Sporte të tjera

Tjetër vend i dytë për skitaren e Shqipërisë në Kupë të Botës

Lara

Skitarja italiane që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, ka zënë vend edhe një herë tjetër në podium.

Colturi të dielën e zuri vendin e dytë në garën e sllallomit të zhvilluar në Gurgl të Austrisë.

Vendin e parë, njësoj si në garën e parë në Levi të Finlandës, e zuri Mikaela Shiffrin.

Ishte gara e dytë në disiplinën e sllallomit në skijim alpin, për sezonin 2025/2026.

Në total, skitarja italiane duke e përfaqësuar Shqipërinë, është ngjitur pesë herë në podiume të Kupës së Botës, tri herë në sllallom dhe dy herë në sllallom të madh.

“Jam shumë e lumtur. Nuk e prisja këtë rezultat pasi edhe kushtet në shteg ishin shumë të vështira. Nëse ke ëndrra, duhet t’i ndjekësh ato. Duhet të punosh shumë që t’i realizosh ato. Në lëshimin e dytë kisha pak frikë sepse nuk e dija se si do të shkonte, por jam shumë e lumtur për këtë rezultat. Mezi e pres garën e ardhshme”, ka thënë pas garës Lara Colturi për TVSH-në.

Skitarja amerikane, Mikaela Shiffrin, dominoi të dielën në garën e sllallomit dhe e pati kohën më të shpejtë në të dy lëshimet.

Ajo përfundoi me 1.23 sekonda më shpejtë se Colturi, skitarja 18-vjeçare nga Italia që përfaqëson Shqipërinë.

Para një jave në Finlandë, Colturi ishte më e ngadalshme se Shiffrini për 1.66 sekonda.

Për Colturin ka folur vetë Shiffrini, njëra prej skitareve më të mira në histori të këtij sporti.

“Lara e ka çdo mundësi për t’u përmirësuar dhe për të arritur edhe më shumë në këtë sport në të ardhmen. Ajo është e pjekur dhe ka përqendrim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Shiffrin.

Kampionia e Botës në sllallom, Camille Rast e Zvicrës, mbeti vetëm e treta me 1.41 sekonda vonesë në përfundim të garës.

Podiumi u plotësua me të njëjtat skitare si në vitin e kaluar në Gurgl.

“Duhej të bëja lëshime të mira. Ka qenë garë e mirë, sidomos në mot me diell në lëshimin e dytë”, ka thënë Shiffrin, që në lëshimin e parë pati kohë më të shpejtë vetëm për 0.31 sekonda.

“Ka qenë pak a shumë ashtu siç e prisja, jo lehtë, sepse e dija se garueset tjera do të bënin lëshime të mira dhe nuk kisha zgjidhje tjetër. Duhej të vazhdoja”, ka thënë amerikania.

Shiffrini dhe Colturi tani zënë pozitën një dhe dy në garat e sllallomit dhe në renditjen e përgjithshme.

Për Shiffrinin ndërkohë ishte fitorja e 66-të në Kupë të Botës në disiplinën e sllallomit dhe e 103-ta në përgjithësi. Që të dyja këto shifra janë rekorde në vete.

Kupa e Botës vazhdon në Kolorado vikendin e ardhshëm, me garat e disiplinës sllallom dhe sllallom i madh.