Kronikë

8 raste të dhunës në familje raportohen në 24 orë

policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë raportuar 8 raste të dhunës në familje. 

Sipas raportit të Policisë 5 kanë ndodhur në rajonin e Prishtinës, dy në rajonin e Pejës dhe një në atë të Prizrenit. 

Në një rast që thuhet se ka ndodhur në Prishtinë më 7 korrik, një grua ka raportuar se është kanosur përmes telefonit nga i dyshuari mashkull kosovar me të cilin ka bashkëjetuar deri tani. “Vendndodhja e të dyshuarit nuk dihet, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin. Është informuar edhe prokurori”, thuhet në raportin 24 orësh.

Në një rast që ka ndodhur në Lipjan të premten, thuhet se burri ka sulmuar ish-gruan e tij. 

“Është raportuar se një mashkull kosovar është sulmuar nga e dyshuara  femër kosovare-ish bashkëshortja e tij, me të cilën janë në proces divorci. Lidhur me rastin është intervistuar e dyshuara dhe e njëjta pas intervistimit, në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet raportin e Policisë.

Në Podujevë një burrë është arrestuar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. 

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta së bashku me fëmijët e saj me vet dëshirë  është kthyer ne shtëpinë e  saj. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh.  

Në Prishtinë një burrë ka raportuar se bashkëshortja e tij nuk e ka përfillur aktvendimin e Gjykatës.
“E dyshuara është shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin policor.

Në një rast tjetër në Prishtinë thuhet se një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, nën ndikim të alkoolit e ka sulmuar fizikisht. “Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Një rast është raportuar në Istog.

“Është  raportuar se një femër, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, ku ka ndërhyrë edhe djali i saj i dyshuar dhe më pas janë përleshur në mes vete. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa tjetri lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Në pejë është raportuar se një burrë ka shkaktuar dhunë në familje.

“I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Ndërkohë në Suharekë një burrë është arrestuar pasi dyshohet se nën ndikim të alkoolit ka kanosur dy viktimat vëllain dhe motrën e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari thuhet se është dërguar në mbajtje.