Pas muajsh e muajsh spekulimesh, gjiganti teknologjik, Apple, më në fund ka prezantuar pajisjet e reja.
iPhone Air

Apple ka prezantuar telefonin e saj më të hollë ndonjëherë, iPhone Air me trashësi vetëm 5.6 milimetra.
Me çip A19, Air është i destinuar të jetë më efikas se iPhonet paraprakë. Ky telefon do të vijë me kamerë 48 megapikselë prapa.
Air do të vijë në ngjyrë të zezë, të bardhë, ari dhe të kaltër të hapur. Do të dalë në treg më 19 shtator, me çmim fillestar prej rreth 800 dollarësh.
iPhone 17 Pro
Seria Pro e iPhone 17 ka përjetuar ndryshim të madh në dizajn, duke u bërë plotësisht me strukturë alumini dhe xham të fortë në të dyja anët dhe një sistem të ri që nuk lejon nxehjen e mundëson performancë më të mirë.
Siç ka thënë Apple, iPhone i ri është rreth 40 për qind më i mirë në performancë në disa aspekte në raport me iPhone 16 Pro.
Apple ka thënë se modelet që vijnë vetëm me eSIM kanë bateri që mundëson video deri në 39 orë.
Sa i përket sistemeve të kamerave, iPhone 17 Pro dhe Pro Max vijnë me kamerë të përmirësuar 18 megapikselëshe përpara, tri kamera 48 megapikselëshe prapa.
iPhone 17 Pro nis me çmim prej rreth 1100 dollarë, ndërsa iPhone 17 Pro Max me 1200 dollarë për versionin me 256 gigabajt hapësirë të brendshme. Të dyja modelet vijnë në disa lloje ngjyra.
Për herë të parë është lansuar edhe iPhone me konfiguracion që mundëson deri në 2 terrabajt hapësirë të brendshme. iPhone 17 Pro Max me këtë veçori kushton 2000 dollarë.
Sistemi i ri i madh operativ i Appleit do të lansohet më 15 shtator.
iPhone 17

iPhone 17 i ri vjen me disa përditësime. Ai është më i qëndrueshëm, me ekran të fortë. Ka ekran 6.3-inç me korniza më të holla.
Ky telefon ka çip A19 që ka qëllim për të operuar më lehtë me Apple Intelligence. Apple ka thënë në prezantim të martën se bateria e tij qëndron tërë ditën dhe mund të lëshojë video tetë orë pa ndalim deri në fikje.
Njëra kamerë e tij është 48 megapikselë dhe tjetra 12.
Apple Watch Series 11

Apple ka prezantuar edhe modelin e ri të orëve, atë Series 11. Pajisja vjen me veçoritë për të detektuar tensionin e lartë. Ai ka algoritëm që analizon të rrahurat e zemrës në periudhë rreth 30-ditëshe. Nëse ora vëren hipertension, dërgon njoftim te përdoruesi.
Kjo orë tani ka edhe veçori që analizon gjumin gjatë natës.
Kompania ka thënë se Series 11 është ora më e hollë e prodhuar deri tash. Ajo është prezantuar si pajisje më e qëndrueshme se dy modelet tjera e dy herë më rezistuese ndaj gërvishtjeve në raport me Series 10.
Bateria e saj po ashtu është përmirësuar. Apple pretendon se mund të durojë deri 24 orë mbushje të plotë.
Apple Watch Series do të jetë në dispozicion për blerje nga 19 shtatori me çmim prej rreth 400 dollarë.
