Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me zv.ndihmëssektarin e Mbrojtjes së SHBA-së, David Baker, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik, por edhe domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon.
“Presidentja Osmani theksoi se Kosova po ndërton një forcë moderne të sigurisë sipas standardeve të NATO-s dhe se partneriteti me SHBA-në është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në këtë kuadër, Presidentja Osmani nënvizoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jo vetëm synim strategjik i shtetit, por një domosdoshmëri për arkitekturën e sigurisë në rajon. Ajo theksoi se Kosova është gati të kontribuojë si aleate e besueshme dhe ta përmbush objektivin për shpenzime në mbrojtje në kohë rekord, duke shtuar se mbështetja e SHBA-ve, në këtë synim për anëtarësim është jetike”, ka njoftuar Presidenca.
Osmani potencoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Osmani ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në në fushën e mbrojtjes.
“Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka thënë se anëtarësi i Kosovës në NATO është objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-së në këtë proces është jetike.
Pas takimit me Osmanin, Baker është pritur me nderime të larta nga ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci.
Zv.ndihmëssekretari i Mbrojtjes i SHBA-së në Kosovë, takon Osmanin, Kurtin e Maqedoncin
Zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker, po qëndron në Kosovë.
Ai sot do të zhvillojë një takim me presidenten, Vjosa Osmani.
Takimi me Osmanin do të zhvillohet në orën 15:00.
Sipas njoftimit të Presidencës mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit.
Baker do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Kryeministri Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, do ta takojë sonte zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, në një darkë pune të shtruar nga ministri Maqedonci”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Para kësaj zyrtari amerikan do të pritet nga ministri në detyrë Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se pritja do të bëhet me ceremoni zyrtare duke filluar nga ora 16:00.
Ministria në njoftimin e saj takimin e ka cilësuar si hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasada e Amerikës të premten ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Kosovë Baker do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës për të diskutuar bashkëpunimin në mbrojtje dhe siguri.
“Gjatë vizitës së tij, Baker do të takohet me zyrtarë të lartë të Kosovës për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm SHBA-Kosovë në mbrojtje dhe përpjekjet e përbashkëta për të promovuar sigurinë rajonale”, thuhej në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Nis takimi i Osmanit me Bakerin
Ka nisur takim i presidentes Vjosa Osmani me zëvendësndihmëssekretarin amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker.
Beker më herët gjatë ditës ka takuar komandantin e misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.
Baker do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Kryeministri Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, do ta takojë sonte zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, në një darkë pune të shtruar nga ministri Maqedonci”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Para kësaj zyrtari amerikan do të pritet nga ministri në detyrë Maqedonci.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se pritja do të bëhet me ceremoni zyrtare duke filluar nga ora 16:00.
Baker pritet nga komandanti i KFOR-it, flasin edhe për dialogun Kosovë-Serbi
Komandanti i misionit të KFOR-it gjeneralmajor Enrico Barduani, është takuar sot me zëvendësndihmëssekretari amerikan për Mbrojtje, Politika Evropiane dhe NATO-n, David Baker.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se takimi ishte një “mundësi e jashtëzakonshme për të ndarë pikëpamje mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbi rrugën përpara për të mbështetur më së miri një angazhim të ripërtërirë politik për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit”.
Baker thuhet se rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së në misionin e KFOR-it në Kosovë, siç thuhet, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 - për të kontribuar në një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftim.