Sporte të tjera

Shpallet lista e Kosovës për ndeshjet vendimtare për kualifikim në Evropian

Hendboll

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll i luan javën e ardhshme dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2026.

Kosova e synon kualifikimin, që do të ishte sukses historik. Për këtë i duhen pikët në ndeshjet me Ishujt Faroe në Prishtinë dhe me Holandën në udhëtim.

Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi, të mërkurën shpalli listën e hendbollistëve në të cilët llogarit për këto dy sfida. Ai bazohet në lojtarë tashmë të konfirmuar, ndërsa emër i ri në ekipin e zgjeruar është ai i Amar Muqollit. Hendbollisti i talentuar luan për Besa Famgasin dhe deri më tani ishte te Kosova U18. Në përfaqësuese kthehen Arbios Mushkolaj e Olsi Mulaj. Në ndeshjet e kaluara Mushkolaj ishte i lënduar, derisa Mulaj ishte me Kosovën U18.

Përfaqësuesja grumbullohet të dielën mbrëma në Prishtinë.

Ndeshja Kosovë - Ishujt Faroe është më 8 maj nga ora 20:15, në Pallatin e Rinisë.

Ndeshja me Holandën është më 11 maj në 's-Hertogenbosch.

Në Grupin 6 të fazës së dytë kualifikuese, Ishujt Faroe janë në vendin e parë me pesë pikë. Nga katër i kanë Ukraina e Holanda, ndërsa Kosova i ka tri pikë. Gara në grup vlerësohet plotësisht e hapur.

Në nismë të kualifikimeve Kosova kishte pësuar 32:21 nga Ishujt Faroe në Torshavn më 6 nëntor të vitit të kaluar. Më 10 nëntor kishte barazuar 33:33 me Holandën, favoriten e grupit, në Prishtinë. Muajin e kaluar Kosova fitoi 31:30 ndaj Ukrainës në Prishtinë e më pas humbi nga e njëjta përfaqësuese me rezultat 36:25 në Lituani.

Kosovës i duhet fitorja ndaj Ishujve Faroe për të shpresuar në kualifikim. Varësisht nga rezultati në ndeshjet e tjera, mund t'i duhen pikë edhe nga ndeshja e fundit me Holandën.

Në Evropian kualifikohen përfaqësueset e dy vendeve të para në secilin grup dhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë nga tetë grupe sa janë gjithsej. Pikërisht prej vendit të tretë Kosova e kërkon suksesin historik.