Kulturë

Robert Redford – ikona shpërfillëse e Hollywoodit, artisti i kauzave

Robert Redford

Robert Redford në vitin 2013. Me një neveri për qasjen e thjeshtë të Hollywoodit ndaj krijimit të filmave, aktori zakonisht kërkonte që projektet e tij kinematografike të mbanin peshë kulturore

Gjatë gjithë karrierës së tij, Robert Redford theu barriera në kinematografi si dhe parashtroi pyetje edhe kur nuk preferohej. Këmbëngulja aktorit i shërbeu mirë që në vitin 1969, kur po përgatitej të luante rolin e Sundance Kid. Presidenti i studios “20th Century Fox’, Richard D. Zanuck, i kërkoi Redfordit të rruante mustaqet që i kishte për këtë rol. Ai refuzoi. “Ishte një pamje autentike dhe unë ia dola mbanë”, deklaroi aktori për Michael Feeney Callan, autori i biografisë së tij. Falë fuqisë së tij si yll i Hollywoodit, Redford bëri që tema serioze, si pikëllimi dhe korrupsioni politik, të jehonin te publiku në mbarë botën

Robert Redford, ylli i filmit i shndërruar në regjisor fitues të çmimit “Oscar”, veprat e të cilit shpesh ndihmuan Amerikën ta kuptonte vetveten dhe i cili jashtë ekranit u angazhua me shumë përkushtim në kauza mjedisore dhe shquhet si themelues i lëvizjes së filmit të pavarur të përqendruar në Sundance, vdiq mëngjesin e së martës në shtëpinë e tij në Utah. Ai ishte 89 vjeç.

Vdekja e aktorit, në malet jashtë Provos, u njoftua me një deklarate të lëshuar nga Cindi Berger, drejtoreshë ekzekutive e firmës publicitare “Rogers & Cowan PMK”. Ajo bëri të ditur se Redford kishte vdekur në gjumë, por nuk dha një shkak specifik. “Ai ishte në vendin që e donte, i rrethuar nga ata që e donin”, thuhej tutje në deklaratë.

Me një përçmim për qasjen e thjeshtë të Hollywoodit ndaj kinematografisë,  Redford zakonisht kërkonte që filmat e tij të kishin peshë kulturore duke trajtuar tema serioze si: dhimbja, korrupsioni politik dhe ndërgjegjësimi shoqëror — të cilat rezononin me publikun pjesërisht falë fuqisë së tij të jashtëzakonshme si yll i kinemasë. 

Si aktor, disa nga filmat e tij më të mëdhenj ishin “Butch Cassidy and the Sundance Kid”, një vështrim dashamirës mbi hajdutët në Perëndimin që po zhdukej dhe “All the President’s Men”, që trajtonte ndjekjen gazetareske të presidentit Richard Nixon gjatë skandalit Watergate. Në filmin “Three Days of the Condor” ai e portretizoi një kodues introvert të CIA-s, i përfshirë në një lojë vdekjeprurëse. “The Sting”, film që bën fjalë për mashtruesit e periudhës së Depresionit të Madh, ia solli Redfordit nominimin e parë dhe të vetëm për çmim “Oscar” në kategorinë për aktrim.

Pionieri i filmit të pavarur

Robert Redford ishte një nga protagonistët më të preferuar të Hollywoodit për dekada me radhë, qoftë në komedi, drama apo trilerë; shpesh studiot filmike e promovonin atë si një seks-simbol. Suksesi i tij si protagonist i filmave romantikë ishte meritë edhe e aktoreve të fuqishme që iu bashkuan në ekran të madh si: Jane Fonda në “Barefoot in the Park”, Barbra Streisand në “The Way We Were” dhe Meryl Streep në “Out of Africa”.

