Futbollistët e klubeve të Superligës së Kosovës nuk parashihet t’iu nënshtrohen testeve për koronavirus.
Kështu ka thënë për KOHËN të hënën ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, derisa kjo është konfirmuar edhe nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Dumoshi ka thënë se testet do të bëhen sipas nevojës.
“Nuk parashihet të bëhen teste për lojtarët. Do të ketë sipas nevojës por jo në këtë fazë”, ka thënë Dumoshi.
Ministria e Shëndetësisë të hënën ka dhënë leje që klubet t’i rifillojnë stërvitjet qysh sot, por në udhëzimet për vazhdimin e procesit stërvitor nuk kushtëzohet të bëhen teste për lojtarët.
“Do t’i përmbahemi vetëm udhëzimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë shkurt Agim Ademi.
Në të vërtetë nga krerët e FFK-së ishte thënë se mund të ketë testime, por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë tashmë. Komiteti Ekzekutiv i FFK-së të hënën ka caktuar 7 qershorin si datë për vazhdimin e kampionatit elitar. Deri në fund të këtij sezoni kanë mbetur edhe 11-të xhiro, derisa janë edhe ndeshjet gjysmëfinale të Kupës si dhe finalja.