Shtojca për Kulturë

Vërshimi i klerikëve shqiptarë në Kotorr e Dalmaci

Dubrovniku, Herceg Novi e Kotorri në hartën e Giovanni Francesco Camocios pas vitit 1575

Dubrovniku, Herceg Novi e Kotorri në hartën e Giovanni Francesco Camocios pas vitit 1575

Numri i klerikëve shqiptarë në Bokë të Kotorrit, por edhe në Dalmaci dhe hapësirat venedikase, apo në vetë Venedikun ishte shumë i madh. Në Venedik mendohet se ishte 14 për qind e të gjitha profesioneve që i ushtronte komuniteti arbër në qytetin lagunor. Kleri shqiptar në Kotorr duket të ishte më i madhi nga të huajt dhe kjo i atribuohet edhe kër­cënimit dhe vendosjes otomane në Shqipëri. Në fakt, kjo prezencë e klerit shqiptar ishte edhe me perimetër më të gjerë adriatikas apo rajonal dhe shënonte një lidhje më të gjerë

Peshkopët me origjinë shqiptare dhe kleri tjetër nuk ishin vetëm bartës të funksioneve në Kotorr, por ata edhe qëndruan atje me raste të ndryshme. E pamë që Lazar Albanenis kishte qenë me një rast të veçantë në Kotorr më 1166. Pas tij përmendet më 1396 edhe peshkopi Ivan që vinte nga Triestja, por mbante titullin episcopus arbanensis. Në fakt, bartësi i këtij titulli shënon dioqezën shqiptare që ishte formuar në gjysmën e shekullit XII mbi Krujë dhe që më vonë ishte shuar duke iu bashkëngjitur asaj të Durrësit. Kjo kishte ndodhur gjatë peshkopit të fundit të kësaj dioqeze Mark Skurit.

Është e qartë se në Kotorr, përveç në pjesën pesh­kopale, përmendën shqiptarët edhe në institucionin e vika­rit.

Vikari, madje edhe vikari i jashtëm, janë institucione që janë me interes për studim. Duket që ato u krijuan më qartazi gjatë shekullit XV, kur në Dioqezën e Kotorrit e gjetiu filluan të dalin gjërat nga kontrolli. Kështu, bazuar edhe në Farlatin, filloi së paraqituri edhe funksioni i vikarit të jash­tëm, sikurse në kohën e peshkopit Kontareno, që kishte emëruar një vikar të tillë për pjesët e dioqezës që mbulonin hapësirat nën shtetin serb të despotit Đurađ.

Më herët në kapacitetin e vikarit del një Mihali nga Durrësi, sipas shënimeve nga viti 1456 ku në margjinat e librit të akteve shënohet: in libro actorum Michaelis de Durachio vicarii ad cartas januarii 1456.

Pastaj përmendet edhe Vicarius faraneus Tanushi, që sipas Farlatit, më shumë se një vikar gjeneral, ishte de facto një vikar i jashtëm. Tanushi mbante një funksion të veçantë në principatën e Serbisë si udhëheqës i një distrikti apo qarku kishtar me përgjegjësi ndaj peshkopit lidhur me çështjet, si: shërbesa liturgjike, obligimet sakramentale, mbi­­kë­qyrje e sinodeve kishtare, mbarëvajtja e ekonomisë kishtare, raportimi vjetor për gjendjen në qarkun e tij e të tjera. Por, ai nuk e kishte të drejtën e emërimit të klerit, pasi këtë të drejtë e kishte të rezervuar peshkopi.

Një shqiptar përmendet edhe kur bëhet fjalë për një titull tjetër interesant në hierarkinë kishtare – Archi­da­coni. Ky titull kishte fituar rëndësi, varësisht nga rre­thanat kur dëshirohej t’i fuqizohej apo t’i kontestohej pushteti peshkopit. Por, ai zgjidhej nga kapitoli i katedrales dhe vërtetohej nga vetë peshkopi. Kështu, një diakon shqip­tar përmendet në një kontekst dhe ankesë kur kanonikët e Kotorrit mblidhen pa dijen e arkidiakonit, i cili e kishte kompetencën e thirrjes së mbledhjes. E tëra është shpjeguar në kontekstin që kanonikët zakonisht i kanë ruajtur privi­legjet e tyre, edhe financiare, duke mos pranuar aderimin e të huajve nga anash në këto kuvende. Ndaj, edhe kështu shpjegohet kjo mosmarrëveshje dhe mospërmendja e emrit të këtij shqiptari, i cilësuar si “i huaj” në këtë kon­frontim.