“Redford nuk ka qenë kurrë kaq rrezatues dhe glamuroz sa kur e pamë përmes syve të dashuruar të Barbra Streisandit”, shkroi kritikja Pauline Kael në artikull të publikuar në “The New Yorker”.
Ai kaloi prapa kamerave si regjisor në të 40-at dhe fitoi një çmim akademik për filmin e tij debutues “Ordinary People”, që flet për shpërbërjen e një familjeje të shtresës së mesme pas vdekjes së djalit. Filmi mori edhe tri çmime të tjera “Oscar”, përfshirë kategorinë kryesore për filmin më të mirë.
Filmi i tij pasues si regjisor, “The Milagro Beanfield War”, një dramë komike rreth një fermeri nga New Mexico që iu mohua e drejta e përdorimit të ujit nga ndërtues të pandjeshëm, dështoi në arkat filmike. Por Redford refuzoi me këmbëngulje të ndiqte tema më komerciale. Në vend të kësaj, ai drejtoi dhe prodhoi filmin “A River Runs Through It”, një dramë e qetë për peshkatarët në Montana që reflektojnë për çështje ekzistenciale, si dhe “Quiz Show”, një film që trajton një skandal të famshëm televiziv të viteve ‘50. Ky projekt u nominua për katër çmime “Oscar”, përfshirë filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë.

Ndoshta ndikimi më i madh kulturor i Redfordit ishte si pionier i filmit të pavarur. Në vitin 1981, themeloi Institutin Sundance, një organizatë jofitimprurëse e dedikuar për kultivimin e zërave të rinj kinematografikë. Pas tre vjetëve mori përsipër drejtimin e një festivali të filmit në Utah dhe disa vjet më vonë e riemëroi sipas institutit.

Festivali i filmit “Sundance”, që tradicionalisht mbahet në Park City, u bë një platformë globale dhe treg i lirë për filmat amerikanë jashtë sistemit të Hollywoodit. Me zbulime talentesh si Steven Soderbergh, i cili në vitin 1989 e prezantoi projektin me titull “Sex, Lies and Videotape”, “Sundance” u bë sinonim i risive krijuese në industrinë e filmit.

Redford në filmin e vitit 1969, “Butch Cassidy and the Sundance Kid”, një prej hiteve më të mëdha kinematografike të aktorit

“Kam lindur me një sy kritik”

Regjisorë si Quentin Tarantino, James Wan, Darren Aronofsky, Nicole Holofcener, David O. Russell, Ryan Coogler, Robert Rodriguez, Chloé Zhao dhe Ava DuVernay u mbështetën nga ky festival në fillimet e karrierës së tyre. “Sundance” gjithashtu u bë një nga platformat më të rëndësishme për dokumentarë, sidomos ata që përqendroheshin në tema progresive, si të drejtat riprodhuese, çështjet e LGBTQ+ dhe ndryshimet klimatike.

Redford ishte i shqetësuar për vorbullën komerciale që krijoi festivali, ndërsa u rrit nga disa qindra pjesëmarrës në fillim të viteve ’80, në mbi 85 mijë pjesëmarrës në vitin 2025.

“Dua që ata tregtarët agresivë të zhduken përgjithmonë”, i tha aktori dhe regjisori një gazetari gjatë festivalit të vitit 2012, ndërsa ecte me çizme dëbore drejt një shfaqjeje filmi dhe asistenti i tij i ri mezi e ndiqte. “Ata s’kanë të bëjnë fare me atë që po ndodh këtu”.

Duke preferuar jetën në fermën e tij të izoluar në Utah, Redford krijoi imazhin e një ylli të pavullnetshëm. Ai këmbëngulte se karriera e tij në HollyWood ishte dytësore krahasuar me shqetësimet e tij të vërteta — një prej të cilave ishte mjedisi. Në shumë mënyra, ai krijoi arketipin e aktorit ambientalist, që më vonë u përvetësua nga yje si Leonardo DiCaprio dhe Mark Ruffalo. Redford nuk pëlqente të quhej aktivist, një etiketë që e konsideronte shumë të ashpër. Por, sidoqoftë, ai ishte një aktivist. Në vitin 1970 bëri fushatë të suksesshme kundër ndërtimit të një autostrade me gjashtë korsi, në një kanion të Utah. Po ashtu e kundërshtoi ndërtimin e një termocentrali me qymyr në një zonë që më vonë u shpall monument kombëtar. 

Për tri dekada Redford ishte anëtar bordi i Këshillit të Mbrojtjes së Burimeve Natyrore. Herë pas here njerëz me interesa të ngjashme e nxisnin të kandidonte për poste politike. Ai u shmangej këtyre sugjerimeve, pasi ishte zhgënjyer nga politika që në fund të viteve ‘70, kur u zgjodh komisioner i zonës së kanalizimeve të kanionit Provo. (Ai e kërkoi postin për të mbrojtur zonën nga ndotja dhe zhvillimi i pakontrolluar. Por përballja me burokracinë e bindi se aktivizmi i pavarur dhe rrëfimi i historive përmes filmit ishin mjete më efektive për ndryshim).

“Kam lindur me një sy kritik”, tha ai për revistën “The HollyWood Reporter” në vitin 2014. “Mënyra se si i shihja gjërat, shihja çfarë nuk ishte në rregull. Mund të shihja çfarë mund të ishte më mirë. Zhvillova një lloj pikëpamje të errët për jetën, duke parë vendin tim”.

Rinia në Kaliforni

Charles Robert Redford Jr. u lind më 18 gusht 1936 në Santa Monica, Kaliforni. Prindërit e tij, Charles Redford dhe Martha Hart, u martuan tre muaj më vonë. Pasi punoi si shpërndarës qumështi, babai i tij u bë kontabilist dhe më vonë u punësua nga kompania “Standard Oil “ në Kaliforni. Nëna e tij vdiq në vitin 1955, kur aktori ishte vetëm 18 vjeç; shkaku ishte një çrregullim i gjakut i lidhur me lindjen e vajzave binjake, të cilat jetuan vetëm pak kohë, duke e lënë Redfordin fëmijë të vetëm.

Po atë vit ai debutoi në skenën e Broadwayt me shfaqjen “Tall Story”, ku kishte një rol me një fjali të vetme. Paraqitja e tij më e suksesshme në Broadway ishte në komedinë hit të Neil Simonit për të sapomartuarit, “Barefoot in the Park” dhe ku luajti krahas aktores Elizabeth Ashley.

Pas shkollës së mesme Redford ndoqi Universitetin e Kolorados me një bursë bejsbolli, por shumë shpejt e braktisi shkollën pasi u mërzit nga “burokracia e tepërt”, siç e quajti ai. Për më shumë se një vit udhëtoi nëpër Evropë, ku studioi art në Shkollën e Arteve të Bukura në Paris. Aspironte të bëhej piktor dhe — duke kaluar një periudhë që më vonë e përshkroi si depresion të thellë — shiste vizatime në trotuar për të siguruar pak para.

Kur u kthye në Los Angeles punoi në fushat e naftës dhe takoi disa studentë mormonë që ishin dërguar për të predikuar, pas vitit të tyre të parë në universitetin “Brigham Young” në Utah. Ai hyri në lidhje romantike me njërën prej tyre, Lola Van Wagenen, me të cilën edhe u martua në vitin 1958. Çifti u vendos për të jetuar në Utah.

“Nuk mundohet të paraqitet si diçka që nuk është”, tha ai për revistën “Rocky Mountain” në vitin 1978, teksa krahasonte shtetin Utah me Los Angelesin, të cilin e quajti të rremë dhe sipërfaqësor. “Nuk të fton brenda dhe më pas të godet në gjunjë”.

Një ambientalist i përkushtuar, Robert Redford u nderua nga Këshilli i Mbrojtjes së Burimeve Natyrore. Çmimi iu dha në vitin 2004 nga aktorja Meryl Streep

Suksesi në arkat filmike

Redford e shijonte të qenit simbol seksi — përveç kur nuk i pëlqente kjo gjë.

“Imazhi i një burri joshës mund të jetë një pengesë e vërtetë”, u ankua ai në një profil të vitit 1974 për “The New York Times”.

Megjithatë ishte buzëqeshja e tij e madhe, flokët kaçurrela dhe pamja tipike amerikane që fillimisht e kthyen publikun në anën e tij. “Butch Cassidy and the Sundance Kid” ishte një film i vlerësuar nga kritika, por pati sukses në arkat filmike kryesisht për shkak se Redford krijoi shoqëri me një tjetër yll kinemaje, Paul Newman. Ata e përsëritën bashkëpunimin në vitin 1973 me të njëjtin regjisor, George Roy Hill, në filmin “The Sting”. Suksese të tjera si aktor i sollën filmat, “Jeremiah Johnson”, “The Natural”, “Sneakers” dhe të tjerë.

