Një pjesë e një anijeje kozmike të epokës sovjetike pritet të rrëzohet sërish në Tokë këtë javë, pasi ka mbetur e bllokuar në orbitë për më shumë se gjysmë shekulli.
“Kosmos 482” u lansua në vitin 1972 si pjesë e një misioni në Venus, por nuk doli kurrë nga orbita e ulët e Tokës dhe u nda në katër pjesë, sipas njoftimit të NASA-s, transmeton BBC.
Një nga këto pjesë, që besohet të jetë sonda e uljes, pritet të rifuten në atmosferë rreth datës 10 maj dhe të paktën një pjesë e saj mund t’i mbijetojë udhëtimit pa u djegur.
Ka shumë gjëra që nuk dihen rreth rifutjes në atmosferë, përfshirë vendin ku mund të bjerë, por edhe nëse ndonjë prej tyre mbijeton, 70% e planetit është e mbuluar nga deti, kështu që nuk ka gjasa të shkaktojë dëme të konsiderueshme.
“Ka shumë më tepër gjasa që të fitoni lotarinë, sesa të prekeni nga kjo copë mbeturinash hapësinore”, ka deklaruar Stijn Lemmens, zyrtar i mbeturinave hapësinore në Agjencinë Evropiane të Hapësirës.
Kapsula e uljes është një objekt i fortë, sferik, rreth një metër i gjerë dhe peshon gati gjysmë ton.
Kapsula ishte ndërtuar për t'i mbijetuar nxehtësisë dhe presionit ekstrem të atmosferës së Venusit, që do të thotë se ka një mburojë të fortë ndaj nxehtësisë dhe një strukturë të qëndrueshme.
Kjo është arsyeja pse ekspertët mendojnë se mund t’i mbijetojë një zbritjeje të pakontrolluar nëpër atmosferën e Tokës.
Sistemi i parashutave, i menduar fillimisht për të ngadalësuar zbritjen e anijes kozmike drejt Venusit është dëmtuar prej kohësh pas më shumë se 50 vjetësh në hapësirë.
Potencialisht, pjesa e anijes kozmike mund të bjerë kudo, nga veriu i Londrës deri në Amerikë të Jugut.
Incidente të pakontrolluara të mbeturinave hapësinore kanë ndodhur edhe më parë.