Sport

Trajnerët “ilegalë” mbesin me duar në xhepa

Iliri mezi ia ka dalë t’i përthekojë shpenzimet e dy muajve të fundit. Druan se do të hyjë edhe në muajin e tretë me radhë me minus 250 euro të hyra mujore. 

Kjo është paga që e merrte deri më 15 mars si trajner në një shkollë të regjistruar futbolli për moshat e reja. 

“Unë jam i martuar dhe kam përgjegjësinë e mbajtjes së familjes. Gjysmën e pagës së arsimit si mësimdhënës – pra 250 euro e ndaj për shlyerjen e këstit të kredisë”, thekson Iliri, emër i ndryshuar nga redaksia për shkak se frikësohet se mund t’i hakmerret pronari i shkollës së futbollit, transmeton KOHA.

“Me pjesën e mbetur të pagës së arsimit, mezi mbuloj shpenzimet elementare të familjes. Paga si trajner në shkollë private ma lehtësonte menaxhimin e shpenzimeve mujore, megjithëse nuk paguheshim gjatë pushimeve verore dhe dimërore kur mbyllej shkolla”. 

“Ne jemi goditur më së rëndi” 

Iliri është një prej dhjetëra trajnerëve të shkollave të futbollit gjithandej Kosovës, të cilët nuk janë të regjistruar tek autoritetet shtetërore. Pronarët nuk duan të marrin përsipër hisenë e tyre të mbulimit të tatimit në pagë. 

Por kësaj situate ia kanë parë më së shumti sherrin vetë trajnerët “ilegalë”, si Iliri, të cilët tani nuk mund të aplikojnë për të përfituar së paku 130 euro pagë nga pakoja qeveritare për punëtorët e sektorit privat të mbetur pa punë pas vendosjes së masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. 

Iliri ka dalë për herë të fundit te fusha në fundjavën e mesmarsit, kur Qeveria doli me masa kufizuese pas diagnostikimit të rastit të parë me virusin me kurorë të premten e 13 marsit. Iliri edhe ashtu nuk kishte punuar më shumë se dy javë punë pas kthimit të fëmijëve në fushat e blerta në fillimmars.