Tech

Në Prishtinë do të prezantohet për herë të parë globalisht pajisja “Arduino Uno Q”

David Cuartielles

Në Prishtinë do të prezantohet për herë të parë globalisht pajisja “Arduino Uno Q” – pajisja më e re e nivelit të lartë që demokratizon qasjen në modele të inteligjencës artificiale dhe që ua mundëson të gjithëve të eksperimentojnë e të mësojnë me kosto të lirë për modelet e AI-së.

Siç kanë njoftuar organizatorët e konferencës “Software Freedom Kosova (SFK) 2025”, në këtë konferencë, folës kryesor do të jetë bashkëthemeluesi i platformës globale “Arduino”, David Cuartielles. Konferenca do të mbahet nga 24 deri më 26 tetor.

Sipas organizatorëve, emri i njohur ndërkombëtarisht për inovacionin në teknologjitë open-source do të ndajë përvojën e tij shumëvjeçare në arsim dhe dizajn interaktiv me komunitetin lokal të teknologjisë dhe studentët kosovarë.

“Më 25 tetor, në orën 10:30 në FIEK Prishtinë, Cuartielles do të prezantojë për herë të parë globalisht pajisjen Arduino Uno Q - pajisjen më të re high-tech që e demokratizon qasjen në AI modele, duke ua mundësuar të gjithëve të eksperimentojnë dhe të mësojnë në lidhje me AI modele me kosto shumë të ulët: rreth 40 euro pajisje. Sot, komuniteti global i Arduinos numëron mbi 30 milionë përdorues aktiv, nga studentë e deri te zhvillues e edukatorë që ndajnë të njëjtën filozofi: teknologjia duhet të jetë e hapur, e përballueshme dhe në shërbim të krijimtarisë”, thuhet në njoftim.

Edicioni i dhjetë i SFK-së vjen me temën “Do Androids Dream?”, që trajton temat shumë interesante të open-source AI dhe hardware, e organizuar nga FLOSSK (Free Libre Open Source Software Kosova).

Organizatorët kanë thënë se gjatë konferencës do të ketë folës nga e gjithë bota dhe vendi dhe kompani të njohura ndërkombëtare si TomTom dhe openSuse, që do të jenë të pranishme me standet e tyre.

Arduino Uno Q është pllakë elektronike që përdoret për të kontrolluar pajisje, sensorë apo motorë në projekte elektronike. Është ndër modelet më të njohura dhe përdoret në arsimim e projekte teknologjike.