Garuesit e SHBA-së kanë dominuar në ditën e fundit të Kampionatit Botëror të atletikës, që të dielën përfundoi në Tokio.
Kjo nuk ishte asgjë e re në fakt. Amerikanët kanë dominuar gjatë gjithë Botërorit që filloi më 13 shtator. Dhe kanë fituar plot 16 medalje të arta që është rekord sa i takon ngjarjes globale. Amerikanët i kishin edhe pesë të argjendta e pesë të bronzta. Pra plot 26 medalje gjithsej.
Vendi i dytë më i suksesshëm në Botëror ishte Kenia me shtatë të arta, dy të argjendta e dy të bronzta.
Nga dy të arta i fituan Holanda, Botsuana, Zelanda e Re, Spanja, Suedia e Portugalia. Ndërkohë medalje fituan plot 53 shtete.
Kosova u përfaqësua me Gresa Bakraçin, që nuk avancoi nga kualifikimet në 1500 metra, ndërsa Shqipërinë e përfaqësoi kubanja e natyralizuar, Yipsi Moreno, që dështoi të avancoi në hedhje të çekanit.
Amerikania Melissa Jefferson-Wooden mund të vlerësohet ylli kryesor i Botërorit në Japoni. Ajo i fitoi tri të arta në sprint. Jefferson-Wooden është kampione e botës në 100 metra vrapim, në 200 metra dhe në stafetën 4x100 metra. Sprinteri amerikan, Noah Lyles i kishte po ashtu tri medalje, prej tyre dy të arta. Lyles doli kampion në 200 metra dhe në 4x100 metra, ndërsa në 100 metra fitoi medaljen e bronztë.
Tri medalje i fitoi edhe Femke Bol e Holandës, por vetëm një prej tyre të artë. Nga dy të arta i kanë fituar Beatrice Chebet e Kenisë, Busang Collen Kebinatshipi i Botsuanës, Lynna Irby-Jackson e SHBA-së, Maria Perez e Spanjës dhe Sydney McLaughlin-Levrone e SHBA-së.
Armand Duplantis po ashtu shkëlqeu në Botërorin në Tokio. Ai fitoi të artën në kërcim me purtekë, ndërsa vendosi rekord të botës për herë të 14-të. Atleti që përfaqëson Suedinë fitoi të artën me kërcim prej 6 metra e 30 centimetra. Janë vendosur edhe shumë rekorde të Kampionateve Botërore.
Atletë të rinj dolën në skenë, yje të shumta janë konfirmuar e një numër i atletëve e kishte garën e fundit të madhe.
Me medalje është përshëndetur legjenda e atletikës nga Xhamajka, Shelly-Ann Fraser-Pryce. 38-vjeçarja ishte pjesë e stafetës së Xhamajkës që fitoi medaljen e argjendtë në 4x100 metra.
Vetëm Fraser-Pryce në të kaluarën kishte fituar tri të artat e sprintit në Botërorin e njëjtë. Këtë e kishte arritur në vitin 2013, ndërsa tani këtë sukses e ka edhe amerikania Jefferson-Wooden.
“Është e pabesueshme të kthehem në shtëpi me tri të arta. Kam shënuar emrin tim në librat e historisë sërish. Jam në vendin ku dua të jem. Jam e lumtur që i kam realizuar synimet individuale e më pas edhe synimin me vajzat e tjera”, ka thënë Jefferson-Wooden pasi fitoi të artën në stafetën 4x100 metra.
Legjenda nga Xhamajka, Fraser-Pryce pensionohet me dhjetë medalje ari nga Kampionatet Botërore dhe tri nga Lojërat Olimpike. Ka edhe plot medalje tjera të mëdha.
“E dini që kam nisur në Japoni në vitin 2007”, ka thënë Fraser-Pryce, duke iu referuar Botërorit në Osaka. “Është fantastike të garosh me atletet e reja, mbretëreshat e së ardhmes”.
Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Sebastian Coe, ka lavdëruar edicionin e 20-të të Botërorit. E ka cilësuar të jashtëzakonshëm, ndërsa ka falënderuar njerëzit e Tokios për atmosferën e krijuar në stadium.
“Është një Botëror për gjenerata. Ka shumë kujtime të jashtëzakonshme”, ka thënë Coe.
Ai ka përmendur garat në maratonë. Te meshkujt Alphonce Simbo i Tanzanisë fitoi para gjermanit Amanal Petros. Por në një garë të jashtëzakonshme fituesi u caktua vetëm me fotofinish, njëjtë si në plot gara të tjera.