OpEd

Fati i hegjemonit beninj

Përderisa është joserioze të fajësohet SHBA-ja për pushtimin rus të Ukrainës, njëkohësisht nuk do të ishte e drejtë të insistonim se pushtimi ishte krejtësisht i paprovokuar. Mirëpo provokimi nuk është pasojë e një politike antiruse, por e realitetit të hegjemonisë amerikane. Vetë prezenca amerikane është kërcënim për Kremlinin. Dhe këtë forcë strukturore në marrëdhëniet amerikane-ruse nuk ka mundur ta ndryshojë asnjë president amerikan. Këtë nuk do të mund ta ndryshojë as presidenti Trump

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në diskursin publik ndërkombëtar, por edhe këtu te ne në Kosovë, është dëgjuar argumenti se pushtimi rus është pasojë e provokimit të vazhdueshëm që SHBA-ja dhe Perëndimi i kanë bërë Rusisë ndër vite. Pra, thënë ndryshe, NATO-ja, e udhëhequr nga SHBA-ja, ka refuzuar të dëgjojë dhe të akomodojë kërkesat e sigurisë ruse dhe si pasojë nuk i ka lënë zgjidhje tjetër Kremlinit, përveç marrjes së masave ushtarake për të mbrojtur interesat e saj të sigurisë. 

Ndonëse është joserioze të fajësohet NATO-ja për pushtimin rus të Ukrainës, njëkohësisht nuk do të ishte e drejtë të insistonim se pushtimi ishte krejtësisht i paprovokuar. Njëjtë siç Pearl Harbori ishte pasojë e përpjekjeve të SHBA-së për të ndaluar ekspansionin japonez në kontinentin aziatik, dhe siç sulmet e 11 shtatorit ishin pjesërisht përgjigje ndaj prezencës dominuese të SHBA-së në Lindjen e Mesme pas Luftës së Parë të Gjirit, ashtu edhe vendimet ruse kanë qenë një përgjigje ndaj zgjerimit të hegjemonisë amerikane pas Luftës së Ftohtë. Përderisa natyrisht vetëm Putini është përgjegjës për veprimet e tij, nga ana tjetër duhet të pranojmë se pushtimi i Ukrainës po ndodh në një kontekst historik dhe gjeopolitik, në të cilin SHBA-ja ka luajtur dhe ende luan rolin kryesor. 

Qysh në kohën e Luftës së Ftohtë, SHBA-ja ishte e vetmja superfuqi e vërtetë globale, në kuptimin ushtarak, diplomatik dhe ekonomik. Rënia e Bashkimit Sovjetik vetëm sa sforcoi hegjemoninë globale të SHBA-së – dhe jo sepse Uashingtoni deklaroi politikë zyrtare solidifikimin e pozitës së saj hegjemonike si pasojë e rënies së Bashkimit Sovjetik, por sepse vetë prezenca e SHBA-së si garantuese e vlerave demokratike u bë magnet për të gjithë ata që kërkonin siguri, prosperitet, liri dhe pavarësi. 

Askund kjo nuk është më e qartë se në rajonin tonë dhe në rajonin e vendeve baltike. Gjatë tri dekadave të fundit SHBA-ja nuk ka pasur për synim të provokojë BRSS-në dhe të sforcojë pozitën e saj qoftë në Ballkan, apo në Baltik. Në fakt, qoftë këtu, qoftë në vendet baltike fillimisht SHBA-ja ka dashur të ruajë status-quon. Por çështja nuk ka qenë çfarë do SHBA-ja, por çfarë duan vendet në fjalë. E këto vende nuk donin më të kishin asgjë me Bashkimin Sovjetik apo Jugosllavinë. Ato dëshironin liri, pavarësi dhe demokraci dhe rrjedhimisht adresa e vetme natyrore ishte SHBA-ja. 

Po pavarësisht gjithë këtij narracioni, se SHBA-ja ka provokuar Rusinë, ka mbijetuar. Përse? Në çfarë forme e ka provokuar SHBA-ja Rusinë? Është tejet e vështirë të argumentosh se ky ka qenë një provokim sigurie. Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, rusët objektivisht kanë gëzuar siguri më të madhe se në çdo kohë në historinë e tyre. Rusia u pushtua tri herë gjatë dy shekujve të fundit, një herë nga Franca dhe dy herë nga Gjermania. Gjatë Luftës së Ftohtë, forcat sovjetike ishin gjithmonë të gatshme për të luftuar forcat e SHBA-së dhe NATO-s në Evropë. Megjithatë, që nga fundi i Luftës së Ftohtë, Rusia ka gëzuar siguri të paprecedent në kufirin e saj perëndimor. Thënë ndryshe, zgjerimi i NATO-s asnjëherë nuk kërcënoi sigurinë ruse. Dhe me këtë ishin dakord edhe vetë liderët rusë. Kjo është edhe arsyeja përse shpenzimet e mbrojtjes sovjetike dhe ruse ranë ndjeshëm në fund të viteve 1980 dhe në fund të viteve 1990, duke përfshirë rënie prej 90% ndërmjet viteve 1992 dhe 1996.

Ushtria e Kuqe u përgjysmua. E gjithë kjo ishte pjesë e një strategjie më të madhe për të lehtësuar tensionet e Luftës së Ftohtë, në mënyrë që Moska të përqendrohej në reformën ekonomike në vend. Vendimet e Kremlinit ishin të arsyeshme. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk kishin asnjë interes për pavarësinë e republikave sovjetike, siç e bëri të qartë presidenti i SHBA-së, George H. W. Bush, në fjalimin e tij të vitit 1991 në Kiev, në të cilin ai denoncoi "nacionalizmin vetëvrasës" të ukrainasve (të cilët do të shpallnin pavarësinë tri javë më vonë). Pas vitit 1989, politikat e SHBA-së synonin fillimisht të shpëtonin Gorbaçovin, më pas të shpëtonin Bashkimin Sovjetik dhe më pas të shpëtonin presidentin rus, Boris Jelcin. 

Dhe përderisa Amerika dëshironte të shpëtonte BRSS-në, ish-vendet e BRSS-së dëshironin të shpëtonin veten. Dhe shpëtimi i tyre ishte Amerika. Kësisoj Amerika gjeti veten të përfshirë në fatin e vendeve të BRSS-së. Jo sepse ajo donte të përfshihej, por sepse përfundimi i Luftës së Ftohtë krijoi realitetin e hegjemonisë amerikane. Deshi apo nuk deshi, Amerika ishte e përfshirë. 

Asgjë nuk ka ndryshuar thelbësisht që nga ajo kohë. Dhe përderisa është joserioze të fajësohet SHBA-ja për pushtimin rus të Ukrainës, njëkohësisht nuk do të ishte e drejtë të insistonim se pushtimi ishte krejtësisht i paprovokuar. Mirëpo provokimi nuk është pasojë e një politike antiruse, por e realitetit të hegjemonisë amerikane. Vetë prezenca amerikane është kërcënim për Kremlinin. Dhe këtë forcë strukturore në marrëdhëniet amerikane-ruse nuk ka mundur ta ndryshojë asnjë president amerikan. Këtë nuk do të mund ta ndryshojë as presidenti Trump.