Modelja dhe prezantuesja e njohur Tyra Banks e ka paditur platformën Netflix për shpifje, duke pretenduar se intervista e saj në dokumentarin “Reality Check: Inside America’s Next Top Model” është manipuluar për të krijuar një përshtypje të rreme te publiku, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Sipas padisë së dorëzuar në një gjykatë federale në Los Angeles, Banks u intervistua për më shumë se tri orë e gjysmë dhe gjatë bisedës mori përgjegjësi për disa nga vendimet e diskutueshme të emisionit. Megjithatë, nga intervista e saj u transmetuan vetëm 16 minuta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Përgjegjësia që mori zonja Banks mbeti në dhomën e montazhit. Ishte aty, por shikuesve nuk iu dha kurrë mundësia ta shihnin”, shkruajnë avokatët e saj.
Banks po kërkon dëmshpërblim nga Netflixi, regjisorët Daniel Sivan dhe Mor Loushy, si dhe kompania “EverWonder Studio”.
Dokumentari trajton kritikat që ka marrë ndër vite emisioni “America’s Next Top Model” të cilin e ka prezantuar Banks, i cili u transmetua për 24 sezone. Programi është kritikuar për turpërim të pjesëmarrëseve për pamjen fizike, manipulim dhe sfida të konsideruara problematike.
Padia pretendon se dokumentari është montuar në mënyrë selektive për ta paraqitur Banks sikur kishte dijeni për një rast sulmi seksual ndaj një konkurrenteje dhe po përpiqej ta shmangte temën gjatë intervistës.
“Të paditurit e montuan serialin e Netflixit në mënyrë që të dukej sikur zonja Banks e dinte se po pyetej për një sulm seksual dhe po përpiqej qëllimisht t’i shmangej temës”, thuhet në padi.
Sipas avokatëve të saj, Banks nuk ishte pyetur për këtë rast gjatë intervistës dhe nuk ishte kontaktuar për verifikimin e fakteve apo për t’iu përgjigjur akuzave të ngritura nga persona të tjerë që morën pjesë në dokumentar.
Ata pretendojnë gjithashtu se asaj iu dha mundësia ta shihte dokumentarin vetëm një ditë para publikimit të tij, më 16 shkurt.
“Po të kishte ditur se këta persona kishin rol kaq të madh në formësimin e dokumentarit dhe se ajo ishte përjashtuar nga ky proces, do ta kishte kuptuar se po përgatitej një kurth ndaj saj. Nuk do të kishte marrë pjesë”, thuhet në padi.
Sipas avokatëve të Banks, pas publikimit të dokumentarit reagimet publike kanë qenë të ashpra dhe të drejtuara kryesisht ndaj saj, ndërsa edhe biznesi i saj i akulloreve në Sidnei të Australisë është bërë objekt i komenteve negative në internet.
“Çdo diskutim tjetër rreth ‘America’s Next Top Model’ është mbytur nga një akuzë për të cilën asaj nuk iu dha mundësia të përgjigjej. Kjo padi është përgjigjja e saj”, shkruajnë avokatët.