TEMPUS

Shala: Ndryshe nga ato paraprake, kjo qeveri bëri veprime të strukturuara për kapjen e administratës

Gzim Shala

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se për dallim nga qeveritë paraprake, kjo qeveri pikësynim kishte sistemin e zyrtarëve publikë të administratës jo veç thjesht zyrtarin.

“Nëse i shohim të gjitha metodat që janë ndërmarrë deri më tani, krijohet perceptimi se kemi të bëjmë me veprime të strukturuara për kapjen e administratës”, tha Shala në emisionin “Tempus”në KTV.

Çështja e politizimit të administratës, ai tha se ishte përmendur edhe në raportet ndërkombëtare në të kaluarën për qeveritë paraprake.

Shala theksoi se problematikë është çështja e ushtruesve të detyrës në institucione, ku pozita e ushtruesit të detyrës është më shumë praktike e cila bën përjashtim, ndërsa ai tha se në këtë qeveri kjo ka qenë parim.

“Numri më i madh i pozitave kanë qenë të plotësuara vetëm me ushtrues detyre, qasje kjo e cila është në kundërshtim me parimin e integritetit institucional”, tha Shala.

Ai tha se aktualisht është një numër i madh i pozitave që mbahen në mënyrë të kundërligjshme sipas vendimit të Gjykatës Supreme.

Gjithashtu, Shala tha se një praktikë e tillë është në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare e cila krijon pasoja edhe në jetën institucionale si dhe në jetën e qytetarëve. 


Sefaj: Së paku gjysma e pozitave të larta drejtuese janë me ushtrues detyre

Ali Sefaj, sindikalist i Administratës Publike, në emisioni “Tempus” në KTV tha se gjysma e pozitave të larta drejtuese në vend janë me ushtrues detyre.

“Së paku gjysma e pozitave të larta drejtuese janë me ushtrues detyre. E çka ndodh aty ku janë me ushtrues detyre? Aty përveç që ka paligjshmëri, aty bie edhe intensiteti i punës se në raste të rralla e marrin seriozisht ushtruesin e detyrës ose ushtruesi i detyrës nuk e merr seriozisht detyrën që e ka për ta kryer, për arsye se në një moment të caktuar mund t’i vije e-maili ‘nga nesër nuk je dhe prite vendimin’”, tha Sefaj.

Ai tha se është aq papërgjegjësi sa që shihet në institucione se ka rënë intensiteti i punës dhe llogaridhënia si rezultat i abuzimit që kanë bërë me këto pozita.

Sefaj tha se zyrtarët i përmbushin detyrat, por derisa ka u.d. në pozita të larta drejtuese, lëndët presin në sirtarë sipas rekomandimit të qeverisë në ikje.“Edhe në rast se i sheh në nivel Republike, kudo që e kanë pas mundësinë ta emërojnë një zyrtar që administrata e ka pas të apostrofuar si njërin prej zyrtarëve që ka qenë i dyshuar ose i akuzuar për keqpërdorime, ka qenë zyrtari më i përkëdhelur i këtij pushteti për t’u shpërblyer apo avancuar në pozitën e ushtruesit të detyrës”, tha Sefaj.

Sipas tij, ata që për një dekadë administrata i ka parë si zyrtarë që e kanë shkel ligjin, kjo qeveri i ka parë si bashkëpunëtorë të parë për t’i mbajtur këto pozita.

Ndërkaq, avokati Faton Fetahu tha se pret një aktivitet të madh të ushtrimit të mjeteve juridike ndaj vendimeve përkatëse që mund t’i nxjerrin ushtruesit në detyrë në pozitat përkatëse, e që këto mjete do të ushtrohen nga zyrtarët publikë që kanë interes apo palët e treta në procedurë administrative pranë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Tha se pret edhe kallëzime penale që do të rezultojnë me aktakuza.

Fetahu tha se përgjegjësia fillimisht është e atyre që kanë pranuar të ushtrojnë këto pozita pasi që ligji e parasheh që janë të liruar nga detyrimi për të zbatuar një vendim të paligjshëm zyrtarët administratës, por që duhet ta denoncojnë tek organi kompetent.

“Të gjithë zyrtarët që janë caktuar dhe kanë pranuar ushtrimin e detyrës në mënyrë të paligjshme dhe të gjithë ata zyrtarë – eprorë qoftë politikë apo jopolitikë që kanë emëruar këta të parët, kanë përgjegjësi penale”, tha Fetahu.


Sefaj dhe Fetahu në debat pavarësinë e institucioneve

Avokati Faton Fetahu dhe Ali Sefaj, sindikalist i Administratës Publike, duke diskutuar për ligjshmërinë e qeverisjes me ushtrues detyre në “Tempus” debatuan për pavarësinë e institucioneve.

