Disa minuta pa nisur ndeshja në mes të Prishtinës dhe Ferizajt, një numër i vogël i grupit të tifozëve “Plisat” vendosën transparentin e tyre. Krijuan një rresht të vogël te plateja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe nisën t’i këndonin klubit të tyre të zemrës, Prishtinës.
Nuk e kishin problem se nga ajo pjesë nuk shihej fusha e arenës kryesore në vend, “Fadil Vokrri”.
Edhe pse në distancë nga stadiumi, zëri dhe tupanët dëgjoheshin goxha shumë.
Ndeshjet e futbollit në Kosovë është vendosur të luhen pa praninë e shikuesve në stadiume, por tifozët prishtinas nga plateja pak ditë më parë përkrahën klubin e tyre të zemrës në të njëjtën formë edhe në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës kundër Drenicës. Ishte kjo ndeshja që shënoi edhe rikthimin e futbollit pas afro tre muaj pushim shkaku i koronavirusit.
Njëjtë ishte edhe në stadiumet e tjera të Kosovës, ku përkrahja nuk mungoi në forma të ndryshme.
Në fakt, një gjë të tillë ua mundësojnë stadiumet e hapura në Kosovë.
Anëtari i “Plisave”, Kushtrim Ramadani, ka thënë se do të gjejnë forma të ndryshme për ta përkrahur ekipin e tyre.
“Ne do të gjejmë mënyra të ndryshme që të jemi sa më afër dhe ta përkrahim ekipin tonë të zemrës, në mënyrë që lojtarët të mos ndihen të vetmuar”, ka thënë Ramadani.
Prishtina e fitoi ndeshjen e parë kampionale kundër Ferizajt (8:1) pas rikthimit të futbollit.
Në shenjë falënderimi për përkrahje, futbollistët u ngjitën në krye të pjesës së tribunës jugore dhe përshëndetën tifozët e grumbulluar.
Edhe ballkonet e shtëpive janë bërë tribuna
vepruan javën e shkuar, e po ashtu në numër edhe më të madh të dielën, shikuesit e Ballkanit. Numri i shikuesve jashtë rrethojave të stadiumit në Suharekë, duke shikuar ndeshjen Ballkani – Drenica ishte goxha i madh. Njëjtë ndodhi edhe në Gjilan, ku shikuesit e Dritës ishin ngjitur në një objekt përballë për të shikuar ndeshjen e së shtunës që klubi i tyre e fitoi 1:0 kundër Flamurtarit.
Edhe pse në numër të vogël, përkrahja të shtunën nuk i mungoi as Llapit, që mposhti Dukagjinin me rezultatin 4:1. “Legjendat” ishin të pranishëm në ballkonin e një shtëpie në afërsi të stadiumit “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ishte i pari që theksoi se Ministria e Shëndetësisë duhet të marrë vendim sa më parë t’i lejojë shikuesit të jenë të pranishëm në tribunat e stadiumeve. Ai ka thënë se ka mundësi që të lejohen në numër të kufizuar.
I pari që ka hedhur publikisht idenë që të lejohen shikuesit të kthehen në tribuna është trajneri i Llapit, Tahir Batatina...