Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Apple padit krijuesin e ChatGPT, e akuzon për vjedhje të sekreteve tregtare

Apple

Apple ka ngritur një padi në një gjykatë federale në Kaliforni, duke akuzuar OpenAI se ka përdorur sekrete tregtare të kompanisë gjatë zhvillimit të pajisjeve të saj harduerike për ChatGPT.

Në padi, Apple pretendon se OpenAI, gjatë rekrutimit të ish-punonjësve të kompanisë, i ka inkurajuar ata të ndajnë informacione konfidenciale dhe u ka dhënë udhëzime se si të shmangin mbikëqyrjen gjatë kalimit në kompaninë e re.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky rast ka të bëjë me ish-punonjës të Apple që vodhën sekrete tregtare të Apple në dobi të OpenAI”, thuhet në dokumentin e padisë.

Mes të paditurve janë dy ish-punonjës të Apple që tani punojnë në OpenAI. Njëri prej tyre është Tang Tan, i cili ka kontribuar në dizajnimin e iPhoneve, Apple Watch dhe iPod dhe aktualisht mban postin e shefit të harduerit në OpenAI. Tjetri është Chang Liu, ish-inxhinier elektrik në Apple, i cili sipas kompanisë kishte qasje në informacionet më të ndjeshme për zhvillimin e produkteve përpara se t’i bashkohej OpenAI këtë vit.

Apple pretendon se një hetim i brendshëm zbuloi “model të vjedhjes” së sekreteve tregtare. Sipas padisë, Liu dhe Tan kanë pasur qasje në dokumente dhe informacione konfidenciale edhe pasi kishin nisur punën në OpenAI. Po ashtu, Apple pretendon se Liu kishte shkarkuar skedarë konfidencialë që lidhen me harduerin në një pajisje Apple, të cilën e kishte mbajtur edhe pas largimit nga kompania.

Kompania pretendon gjithashtu se Tang Tan u kishte sugjeruar kandidatëve që ende punonin në Apple të sillnin “pjesë reale” të produkteve të Apple gjatë intervistave për punë në OpenAI.

OpenAI ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar padinë. Zëdhënësi i kompanisë, Drew Pusateri, deklaroi se OpenAI “nuk ka interes për sekretet tregtare të kompanive të tjera” dhe se mbetet e përqendruar në zhvillimin e teknologjive inovative që u shërbejnë njerëzve në mbarë botën.

Mosmarrëveshja vjen pasi Apple dhe OpenAI krijuan një partneritet në vitin 2024 për integrimin e ChatGPT në iPhone, si mjet ndihmës për Siri kur asistenti virtual nuk mund t’u përgjigjet kërkesave të përdoruesve.

Megjithatë, sipas raportimeve, marrëdhënia mes dy kompanive po shndërrohet gjithnjë e më shumë në rivalitet, veçanërisht pas zhvillimit nga OpenAI të një projekti sekret harduerik me ish-dizajnerin e Apple, Jony Ive.