Drin Kokaj, Klos Vokshi, Kiana Kryeziu dhe Lirika Deva kanë plotësuar pesë kriteret për paraqitje në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, që mbahen nga 6 deri më 22 shkurt.
Por vetëm dy prej tyre do ta kenë mundësinë ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore.
Kosova do të përfaqësohet me një skitar dhe një skitare.
Garuesit e Kosovës i zhvillojnë në ditët në vijim garat e fundit kualifikuese, ndërsa të hënën Federata Ndërkombëtare e Skitarisë njofton Federatën Skitare të Kosovës dhe Komitetin Olimpik të Kosovës për pikët e fituara nga garuesit.
Përzgjedhja në fund bëhet nga Federata Skitare e Kosovës.
Kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi, ka thënë se avantazhin e kanë Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu.
“Janë duke luftuar katër garues për primat, pasi vetëm dy do të shkojnë. Është Kiana, Lirika, Klosi dhe Drini. Katër garuesit janë në gara që dy muaj. Këto ditë i kanë edhe garat e fundit dhe më 18 janar FIS-i mbyll ciklin olimpik. Katër garuesit kanë arritur normën për paraqitje në Lojërat Olimpike Dimërore ‘Milano Cortina 2026’. Një skitar dhe një skitare do ta përfaqësojnë Kosovën. Drini dhe Kiana për momentin janë në avantazh, por mund të ndryshohet sepse janë afër me pikë, por këta dy janë në avantazh”, ka thënë Kelmendi për KOHËN të mërkurën.
Në Lojërat Olimpike Dimërore, Kosova deri më tani nuk i është afruar medaljes. Në Lojërat Olimpike Verore, Kosova i ka plot pesë medalje olimpike, tri prej tyre të arta. Të gjitha pesë medaljet janë fituar nga xhudistet.
“Nëse arrihet pozita e 40-të, do të ishte sukses në bazë të infrastrukturës sonë. Garuesit tanë kanë marrë pjesë në kampe të ndryshme që nga vera. Ka pasur zhvillim nga ana e tyre. Edhe mjetet financiare nuk u kanë munguar. Por ne po penalizohemi shumë shkaku i infrastrukturës. Megjithatë presim paraqitje të mirë në Lojërat Olimpike”, është shprehur Kelmendi.
Edhe Shqipëria do të ketë dy përfaqësues në Lojërat Olimpike në Milano dhe Cortina.
Madje është pretendente për të zënë vend në podium. Lara Colturi vlerësohet pretendente për të fituar medalje në Lojërat Olimpike, që do të ishte e para për Shqipërinë.
Shqipëria në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” i fitoi dy medaljet e para olimpike. Bëhet fjalë për dy të bronzta, historike, të cilat i fituan mundësit e natyralizuar, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev. Të dy janë nga republikat ruse, por që kanë vendosur të garojnë për Shqipërinë për shkak të mundësive më të mëdha.
Në Lojërat Olimpike Dimërore, Kosova rezultatet më të mira i kishte me Albin Tahirin, që tashmë i ka dhënë fund karrierës.