Sërish po më duhet ta them: nuk e kuptoj Albulena Haxhiun. Të të përflitet emri 52 herë, duke e ditur se nuk kalon dhe duke e ditur se je shkas për bllokimin e gjithë një shteti, a nuk po duket se po të nëpërkëmbet dinjiteti? Apo njëmend moslëvizja nga ky kandidim është vullnet personal dhe i paimponuar? Nuk e besoj
Paralajmërohej si dita më e nxehtë e verës së deritanishme. Disi psikikisht u bëmë gati: të mos dalim pos nëse është e domosdoshme; të vishemi hollë e të pimë sa më shumë ujë.
Në 5:50 të mëngjesit nisi njëfarë zhurme në rrugë. Dhjetë minuta më vonë, nisi sharra e pllakave të s’di çkaje... ato që po i shtrijnë në rrugën që Rama e quan shesh. Gjumë? Shans s’ka. Si edhe plot herë të tjera, në kërkim të përgjigjes se “kah jemi nisur kështu...”.
Zgjas kokën për të parë se çka bëjnë. Ai që i pret pllakat nuk bart syza mbrojtëse. Shtatë punëtorë, me tesha të punës, me dorëza dhe këpucë të trasha bëjnë muhabet. Përziejnë çimenton dhe zallin dhe nisin të shtrojnë edhe një parti pllakash... s’e merr vesh njeri cila është logjika e thyerjes së betonit për ta shtruar betonin e ri. Nejse, logjikën ia gjen ai që e ka shpallë tenderin...
Nuk e di pse i kanë nxjerrë në punishte. Edhe ashtu janë katër muaj vonë me punimet. Një ditë më shumë a një ditë më pak nuk çon kandar. Pos nëse kjo nënkupton faturimin edhe të një pune shtesë në kontratën 1.3 milionëshe për 200 metra rrugë, së cilës tashmë i është shtuar aneksi për edhe nja 135 mijë euro... pra gati 1,5 milionë euro për një rrugë... m’i mbledhë krejt nuk e di a janë 2 mijë metra katrorë, që mesatarisht i bie 750 euro për metër katror... Falë!
* * *
Të martën me shumë gëzim shkoj ta dëgjoj (për të parë nuk është që pashë shumë) “Carmenin” e Zhorzh Bizesë në ekzekutim të Operës e Baletit të Kosovës si dhe korit të fëmijëve “Okarina”. Sa mirë..., gjithë ata instrumentistë të rinj, solistët, kori profesional dhe ai i fëmijëve e dhanë provimin. Jo vetëm për ekzekutimin, por edhe pse e duruan të nxehtët e padurueshëm në një hapësirë që është shumë e përshtatshme për xhirime dhe për koncerte më të vogla, por jo për një ngjarje të këtij lloji.
Por, me Teatrin e mbyllur qe katër a pesë vjet (e që s’dihet se cilat janë ato punë që nuk mund të përfundojë me vite), me Sallën e Kuqe që nuk i zë më shumë se 200 veta, me Sallën “1 Tetori” që as zhveshtore të hairit nuk ka, e me “Skënderbeun” e stërmbushur me shtëpiza druri që ende mbajnë dekoret e festave të fundvitit, nuk është se ka shumë opsione.
Pos, natyrisht, sallës së djegur të Pallatit të Rinisë, që u rikthye në përdorim me dy festivale që kushtuan shumë, por nuk lanë asnjë copë infrastrukture të rregulluar prapa.
E mendoja, me 1.5 milionët e rrugës, Salla e madhe e Pallatit ka mundur të aftësohej për ngjarje sikur kjo. Natyrisht se nuk do të ishte sallë operash, por gjithsesi ka mundur të ishte sallë koncertesh. Apo edhe salla e Kino Rinisë, gjithashtu të djegur, që njësoj ka mundur të rregullohej, me akustikën fantastike që e ka pasur...
Me siguri se qytetit nuk do t’i dhembte t’i kishte më shumë salla. Por jo, me rëndësi të shtrohen pllakat, ani që temperatura momentale në rrugë, edhe pse tashmë terr, është 34 gradë. Ta merr mendja “Termokosi” ka harruar t’i mbyllë ventilet.
* * *
I shikoj lajmet. Më kujtohet nëna. Kur plasi lufta në Gazë, largonte kokën që mos t’i puqeshin sytë me ekranin. “Nuk po mundem me i pa”, më thoshte. E kishte për fëmijët e sakatuar, të dërrmuar, të frikësuar e të tmerruar.
Gati dy vjet më vonë, reagimi im është po i njëjti. E mendoj sa më e shqetësuar dhe e mërzitur do të ishte ajo me t’i parë fëmijët, dhe jo vetëm ata, që po i vrasin me uri. Më rikthehen fjalët e saj: “Si është e mundur që një popull që vetë ka qenë viktimë e shfarosjes, tash të ushtrojë gjenocid ndaj atyre që nuk mund të mbrohen?”.
