I njohur si “Livadhet e Strazhës”, ky vend në Kaçanik ka një simbol të veçantë që mbart kujtime brezash, një lis 200-vjeçar nën hijen e të cilit banorët kanë kaluar fëmijërinë e tyre.
Këtë lis të lashtë, banorët e Strazhës e kanë shndërruar në një atraksion natyror. Nga njëra degë e tij tashmë buron ujë, një instalim i improvizuar me kujdes nga vendësit, që lë përshtypjen e një burimi të vërtetë natyror.
“Njërit prej vendësve tanë i lindi një ide që në këtë lis ta bëjë një improvizim mjaft interesant që t’ia jap edhe një bukuri këtij lisi e kësaj natyre të veçantë që e kemi në fshatin tonë. Madje edhe neve si fshat na është dukur mjaft interesant, sepse tash edhe ne që kemi mbet këtu në fshat, vijmë më shpesh e freskohemi te ky lis atraktiv, të cilin kushdo që e ka parë në fillim kanë menduar që është burim i ujit nga dega e tij”, ka thënë Nexhmedin Lika.
Lika rrëfen se dikur, kur tokat punoheshin, ky lis ishte vendi ku pushonin pas punëve të rënda.
Sot, më shumë se nga banorët rezidentë, kjo zonë vizitohet nga dashamirës të natyrës.
“Ky lis është 200 vjet i vjetër. Për neve si banor ky lis e ka një histori të veçantë, sepse siç na kanë treguar prindërit tanë e të moshuarit e fshatit ky lis ka shërbyer si hije që ndryshe i kanë thënë si mriz, ku i kanë mrizu kafshët. Pastaj kur kanë kosit nëpër këto livadhe e kur kanë mbjell diçka, janë shtrirë nën degët e këtij lisi për të pushuar. Sot ajo që na mundon është fakti që më shumë ka vizitor në Strazhë sesa banor rezident”, ka shtuar ai.
Për t’u ardhur në ndihmë vizitorëve, banorët kanë rregulluar edhe burimet e ujit që zbresin nga lartësitë e Strazhës.
Vetëm pak metra nga lisi ndodhet një krua i ndërtuar me dru, që i përshtatet plotësisht natyrës përreth.
“Ky krua që po e shihni është pjesë e atij lisi që e pamë më herët bashkë dhe e ka të njëjtin burim uji si lisi. Këtë pjesë këtu e shfrytëzojnë sidomos vikendit vizitorët që vijnë nga vende të ndryshme. Është një natyrë e mrekullueshme dhe të jep nje freski. Mendoj që secili fshat mund të bëjë atraksione të tilla në vendet e tyre. Me materiale që i përshtaten natyrës mund të krijojnë diçka të bukur si ky krua i punuar nga ne banorët me dru”, ka thënë ai.
Mes atyre që po shijonin këtë përvojë ishte edhe një vizitor nga Hani i Elezit, i cili kishte ardhur me familje.
“Është kënaqësi e madhe t’i vizitosh këto male të bukura të Strazhës. Unë vij nga Hani i Elezit me familjen time sa herë që kam mundësi. Është një ambient fantastik me natyrë e ajër të pastër. Ja vlen që të dalim sa më shumë në natyrë të tillë e të shijojmë ujin që burojnë nga lartësi të tilla si në këtë rast që unë mora ujë për vete dhe për pjesën tjetër të familjes që më kanë shoqërur sot”, ka thënë Musli Bushi.
Banorët e Strazhës shprehen të vendosur për të mos u ndalur me iniciativa të tilla.
Ata synojnë që përmes ideve kreative dhe përkushtimit ta kthejnë fshatin e tyre në një destinacion gjithnjë e më të frekuentuar turistik.