SOT

Edhe në pushime verore fëmijët angazhohen me lexim të librave

Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në degën “Përkujtimore”, në lagjen “Taslixhe”, edhe në pushimet verore vazhdon të jetë e hapur për të gjithë fëmijët e Prishtinës.

Shumë prej fëmijëve nuk duan që pushimet verore të kalojnë pa lexuar ndonjë libër, e kjo degë është mundësia më e mirë për të rezervuar një titull e ta marrësh me vete kudo që e kalon verën.

Erika Karavidaj, nxënëse e klasës së 5-të, në këto pushime ka vendosur të përfundojë serinë “Ditari i Gregut”, nga 12 libra, asaj i kanë mbetur edhe 4 të tjerë për ta përfunduar të gjithë serinë.

“Unë pushimet verore i kam kaluar shumë mirë duke lexuar libra, duke vizituar të afërmit e vendet e huaja. Nga librat nuk duhet pushuar sepse të ushqejnë mendjen. Deri tani kam lexuar serinë ‘Ditari i Gregut’, ka qenë vetë ideja ime në pushime të lexoj këtë libër. Më kanë mbetur edhe 4 libra për ta përfunduar gjithë serinë”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se pushimet në det bashkë me familjen i kanë rezervuar në muajin gusht, e sot ajo erdhi në bibliotekë ta marrë një titull të ri që kohën atje ta kalojë me lexim.

“Mendoj se do të ia filloj tani me ndonjë libër nga autor të huaj por mundem edhe dikë vendës. Në bibliotekë nuk lexoj por zakonisht i marr këtu dhe në shtëpi i lexoj. Edhe në det kur shkoj sigurohem të marr libra të lexoj atje dhe kur më shohin të tjetër t që lexoj të gjithë më shikojnë dhe ndihem krenare që leximin e kam në qejf”, ka thënë Karavidaj.

Afërdita Pacolli është bibliotekarja nikoqire këtu, e cila përpos që mirëpret fëmijët edhe u sugjeron tituj të rinj për lexim.

“Në bibliotekën tonë gjithmonë është e hapur për lexuesit, për pushime verore lexojnë qysh në fillim ata që kur përfundojnë shkollën marrin libra, pastaj dikur kah mesi pushimeve ndalet pak fluksi sepse shkojnë në det ose ju vijnë familjarët nga diaspora dhe më pas interesimi shtohet kah fundi i pushimit. Zakonisht kërkojnë edhe sugjerime nga unë, atyre të ciklit të ulët zakonisht u jap libra me ilustrime që të jenë më të dashur me librin, ka thënë Pacolli

Ajo shton se edhe mësimdhënësit tani si detyrë gjatë pushimeve obligojnë fëmijët të lexojnë libra, e fluksi më i madh i fëmijëve për në bibliotekë është menjëherë pas përfundimit të shkollës dhe në prag të fillimit.

“Unë si bibliotekistë u kisha sugjeru fëmijëve të lexojnë sa më shumë libra e romane, secili prej tyre jep mesazhin e vet, secili ka rëndësinë dhe janë të nevojshëm për ta, nganjëherë fëmijët ankohen kur i shohin librat voluminoz po ka prej tyre që i marrin me rëndësi është të krijojnë edukatë leximi. Ka edhe sugjerime nga mësimdhënësit çdo muaj detyrohen të lexojnë nga një libër po ashtu edhe në pushime i japin ide për lexim të librave”, ka shtuar ajo.

Sipas bibliotekares, fëmijët kohëve të sotme nuk frekuentojnë si më parë bibliotekat për lexim, sepse shumë prej tyre kanë komoditetin në shtëpi për lexim.

“Interneti ka bërë të vetën është në rend të parë, e leximi në rend të dytë, më herët ka qenë më ndryshe. Rruga për bibliotekë është shumë e bukur dhe u kisha sugjeru të gjithëve të vijnë në bibliotekë sepse e di që secili tani i ka kushtet në shtëpitë e tyre kanë dhoma por leximi në bibliotekë është ndryshe. Në pushime verore zakonisht vetëm i marrin librat dhe i lexojnë në shtëpi sepse edhe temperaturat e larta e kanë bërë të vetën, disa lexojnë edhe këtu por janë të paktë. Unë i ftoj fëmijët të vijnë në bibliotekë të lexojmë bashkë, unë jam në gjendje edhe të u lexoj libra nëse duan vetëm të vijnë këtu”, ka deklaruar Pacolli.

Biblioteka së fundmi herë po bashkëpunon edhe me ato të degëve të tjera duke ftuar grupe-grupe, dhe njëkohësisht fëmijët e shkollave të ndryshme kanë mundësinë të njihen me njëri-tjetrin përmes bibliotekës dhe të flasin për titujt që kanë lexuar deri më tani.