Kiana Kryeziu dhe Drin Kokaj janë shprehur të gatshëm dhe të motivuar për ta përfaqësuar në mënyrën më të mirë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore.
Kryeziu e Kokaj janë skitarët që garojnë për Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina” që mbahen 6 deri më 22 shkurt në Itali.
Të hënën Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur konferencë për shtyp në të cilën është bërë prezantimi zyrtar i ekipit të Kosovës që garon në Lojërat Dimërore.
Kiana Kryeziu në Lojëra Olimpike paraqitet për herë të dytë. Debutoi katër vjet më parë në Pekin. Ajo do të garojë në tri disiplina të ndryshme të skijimit alpin.
Kiana ka falënderuar institucionet për përkrahjen. E ka falënderuar edhe babanë, që e ka edhe trajner.
“Kjo është vazhdimësi e karrierës sime. Kam qenë 17-vjeçare në Pekin dhe kam garuar vetëm në një disiplinë, në disiplinën e sllallomit të madh. Tash pas katër vjetëve, me shumë punë dhe shumë përkushtim, ia mundësova vetes me rezultate që të garojë në tri disiplina. Gjithçka është rrjedhojë e punës, përkushtimit dhe mbështetjes së palëkundur. Pres rezultate të mira, pres një paraqitje shumë më të mirë se herën e kaluar dhe një përfaqësim sa më dinjitoz për shtetin”, ka thënë Kiana Kryeziu.
Drin Kokaj në Lojëra Olimpike Dimërore garon për herë të parë.
“Është hera e parë që e përfaqësoj Kosovën në ngjarjen më të madhe, në Olimpiadë. Shpresoj që përfaqësimi të jetë në nivel sa më të mirë”, ka thënë Kokaj.
Për përgatitjet e bëra dhe përkrahjen që kishin skitarët, folën presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi.
Kelmendi ka thënë se skitarët kosovarë asnjëherë nuk kanë qenë më mirë të përgatitur se tani. Ai pret që rezultatet të jenë më të mira se në pjesëmarrjet e kaluara.
Kosova garon për herë të tretë në Lojëra Olimpike Dimërore. Rezultatin më të mirë deri më tani e ka me Albin Tahirin në kombinim alpin, katër vjet më parë. Tahiri, tashmë i tërhequr nga skijimi, ishte renditur i 15-ti. Një plasman i tillë nga Kryeziu apo Kokaj, do të ishte rezultat shumë i mirë për Kosovën.