Sylë Ukshini, ish-ambasador dhe profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Kosova nuk ka pasur porblem me pakicën serbe në vend, por me qeveritë e Beogradit.
Sipas tij, problemi asnjëherë nuk ka qenë brenda në Kosovë, por në raport me Beogradin.
“Problemi ka qenë mes Kosovës dhe qeverive të Beogradit”, tha Ukshini.
Ai tha se ne nuk duhet të futemi në “gropën” se kinse po krijojmë politika diskriminuese ndaj serbëve.
“Partitë politike duhet të hapen dhe të krijojnë zonat elektorale ku kërkohet që në zonë elektorale të jetë një njeri kredibil ku ashtu bëhet qarkullimi i elitave dhe e fiton një Parlament që ka kredibilitet dhe nuk hyjmë në një apati në të cilën sot jemi”, tha ndër të tjera Ukshini.
Ish-ambasadori bëri edhe krahasimin e Kosovës në raport me Shqipërinë sa i përket zhvillimit.
“Shqipëria është duke ecë jashtëzakonisht shumë. Shqipëria po tregon me politikën e saj se nuk dëshiron të jetë pjesë e ‘çorbës’ ballkanike”, tha Ukshini.
Muhaxhiri: LVV është alfa e populizmit, por problemi është tek opozita që bëhen pengje të saj
Analisti politik Artan Muhaxhiri, tha se Lëvizja Vetëvendosje është alfa e populizmit, por që sipas tij, problemi është tek partitë opozitare të cilat bëhen pengje të saj.
“E dimë që në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje është alfa edhe omega e populizmit. Por, problemi kryesor është tash që edhe partitë opozitare janë pengje të Lëvzijes Vetëvendosje, dhe ato janë duke tentuar që me anë të populizmit të përfitojnë vota, të fuqizohen”, tha Muhaxhiri.
Analisti Muhaxhiri tha në “Tempus” se nuk ka shembull më të mirë sesa qasja ndaj Listës Serbe.
“LDK edhe PDK e dinë rolin e tyre në negociata edhe në planin, marrëveshjen tripalëshe për krijimin e Listës Serbe, që ka qenë Kosovë, Serbi edhe Bashkësi Ndërkombëtare, edhe idenë që ka qenë edhe sakrificat, edhe të gjitha kompromiset që i kanë bërë për një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Ndërsa, tha se LVV-ja ka pasur qasje të kundërt që nga fillimi.
“Lëvizja Vetëvendosje ka pas qasje të kundërt prej fillimit, pra ajo ka pas konsistencë. Po tash ka ardhë puna, edhe LDK-ja edhe PDK-ja, nga frika e populizmit, e përfitimit populist të Lëvizjes Vetëvendosje, me e pas një sjellje pseudo-patriotike, edhe me i anulu edhe me i hedh poshtë të gjitha ato kompromiset që i kanë bërë në trajektoren që e kanë bërë deri më tani. Sepse edhe presidenit Ibrahim Rugova edhe zoti Thaçi, kanë qenë 100% të bindur për këto kompromise të domosdoshme që duhen bëhen në rrugën e shtetësisë së Kosovës”, tha Muhaxhiri.
Miftaraj: Po e shohim një lloj abstenimi të partisë në pushtet, për mos ta marrë pushtetin
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se po e shohim një lloj abstenimi të partisë në pushtet, për mos ta marrë pushtetin.
“Ne po shohim një lloj abstenimi të partisë në pushtet, për mos me marrë pushtetin, për me i ikë kësaj përgjegjësie, për mos me marrë Qeverinë”, tha Miftaraj.
Ai tha në “Tempus” se nuk ka as përpjekje minimaliste për formimin e Qeverisë.
“Duke e ditur gjendjen në të cilën gjendet Kosova, do duhej të gjenin një rrugë për të bërë zgjidhje, kur kanë kaluar disa muaj dhe asgjë nuk funksionon”, u shpreh Miftaraj.
Drejtori i IKD-së përmendi edhe institucionet të cilat janë jofunksionale për shkak të bllokadës institucionale e cila është krijuar.
“Kemi një Qeveri në detyrë në bazë të vendimit të Gjykatës Supreme në kundërshtim me Kushtetutë dhe ligj, kemi një Kuvend që është jofunksional, kemi institucione të pavarura jofunksionale, kemi 1.5 miliard euro në Kuvendin e Kosovës marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë duke pritur, plani i rritjes 882 milionë euro… është një afat 2024-2027. Ne ende nuk e kemi ratifikuar këtë marrëveshje”, tha ndër të tjera Miftaraj.