Fillimisht, Sefaj tha se administrata nuk është nënshtruar, por zëvendësimi i këtyre e pozitave ka bërë që punët t’i kryejnë me të zgjedhurit e vet.

“Në rast se sheh ti ngritje të aktakuzave, informacione çdo ditë në medie, janë nga sinjalizuesit që janë brenda institucioneve, të cilët njëherë krejt këto informacione i dërgojnë te zyrtarët përgjegjës për t’i trajtuar dhe në rast se ato nuk trajtohen gjenden kanale të tjera të komunikimit që dalin përballë opinionit publik”, tha Fetahu.

Sipas tij, një pjesë e atyre që janë emëruar mund të jenë prej të nënshtruarve.

“Mirëpo, rezistenca brenda administratës për shtet ligjor, për administratë profesionale, të përgjegjshme vazhdon siç ka vazhduar kur kanë qenë qeveritë paraprake”, tha Sefaj.

Avokati Faton Fetahu tha se nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për ta ruajtur Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës si institucion kushtetues, ai institucion do të kapej dhe administrata nuk do të bënte kryeneqësi në drejtim të zbatimit të ligjit sepse e dinte se do të përfundonte në një këshill të Vetëvendosjes.

“E dyta, po të mos ishte nisma e PDK-së për ta dërguar Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës i cili garanton pavarësinë e institucionit, kjo siguresë…”, tha Fetahu, të cilit i ndërhyri më pas Sefaj.

“O nuk janë lodhë administrata për këtë siguresë…”, u shpreh Sefaj.

Sefaj tha se ata që e kanë shtyrë këtë rezistencë janë ata që kanë pasur më së shumti fërkime me administratën dhe pushtetin e PDK-së.

“Qasjen keqdashëse në raport me administratën edhe kur s’kanë pas për përfitime individuale si gjatë këtij mandati nuk kemi has, thjesht e kanë pas keqbërjen mision”, tha Sefaj.

Ai tha se shumica e draft-ligjeve që kanë shkuar në Kuvend nuk kanë qenë draft-ligje të hartuara nga grupet punuese dhe se nuk kanë qenë të përfshira komentet e anëtarëve të grupeve punuese dhe kanë qenë kryesisht të grupimeve tjera, kështu sipas tij, ka qenë edhe Ligji për Zyrtarë Publikë e njëjtë edhe Ligji për Pagat, ku nuk janë marrë parasysh mendimet e anëtarëve të grupeve punuese.

Ai tha se nuk ka pasur keqdashje në tërë administratën sikur kjo Qeveri, duke tentuar të ndërtojë mekanizma të legjislacionit për të fshirë memorien institucionale ne administratën publike, sipas tij, përveç masave të dhunshme, Kosova nuk ka parë një format dhe keqdashje të tillë.


Fetahu: Për ushtrues detyre zgjidhen servilët për kërkesat e paligjshme të shefave politikë

Avokati Faton Fetahu të hënën në emisionin “Tempus” tha se për ushtrues detyre nuk zgjidhen personat me kredibilitet, por servilët për kërkesat e paligjshme të shefave politikë.

“Administrata është një kategori e madhe njerëzish. Aty brenda saj ka njerëz profesionistë, njerëz të karrierës por edhe njerëz pa ndonjë kredibilitet e pa ndonjë profesionalizëm. Natyrisht, për të ushtruar këto pozita nuk zgjidhen persona me kredibilitet, personat që kanë dije dhe guxim për t’iu thënë ‘jo’ shefave politikë. Aty zgjidhen servilët. Aty zgjidhen njerëzit që fatkeqësisht i shtrijnë kurrizin cilësdo kërkesë të paligjshme të shefave politikë”, tha Fetahu.

Ai tha se kjo nënkupton se administrata e shtetit sot është nënshtruar përballë politikës.

“Kjo nënkupton që administrata e shtetit sot është nënshtruar përballë politikës edhe në kundërshtim me aktgjykim të gjykatës, por edhe në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë i cili mori jetë vetëm këtë javë me vendim të Gjykatës Supreme sepse neni 35 ishte aty tash e tri vite, por nuk zbatohej”, përfundoi Fetahu.

Përpara kësaj, avokati ofroi ashtu siç e quajti ai ‘një mozaik’ të të gjitha zhvillimeve juridike që kanë ndodhur e të cilat e kanë imponuar situatën e tillë në administratën shtetërore.