Si frat laik në Manastirin e Shën Gjergjit gjendet edhe Pali, i biri i Pjetrit të ndjerë nga Shkodra. Ai ishte pranuar nga murgu Bolica, që shpeshherë përmendet ndër burime si oeconomus problematik i këtij manastiri në dekadencë. Pali obligohej që me një pagë vjetore prej 12 perperësh, për 6 vjetësh të qëndronte dhe të shërbente në manastir, ku do të ushqehej, por veshmbathjen duhej ta siguronte vetë.

Sa i përket manastireve, është interesante se manastiri i parë domenikan në Kotorr (nga vitet 1260-1271) kishte për ktitor Buqan, qytetarin kotorras, që i kishte dhuruar ndërtesën edhe disa ara te fra Konstantini nga Durrësi.

Është për t’u theksuar se, edhe përkundër faktit se kle­ri katolik ishte ndërkombëtar dhe mbahej përmes universalizmit të kishës katolike –  e që shihet edhe nga prezenca e madhe e klerit të huaj në Kotorr, e dukshme edhe nga agjenda noteriale dhe Statuti – prapëseprapë fër­kimet e vendasve me të huajt janë evidente.

Rregullorja e vitit 1379 për të huajt nëpër kisha

Kështu, nga rregullorja statutore e vitit 1379, urdhë­rohet që, për shkak të dëmeve që janë krijuar nga niko­qirllëku i pakujdesshëm i të huajve nga Shqipëria nëpër kisha, në të ardhmen asnjë patron kishtar të mos lejonte që për abat, murg, apo udhëheqës të kishës të ketë një të huaj. Dënimi për mosrespektim të kësaj rregulle ishte i lartë, plot 100 perperë së bashku me humbjen e privilegjeve në institucionin kishtar, përfshirë edhe të drejtën e votës.

Një hezitim për përfshirjen e të huajve shihet edhe nga kërkesa që të parët e qytetit ia drejtojnë Kapistranit, më 1455, ku i kërkojnë që t’i dërgojnë fretër françeskanë, por që preferojnë të jenë italianë e dalmatë, por jo boshnjakë.

Në fakt, vërshimi i klerikëve shqiptarë në Kotorr e Dalmaci duhet parë në dritën e zhvillimeve politike. Së pari, me një kornizë të njëjtë qeverisëse të Albanias Veneciane, mundësohet një lloj mobiliteti edhe i klerit katolik, por më vonë rrethanat ndryshojnë tërësisht me okupimet otomane, kur ndihet një ndrydhje e këtij faktori, që kërkon të gjejë një fat më të mirë.

Arsyet e tërheqjes së klerit shqiptar duhet kërkuar edhe në kushtet shumë të rënduara kur benefitet e mana­stireve dhe kishave të tyre nuk ishin më në gjendje t’i ushqenin e t’i mbanin dhe ata kërkonin shpëtim gjetiu.

Në Kotorr, po ashtu, u strehuan shumë shqiptarë pas Luftës së Dytë Shkodrane (1419-1423).

Kështu, në dokumente dhe akte noteriale, gjendet një numër i madh i klerit që mban veçorinë e spikatur albanenses, siç do të shihet në këtë tekst. I tillë ishte edhe Dominiku (Domenicus Albanenses) që paraqitet në Kotorr më 1332 e që më vonë shihet të ketë shkuar si prift në ujdhesën e Lastovës, nga aktet papale (Domincus Albanen­sium presbiter in Insula Lagusta).

Po kështu, në listën e fretërve të Frater Minor në Kotorr përmendet edhe Fra Gion nga Shkodra.

Kishte të tjerë që, po ashtu, zinin vende me rëndësi dhe poste të ndryshme në hierarkinë kishtare, por edhe të tillë që ishin në kalim e sipër. I tillë ishte Ivani nga Triestja, i cili u gjet në Kotorr më 1397, si peshkop i Albanias, që po qëndronte aty me detyrë të caktuar: që të bënte shpagesën e dëmit për vojvodën Sandal Hranić dhe gruan e tij Jelena Balsha, të shkaktuar nga fisniku malazez, Radić Cernojević.

Pas luftës së Shkodrës, të viteve 1419-1423, në Ko­torr, së bashku me refugjatë, u strehuan edhe mjaft klerikë nga Shkodra e Durrësi. I tillë ishte domenikani nga Shkodra Dhimitri, të cilit me qira iu pajtua shtëpia në Prqanj më 1443, pronë e manastirit “Shën Nikolla” në Kotorr. I njëjti, së bashku me murgj të tjerë, Bazilin e Licas dhe Miha Buqan, do të jetë nënshkrues në emër të këtij manastiri.