Njëmend, si është e mundur? Si është e mundur që në shekullin 21 të shohim se si një popullatë pak më e madhe se e Kosovës, t’i nënshtrohet përpjekjes për shfarosje, e që thuajse askush të mos ndërmarrë gjë për ta ndalur. Si bëhet që një shtet jo kaq i madh të ketë udhëheqës kaq të pashpirt sa për t’i ndalur kontingjentet e ushqimit, e për t’i lënë më të ndjeshmit të vdesin me pamje prej skeleti.
Dhe fare s’është me rëndësi nëse Palestina nuk na njeh se i beson versionit të historisë që e tregon Serbia. Ata fëmijë që kanë mbetur asht e lëkurë e me sy të zgurdulluar, nuk njohin asgjë tjetër pos vuajtjes, frikës dhe shkatërrimit. Ashtu do të jetë rasti edhe me nënat e gjyshërit e tyre.
Janë viktima të gjenocidit.
60 mijë palestinezë janë vrarë që nga 7 tetori i 2023-s. 30%, apo 18 mijë, janë fëmijë.
* * *
Më kthehet filmi 26 vjet prapa.
Një pjesë shumë e madhe e atyre që na kishin dëbuar me dhunë, ishim kthyer në shtëpi. Për shumicën, “kthimi në shtëpi” është figurë. Shtëpi s’kishte, por tokë ku i kishim rrënjët, po.
Ani pse kurrë nuk ia dilnim ta bënim ujin e rrymën bashkë për ta lëshuar një makinë tesha, ishim të lirë. Patëm shumë fat. Perëndimi na shpëtoi, na çliroi dhe tash na ruante. Nuk na ofronte vetëm siguri, por na ruante nga vetja. Thuajse ushtarët e NATO-s na kishin njohur më mirë sesa ne vetveten.
Me t’u kryer lufta, i zbuluam fytyrat.
* * *
Jo, nuk po bëhem nervoz.
Nervozizmin ma ka zëvendësuar dëshpërimi.
Dje për të 52-n herë pamë se si u mblodhën për të defiluar në Kuvend, e për të mos bërë gjë. Kësaj radhe u treguan pak më të sjellshëm e të kujdesshëm: aty ishin ambasadorët e huaj që kishin ardhur të ushtronin presion me praninë e tyre. Në mos dikujt i kujtohet të tregohet më pro-perëndimori.
Meqë nuk ka ambasador amerikan qe shtatë muaj, askush nuk e ka ende rastin për të dalë e për të treguar se është më proamerikani mes proamerikanëve.
Dëshpëruese.
Sot mbahet edhe një seancë, dhe vetëm nëse Albulena Haxhiu tërhiqet dhe procesi kthehet në votim të hapur, mund të kemi konstituim Kuvendi. Kjo nëse ka vullnet te të gjitha palët për një veprim të këtillë.
Opsioni i dytë, ai i zgjedhjes së Limajt kryeparlamentar (me një koalicion të mundshëm VV-NISMA-pakicat joserbe) nuk duket se mund të kalojë. S’duhet harruar se Limaj është në listë të zezë të Amerikës.
Sërish po më duhet ta them: nuk e kuptoj Albulena Haxhiun. Të të përflitet emri 52 herë, duke e ditur se nuk kalon dhe duke e ditur se je shkas për bllokimin e gjithë një shteti, a nuk po duket se po të nëpërkëmbet dinjiteti? Apo njëmend moslëvizja nga ky kandidim është vullnet personal dhe i paimponuar? Nuk e besoj.
* * *
Ndërkohë, në SHSKUK nuk ka albumina e as hollues gjaku për pacientë. Ama për atë ka një depo përplot me barna e material sanitar të skaduar (nja 150 tonelata). Për t’i asgjësuar, buxheti tash duhet t’i ndajë gjysmë milionë euro. Kush e di sa milionë kanë kushtuar. Dhe në fund? Nuk janë me rëndësi pacientët, as qytetarët. Me rëndësi është biznesi.
E si të mos ishte? Në Kosovë sa më i papërgjegjshëm je, dhe sa më shpesh të futesh në listë të zezë, aq më shumë gjasa do të kesh për t’i qarkulluar ca milionë. E edhe për t’i fituar besa. Shembull i raportit të fundit të botuar në KOHA: “‘MediHealth’ është gjobitur në vitin 2024 me gjashtë gjoba për shkak të vonesave në ofrimin e produkteve të kontraktuara. Gjobat e kanë lartësinë mbi 17 mijë euro. Të tilla i janë shqiptuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të 2025-tës me vlerë rreth 10 mijë euro. Pavarësisht kësaj, javën e shkuar “MediHealth” e fitoi një tender emergjent për furnizim me materiale për hemodializë, e që e ka vlerën mbi 300 mijë euro”.
“Po çka janë 300 mijë euro për meraklinjtë”, do të komentonin në FB.
Me gjasë asgjë për ta.
Dëshpërim për ne.