“Përpara qytetarëve po përpiqem të ofroj mozaikun e të gjitha zhvillimeve juridike që kanë ndodhur dhe e kanë imponuar situatën e cila sot karakterizohet me paligjshmëri në gjithë vendimmarrjen e administratës shtetërore -publike”, tha Fetahu.

Fetahu rikujtoi një vendim që, sipas tij, ishte marrë para katër vitesh nga kryekuvendari për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë. Ai e quan këtë vendim ‘arbitrar’.

Sipas tij, ky vendim ishte kontestuar në Kushtetuese nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, ku ishte fituar masa e sigurisë. Veç kësaj, ai tha se kjo Gjykatë kishte konstatuar më vonë se shkarkimi i këtyre personave ishte kundërkushtetues.

Fetahu theksoi se qëllimi ishte që trupa e re e anëtarëve në këtë institucion të legjitimonte shkarkimet e paligjshme në administratë dhe të legjitimonte emërimet e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në administratë.

Ai tha se fatmirësisht një vendim i tillë mbeti në tentativë. Tha se ndërkohë u mor edhe iniciativa për ndryshimin e ligjit për këtë Këshill e që qëllimi ishte krijimi i bazës ligjore për të shkarkuar anëtarët e këtij Këshilli duke ua hequr edhe imunitetin.

“Duke tentuar që ta defaktorizojnë si institucion nga njëra anë. Duke u përpjekur që përmes Këshillit ta kapin përfundimisht administratën”, tha ai duke shtuar se edhe në këtë rast PDK-ja nuk ka qëndruar indiferente dhe rasti është dërguar në Kushtetuese.

Ai tha se pretendimet e tyre janë konfirmuar një nga një nga Gjykata Kushtetuese. Fetahu shtoi se tentativa e tretë ishte përmes Ligjit për Zyrtarët Publikë. 


Sefaj: Kemi krijuar institucione dhe Qeveri me ushtrues detyre, i bie t’i vihet çelësi shtetit

Sindikalisti Ali Sefaj foli rreth vendimit me të cilin Gjykata Supreme e shpalli të paligjshme dhe shfuqizoi Rregulloren për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores (AAC) Nr. 02/2024 mbi Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës.

Përmes këtij vendimi, Supremja pati konstatuar se çdo akt juridik i nxjerrë nga një udhëheqës në cilësinë e ushtruesit të detyrës pas skadimit të afatit prej një viti është i pavlefshëm.

Sefaj duke folur për këtë vendim, tha se meqenëse kemi krijuar institucione dhe Qeveri me ushtrues detyre, i bie të mbyllet shteti.

“Pasi kemi ardhur në pozitë, kemi krijuar institucione dhe Qeveri me ushtrues detyre, i bie tw mbyllet shteti, t’i vihet çelësi”, tha ai.

Sipas tij, nuk ka institucion ku së paku njëri prej drejtorëve ose gjysma e tyre, nuk janë ushtrues detyre. Këtu, sipas tij, përfshihet edhe drejtori i Thesarit.

“Njeriun që nëpërmjet tij dalin krejt financat dhe kur e kanë ndërruar, ju kam thwnë se është e kundërligjshme dhe kjo lidhet me pozitën dhe nuk lidhet me personin”, shtoi Sefaj.

Ai theksoi se drejtori i Thesarit nuk mund të zgjidhet për një muaj.

“Duhet respektuar procedurat. Se formatin si e kanë menduar, kanë treguar se këta nuk kanë haber me administratën publike, me procedurat e rekrutimit. Se ti nuk mund tw rekrutosh një pozitë për gjashtë muaj, se mund tw kontestohet nga dikush, mund të dërgohet lënda në gjykatë, të vendoset masë e sigurisë. Krejt kjo, është e pamundshme të zgjidhet brenda këtij afati”, tha ai.

Sipas sindikalistit, e gjithë kjo ka qenë e qëllimshme dhe sot kjo nuk mund të ndryshohet.

Sefaj tha se kanë kërkuar përmes e-mailave zyrtarë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Kryeministri edhe përmes studiove televizive, që të ndryshohet ky nen, ashtu që të bëhet një zgjatje për shkak se sipas tij, të gjitha institucionet mbesin në paligjshmëri. Përderisa tha se kjo nuk është bërë krejt rastësisht.

“Se duke i mbajtur zyrtarët si ushtrues detyre, ata i kanë shndërruar në kukulla dhe i kanë realizuar krejt synimet e tyre, duke i shndërruar krejt institucionet publike në paligjshmëri”, theksoi Sefaj.
Po ashtu, ai tha se rregulloret për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës janë në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë. Sipas tij, ky modalitet është versioni më i keq i mundshëm.