Kompania gjigante e transportit me porosi, Uber Technologies, ka njoftuar të mërkurën se do ta riemërtojë shërbimin e saj “Uber Green” në “Uber Electric” dhe do të lansojë një program grantesh prej 4,000 dollarësh për shoferët, në përpjekje për të përshpejtuar kalimin në emetimet zero deri në vitin 2040, raportoi të mërkurën Reuters.
Grantet e reja, të quajtura “Go Electric”, do t'u ofrojnë shoferëve të kualifikuar 4,000 dollarë për të blerë automjete elektrike të reja ose të përdorura në shtete duke përfshirë Kaliforninë, Nju Jorkun, Koloradon dhe Masaçusetsin.
Programi shihet si thelbësor për të përmbushur objektivat klimatike të Uberit dhe për të ruajtur konkurrueshmërinë në garën globale drejt lëvizshmërisë së gjelbër.
Këtë vit, Uber ka zhvendosur shërbimin e saj Uber Green në SHBA në një model tërësisht elektrik, duke hequr dorë nga përzierja e mëparshme mes automjeteve hibride dhe atyre plotësisht elektrike.
Uber tha se më shumë se 200,000 automjete elektrike janë aktive në platformën e saj në nivel global, me shoferët në SHBA, Kanada dhe Evropë që përdorin automjete elektrike deri në pesë herë më shpejt se shoferët e tjerë.