Ai tha se nëse kjo marrëveshje ratifikohet tash, mund t’i nxjerrim ndoshta vetëm gjysmën e atyre mjeteve, të tjerat kthehen në Bashkimin Evropian.
Lidhur me këtë, Miftaraj theksoi se këto marrëveshje bilaterale kanë mbetur peng për shkak se Kosova nuk ka Kuvend që do të ratifikonte këto marrëveshje, ku inicimi vjen prej Qeverisë. Tha se partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kërkojnë themelimin e Qeverisë.
“Ka kërkesa të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë që Kosova me themelu Qeverinë, në mënyrë që me pas një partner legjitim për të dërguar përpara agjendën evropiane të Republikës së Kosovës”, tha Miftaraj.
Muhaxhiri: As LVV e as opozita nuk po bëjnë hapa drejt marrjes së pushtetit
Analisti politik Artan Muhaxhiri, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se as Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e as partitë opozitare nuk bëjnë hapa drejt marrjes së pushtetit.
“Faktikisht ne jemi në një situatë shumë të brishtë, shumë bizare. Ku partitë politike nuk bëjnë hapa drejt marrjes së pushtetit, as LVV, as partitë tjera, në asnjë rrethanë, me asnjë akt, nuk kanë treguar se e kanë seriozisht ardhjen në pushtet, krijimin e 61 votave për ta krijuar qeverinë”, u shpreh Muhaxhiri.
Ai tha se kanë aq memorie politike për të kuptuar veprimin e një lideri apo partie që dëshiron të marrë pushtetin.
“Sepse ne kemi aq memorie politike instituconale që ta kuptojmë veprimin apo zellin e një lideri, e një partie që dëshiron të vijë në pushtet. Pra çfarë bën, çfarë hapa bën edhe çfarë motivi ka, çfarë aktiviteti ka, çfarë oferte bën, cilat janë vijat e kuqe, sa është në gjendje ta ndajë pushtetin, cilat janë modalitetet? Pra, që të punohet”, u shpreh Muhaxhiri.
Ai theksoi se përveç Qeverisë Kurti 2, të gjitha qeveritë tjera kanë qenë me koalicione.
“Secila qeveri përveç Kurtit herën e kaluar, të gjitha kanë qenë me koalicione, bashkëpunime dhe e dimë saktë, Kosova është e vogël, sa shumë ka pas punë në prapaskenë për të ardhë deri në një zgjidhje, me ndarjen e ministrive, me ndarjen e pushtetit, me ndarjen e institucioneve dhe deri sa të arrihet një baraspeshë që është e kënaqshme për të gjitha palët dhe pastaj krijohet qeveria”, tha analisti.
Muhaxhiri tha se deri më tani nuk ka asnjë hap.
“Pra, nuk ka asnjë hap, Kurti ka shkuar në Holandë për çështje ideologjike. Partitë opozitare nuk e pinë asnjë kafe së bashku, pra nuk ka kurrfarë plani”, u shpreh ai.
Ish-ambasadori Ukshini: Ka një lloj dakordimi në heshtje mes partive politike për të shkuar në zgjedhje të reja
Sylë Ukshini, ish-ambasador dhe profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se shihet se ka një lloj dakordimi në heshtje mes partive politike që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Ukshini tha se heshtja që po mbizotëron në politikë, tregon që nuk ka shumë përpjekje.
Sipas tij, takimi i vetëm i përfolur pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale, është ai i sotmi në Vushtrri, ku u bë e ditur se Xhafer Tahiri i LDK-së ka arritur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në nivelin qendror po shihet që nuk ka asnjë përpjekje serioze për të bërë diçka, madje ma shumë ka pas ndoshta kur ishte çështja e Kuvendit sesa e mandatarit të qeverisë. Sipas të gjitha gjasave, ka një lloj dakordësie në heshtje të të gjitha partive politike që Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja me faktin që stërzgjatja që është bërë me konstitumin e Kuvendit kam përshtypjen e ka konsumu këtë legjislaturë ende pa fillu”, tha Ukshini.
Ai u shpreh skeptik që mund të ketë ndonjë përafrim mes partive politike për koalicion në balotazh.
Lidhur me Tahirin e LDK-së, ai tha se ka punuar në Zyrën e Presidencës dhe është një lloj krahu politik i presidentes Vjosa Osmani, andaj këtë e sheh si lojë të kësaj të fundit.
“Në njëfarë mënyre për t’i treguar Lumirit që nëse unë nuk kandidohem, jam në gjendje t’i luaj levat edhe brenda LDK-së”, shtoi Ukshini.