendimtarët se sa për qind të votave do t’i fitojë cila parti, qoftë me dalje në votim apo edhe me bojkotimin e zgjedhjeve - për shkak të dëshpërimit me komplet klasën politike që e mbajti peng këtë shtet qe një vit, ama bash pa asnjë arsye të shëndoshë.

* * *

E për ta ndezur ambientin tash, tri javë para zgjedhjeve, po përkujdesen ish-deputetja Adriana Matoshi dhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

“Lufta” filloi diku në shtator, kur Lushtaku tha se Kurtin e qeverinë e tij do të duhej ngrehur zvarrë në rrugët e Prishtinës. Matoshi reagoi duke ia kërkuar “guximin” për ta kërcënuar Slavko Simiqin, e më pas u përfshinë edhe fëmijët e Lushtakut, derisa më në fund u prononcua vetë Lushtaku ditën kur e mori sërish detyrën e kryetarit të Skenderajt. Kur e pyetën çka ka për të thënë në lidhje me Matoshin, Lushtaku tha: “Ajo është niveli i saj, si kur del prej një shtëpie publike...” Matoshi iu përgjigj me një listë të gjatë gjërash jo të mira që fliten për Lushtakun, që përfundoi me thënien e fundit dhe të hidhëruar të Lushtakut: “I them Albinit, lidhi këto kudra!”

Në kontekstin e këtij këmbimi, dhe shprehjeve të Lushtakut, shihet qartazi që qëllimi i tij nuk është që ta kategorizojë Matoshin si kafshë.

Pra, një diskurs që do të duhej të ishte i dënueshëm, sidomos për ata që mbajnë pushtet lokal a qendror, krejt njësoj.

Vota do të duhej të ishte mekanizmi i ndëshkimit të një gjuhe të këtillë, por përvoja e viteve të shkuara e ka dëshmuar se as vota nuk bën punë këtu. Për shkak se edhe një pjesë jo e vogël e votuesve e besojnë se kjo është gjuha se si duhet komunikuar për të imponuar pushtet. Mbase edhe për shkak se i pari që e nisi këtë stil komunikimi kishte qenë akademik Isa Mustafa, duke iu hapur rrugë të gjithëve që t’i qasen faunës, me kreativitet a pa të, për ta komunikuar një qëndrim politik.

Në gusht të 2015-s kishte shkruar në FB: “A e di kush, çka ka ky gomari i Zajednicës me djemtë e mi??? Të drejtohet kah unë Ukshi, se e ka humbur rrugën”. E kishte pasur fjalën për Kurtin, të cilën bindje do të donte ta vërtetonte edhe më tej në një intervistë në RTK: “Duhet t’i kërkoj falje gomarit për krahasimin që ia kam bërë me atë”.

Pra, anëtarin e faunës me të cilin bëri koalicion më 2020, e të cilin më pas e rrëzoi pas disa muajsh. I cili e kërkoi hakmarrjen duke e quajtur opozitën “hajvan” pas zgjedhjeve të para të 2025-tës, në kërkim të një koalicioni të mundshëm nëse jo herën e parë, mbase bën punë për herën e dytë.

Sa lëkurëtrashë duhet të jesh për t’i hëngër fjalët tua, e besa edhe fjalët e atij tjetrit, sado ofenduese të jenë, e më pas të lidhësh aleanca pushteti për interes?

Mbase shumë.

[email protected]