Në Kotorr gjeti strehim edhe kleriku ulqinak Sergji, si kapelan i mëvonshëm i Kishës së Shën Tripunit, më 1492.

Të njëjtin fat e kishte edhe një i mërguar nga Durrësi, diakoni Gjergj Romani, i cili ishte ngritur në kanonik nga peshkopi Faseolo, më 1458.

Kotorri si stacion i ndërmjetëm për fat më të mirë

Të tjerët shfrytëzonin Kotorrin si stacion të ndër­mjetëm duke kërkuar fatin më të mirë, siç kishte qenë rasti me Paskal Pribin nga Shkodra, i cili, me ndihmën e një ush­taraku venedikas në kështjellën e Kotorrit, arriti të shkonte në Venedik.

Shumë nga këta klerikë, që po kërkonin një fat më të mirë, qoftë si refugjatë, qoftë të larguar për shkaqe të rë­nduara ekonomike në dioqezat e tyre të degraduara nga lufta dhe skamja, ia mësynin Kotorrit, që duket se ishte i stërmbushur dhe kishte më pak mundësi t’i adoptonte këta, ndaj shpesh qytetet e tjera dalmate, sikurse Dubrovniku, dukeshin stacionet e ardhshme e më të favorshme në këto raste. Kështu, në Raguzë kishte mbaruar Dhimtër Spani, nga familja e njohur fisnike shqiptare.

Të tjerët kishin mërguar në Kosovë, në Prishtinë, ku kishte një bashkësi katolike apo edhe gjetiu.

Pas rënies së Ulqinit dhe Tivarit, shumë shqiptarë migruan në territoret venedikase, në Budvë dhe në Ko­torr. Atëherë, shumë shqiptarë, si njohës të terrenit dhe të gatshëm për t’u rebeluar kundër pushtimit otoman u im­po­nuan si aktorë kryesorë dhe ndërmjetës në planet ambicioze të politikave papale për t’i çliruar këto territore nga ndikimi otoman, sidomos nga fundi i shekullit XVI deri te Lufta e Kandisë. Por, Venediku ishte shumë i kujdesshëm në këto përpjekje duke mbrojtur politikat e status quos. Providuri në Kotorr ishte shpesh referencë në shumë nga këto epi­sode.

Numri i klerikëve shqiptarë në Bokë të Kotorrit, por edhe në Dalmaci dhe hapësirat venedikase, apo në vetë Venedikun ishte shumë i madh. Në Venedik mendohet se ishte 14 për qind e të gjitha profesioneve që i ushtronte komuniteti arbër në qytetin lagunor.

Siç thekson Krekiċi, kleri shqiptar në Kotorr duket të ishte më i madhi nga të huajt dhe kjo i atribuohet edhe kër­cënimit dhe vendosjes otomane në Shqipëri.

Në fakt, kjo prezencë e klerit shqiptar ishte edhe me perimetër më të gjerë adriatikas apo rajonal dhe shënonte një lidhje më të gjerë që ilustrohet edhe me shembujt në vijim. Në dhjetor të vitit 1332, “frater Sergius de Dulcigno” nga manastiri domenikan në Dubrovnik, së bashku me “frater Bartholomeus de Albania” nga manastiri i njëjtë, u morën vesh me "frater Jacobus Rille", të manastirit domi­nikan në Kotorr, si dhe me vëllanë e tij Paulus, lidhur me shlyerjen e disa borxheve të mbetura.

Storia rreth klerikut Tanush në Novobërdë

Interesante është edhe storia rreth klerikut Tanush në Novobërdë. Pas marrëveshjes së Smederevës, peshkopi Ma­rin Kontareno, më 26 nëntor 1435, i dha privilegjin të përzgjedhurit venedikas – “prezbiterit Tanush, banuesit të Novobërdo, dijecezës kotorrase” me kompetenca shumë të mëdha si vikar i përzgjedhur “ndaj të gjitha kishave dhe anëve të Novobërdos e Serbisë”. Këto kompetenca të gjëra përfshinin administrimin me kishat dhe klerin njëkohësisht, si dhe të zgjidhte kontekste, të pranonte anke­sa, të sillte vendime dhe në momente të caktuara ta zë­vendë­sonte peshkopin në vizitacione.

Por, ka ndodhur edhe fenomeni i kundërt – i klerit nga Boka e Kotorrit që ka lënë gjurmë të pashlyeshme his­torike, religjioze e kulturore duke shërbyer në hapësirat shqipfolëse katolike, me përfaqësuesit si Bolizza, Zma­jevich e të tjera.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë. Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë