Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Shansi i Luana Bajramit

Luana Bajrami

Luana Bajrami në filmin “Two People Exchanging Saliva” të nominuar për “Oscar”

Në tapetin e kuq të “Oscars” sonte pritet të parakalojë edhe aktorja e regjisorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami. Në mesin e filmave në garë për “Oscar” është edhe ai “Two People Exchanging Saliva” ku luan Bajrami. Është në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për “Academy Awards”. Në bashkëprodhimin midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, Bajrami luan rolin e Malaises. Është rol qendror në filmin bardhezi, me skenar dhe regji të dyshes Alexandre Singh dhe Natalie Musteata. Sipas sinopsisit, imagjinon një Paris distopik ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një grua e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punën në një butik magjepsës, ajo krijon shpejt një lidhje me një klient të pasur, Angine, duke ndezur zilinë e mbikëqyrëses së saj. Një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond të çuditshëm dhune të stilizuar, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Telluride të SHBA-së dhe mori Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”, i organizuar nga Instituti Amerikan i Filmit. Producente ekzekutive të projektit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.

“Këtë nderim të jashtëzakonshëm ua dedikojmë njerëzve të guximshëm të Iranit. Zemrat tona janë me të gjithë ata”, ishte shkruar në ueb-faqen e filmit, fill pas lajmit për nominim për “Oscar”, në janar. 
Kosova ka hyrë në vitin e tretë pa propozim për kategorinë e Filmit më të mirë ndërkombëtar. Më 2023 përbërja e atëhershme e Komitetit përzgjedhës erdhi në përfundim se s’ka film që i plotëson kushtet për kandidim për nominim në kategorinë e filmave ndërkombëtarë të “Oscar”. Më 2024, arsyetimi se QKK-ja kishte “probleme me e-maile” qe goditja e radhës, që shënoi mospraninë e Kosovës në listën e shteteve që dërguan kandidatët. Vjet serish u vlerësua se s’ka film që i plotëson kushtet. Suksesi i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscar 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër. Më 2021 ishte shënuar edhe një sukses kur “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim. E, tash së paku një aktore si Luana Bajrami, e njohur edhe si regjisore, tërthorazi çon zërin e Kosovës në “Oscars”
 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Lexo përditësimet tjera
“One Battle After Another” dhe “Sinners” konsiderohen si favoritë për trofeun kryesor në “Oscars”

Një garë e ngushtë për “Oscar”

Ceremonia e çmimeve prestigjioze “Oscar” që mbahet sonte (e diel) mund të duket e vonshme. Deri...