Filmi i tij më fitimprurës (pa llogaritur dy filmat e “Marvelit” në fund të karrierës, ku ai kishte role dytësore) ishte drama morale e vitit 1993, “Indecent Proposal”, ku luan krahas yjeve Demi Moore dhe Woody Harrelson. Atëkohë ky projekt i arkëtoi gjithsej 267 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinema. Në shkrimin e saj kritik për gazetën “The Times”, Janet Maslin e quajti Redfordin “një nga flirtuesit më të mëdhenj të ekranit”.

Martesa e aktorit me Van Wagenenin solli në jetë katër fëmijë: Shauna, Amy, David James dhe Scott, i cili vdiq në moshën 2 muaj e gjysmë. Martesa e çiftit përfundoi me shkurorëzim në vitin 1985. Redford u martua me Sibylle Szaggars, një artiste gjermane që e kishte njoftuar në vitin 2009, në Institutin Sundance.

Redford ka kaluar përmes dhimbjes dhe traumave familjare që shpesh u ngjanin atyre që ai portretizonte në filmin “Ordinary People”. Në vitin 1983, i dashuri i vajzës së tij Shauna, Sidney Lee Wells, u vra me armë zjarri në Colorado. Ngjarja ndikoi në tendencën e Redfordit për t’u izoluar, sipas librit “Robert Redford: The Biography”. Më pas Shauna i mbijetoi një aksidenti tragjik me makinë, ku automjeti i saj u fundos në ujë, me të brenda.

Pikërisht kur Redford i filloi xhirimet e filmit “Quiz Show”, djali i tij David James kaloi përmes dy transplantimeve të mëlçisë për të kapërcyer pasojat e një sëmundjeje kronike. Ai vdiq nga kanceri i kanaleve biliare në vitin 2020, në moshën 58-vjeçare.

Përveç bashkëshortes së tij, aktori ka lënë pas vajzat Shauna Schlosser Redford dhe Amy Redford, si dhe shtatë nipër e mbesa.

Me kalimin e viteve Redfordi u përball me probleme financiare, pjesërisht për shkak të disa investimeve të bëra në kohë të gabuar. Kjo situatë mund të ketë ndikuar në vendimin e tij për të vazhduar me aktrimin edhe në vitet e fundit të jetës. Në vitin 2013, ai ishte aktori i vetëm në filmin “All Is Lost”, një dramë që flet për një marinar, i cili përpiqet të mbijetojë në det të hapur. Roli e detyroi Redfordin, atëkohë 75 vjeç, të kalonte ditë të tëra brenda një rezervuari uji në sheshxhirimin e filmit.
“All Is Lost”, që nuk kishte pothuajse fare dialog, u kthye në një zhgënjim për aktorin. Akademia e Filmit e injoroi plotësisht, duke mos e nominuar për çmim “Oscar”. Redford, i lodhur nga kjo padrejtësi, e kritikoi ashpër distributorin e filmit, “Roadside Attractions”.

“Nuk patëm asnjë fushatë për ta bërë filmin të kalojë në tregun masiv. Ata ose nuk deshën të shpenzonin para, ose nuk ishin të aftë në punën e tyre”, tha aktori për gazetarët me sinqeritetin e tij të zakonshëm, gjatë një konference në festivalin “Sundance”. 

Roeit e fundit të Robert Redfordit si aktorë ishin “Our Souls at Night”, një romancë mes dy personazheve në moshë të shtyrë ku luan krahas yllit, Jane Fonda, dhe “The Old Man and the Gun”, një dramë e bazuar në histori të vërtetë për një grabitës bankash shtatëdhjetëvjeçar. Ai u tërhoq nga aktrimi pjesërisht për shkak të problemeve fizike; dekada të tëra kalërimi dhe duke luajtur tenis kishin dëmtuar rëndë trupin e tij.