Tech

Musk zotohet për “hakmarrje” ndaj atyre që i vendosën gjobën 120 milionë euro

Elon Musk

Foto: Associated Press

Miliarderi Elon Musk ka kritikuar ashpër Bashkimin Evropian pasi e gjobitën rrjetin e tij social X me 120 milionë euro për shkelje të rregullave të transparencës.

Shefi i Teslas ka thënë se reagimi i tij do të jetë i drejtuar ndaj zyrtarëve të lartë që morën vendimin për ndëshkimin.

“BE-ja ka vendosur këtë gjobë të çmendur jo vetëm ndaj X, por edhe ndaj meje personalisht, gjë që është edhe më absurde. Prandaj, duket e arsyeshme që reagimi ynë të mos jetë vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj individëve që ndërmorën këtë veprim kundër meje”, shkroi ai në x.

Reagimi i Muskut vjen pasi Komisioni Evropian e gjobiti platformën X me 120 milionë euro të premten për shkelje të detyrimeve të transparencës që zbatohen për platformat shumë të mëdha online, sipas Ligjit për Shërbime Digjitale (DSA), rregullorja kryesore e BE-së për moderimin e përmbajtjes.

Sipas Komisionit, funksioni i shenjës blu të verifikimit u bë mashtrues pas transformimit nga verifikim i përdoruesve në një shërbim me pagesë. Po ashtu u tha se reklamat në X nuk janë mjaftueshëm transparente dhe se platforma nuk u lejon studiuesve qasje në të dhënat publike.

“Komisionerët ‘Woke Stasi’ të BE-së së shpejti do ta kuptojnë plotësisht kuptimin e ‘efektit Streisand’ “, ka shkruar Musk.

Termi “efekti Streisand” i referohet situatave kur përpjekja për të fshehur diçka sjell edhe më shumë vëmendje ndaj saj.

Musk nuk e sqaroi se si do të reagojë konkretisht ndaj gjobës dhe cilët individë ka ndërmend të targetojë.