Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Një garë e ngushtë për “Oscar”

“One Battle After Another” dhe “Sinners” konsiderohen si favoritë për trofeun kryesor në “Oscars”

“One Battle After Another” dhe “Sinners” konsiderohen si favoritë për trofeun kryesor në “Oscars”

Për muaj të tërë, filmi i Paul Thomas Andersonit, “One Battle After Another”, kaloi pa probleme sezonin e çmimeve, duke fituar çmim pas çmimi. Por fitoret e “Sinners” dhe të aktorit protagonist, Michael B. Jordan, në ceremoninë “Actor Awards” – së bashku me disa zhvillime të tjera të fundit – i kanë dhënë garës për “Oscar” një rifreskim. Ajo që dukej si një fitore e sigurt në “Academy Awards”, mund të rezultojë në fund në një garë shumë të ngushtë për çmimin kryesor

Ceremonia e çmimeve prestigjioze “Oscar” që mbahet sonte (e diel) mund të duket e vonshme. Deri atëherë, do të ketë kaluar pothuajse një vit qëkur filmi “Sinners” tërhoqi vëmendjen e shikuesve, me t’u lansuar nëpër kinema në prill të vitit të kaluar. Disa nga filmat e nominuar për çmimin kryesor “Filmi më i mirë” kanë bërë fushatë që nga Festivali i Filmit në Cannes, në muajin maj. Por ana pozitive e një gare të tejzgjatur për “Oscar” ka sjellë edhe disa zhvillime të papritura në fund. Kur mendon për të njëjtët filma për një kohë të gjatë, mendimet mund të ndryshojnë. Për muaj të tërë, filmi i Paul Thomas Andersonit, “One Battle After Another”, kaloi pa probleme sezonin e çmimeve, duke fituar çmim pas çmimi. Por fitoret e “Sinners” dhe të aktorit protagonist, Michael B. Jordan, në ceremoninë “Actor Awards” – së bashku me disa zhvillime të tjera të fundit – i kanë dhënë garës për “Oscar” një rifreskim.

Ajo që dukej si një fitore e sigurt në “Academy Awards”, mund të rezultojë në fund në një garë shumë të ngushtë për çmimin kryesor. Votimi për “Oscars” ka përfunduar të enjten, më 5 mars.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“One Battle After Another” triumfoi në ceremonitë “Globi i Artë”, “BAFTA”, “Producers Guild” dhe “Directors Guild Awards”. Por rekordi i tij pothuajse i përsosur u trondit në ceremoninë e fundit, “Actor Awards”, ku ishte “Sinners” ai që fitoi çmimin kryesor.

Shanset për të fituar janë ende më të mëdha për filmin e Andersonit, “One Battle After Another”. Shoqata e producentëve të Hollywoodit, që ka përdorur një sistem votimi preferencial sikur ajo e Akademisë së Filmit, konsiderohet një nga treguesit më të besueshëm. Fituesit e tyre kanë përkuar me fituesit e “Oscars” në këta dhjetë vjetët e fundit.

Nga ana tjetër, çmimi i “Ansamblit më të mirë”, të cilin e ndan Shoqata e Aktorëve në Hollywood, ka një rekord më të dobët.

Në 31 vjetët e fundit, fituesi i “Actor Awards” është barazuar me filmin triumfues në ceremoninë “Oscar”, vetëm 15 herë. Megjithatë, fitorja e filmit “Sinners” në këtë kategori erdhi pikërisht në mes të votimit për çmim akademik. Ishte një kohë e mirë për t’u shfaqur dhe për të rënë në sytë e votuesve.

Pra, kjo garë duket sikur do të zhvillohet mes dy prodhimeve të studios filmike “Warner Bros.”.

Fillimi i sezonit të shpërblimeve e bën filmin “One Battle After Another” kandidatin kryesor. Por “Sinners”, edhe me një rekord prej 16 nominimesh për “Oscar”, konsiderohet t’i ketë shanset më të dobëta se filmi i Andersonit.

“One Battle After Another” është filmi i parë i Paul Thomas Andersonit pas një kohe të gjatë që zhvillohet në ditët e sotme, dhe pjesërisht për këtë arsye, të rrëmben dhe madje të godet në fytyrë në një mënyrë që filmat e tij të kaluar nuk e kanë bërë. Është një vepër profetike, hipnotizuese, shpeshherë qesharake dhe politike. Gjithashtu është një triler aksion i vendosur në një skenë epike, me shkëmbime të frikshme me armë zjarri, arratisje të guximshme në çatitë e ndërtesave dhe ndjekje makinash drithëruese, përfshirë një të tillë që zhvillohet në një rrugë në shkretëtirë dhe që duhet parë për t’u besuar. Leonardo DiCaprio luan rolin e Patit, një ekspert i eksplozivëve, ndërsa Teyana Taylor sjell një performancë të zjarrtë si e dashura e tij, Perfidia Beverly Hills, e cila është thellësisht e përkushtuar ndaj parimeve radikale të grupit. Gjysma e parë e filmit e kap shikuesin me nxehtësinë dhe vrullin e romancës së tyre të pamatur, si dhe me tensionin dhe rrezikun e punës së tyre, teksa ata vendosin bomba në gjykata dhe në zyrat e politikanëve që kundërshtojnë abortin. Perfidia bën një armik të fuqishëm, një kolonel ushtrie me emrin Steven J. Lockjaw; rol ky i luajtur nga Sean Penn, i cili jep performancë shqetësuese në film. Një lojë e errët, ndonjëherë perverse, vazhdon dhe gjithçka përfundon me tradhti dhe fatkeqësi; Perfidia zhduket, duke e detyruar Patin të fshihet me vajzën e tyre të porsalindur, ndërsa shumë nga pjesëtarët e “French 75” kapen ose vriten.

Regjisori Ryan Coogler njihet si një ndër figurat më me ndikim në kinemanë amerikane. Ai ka fituar zemrat e publikut dhe kritikëve me projektin filmik “Fruitvale Station”, ringjalljen e serisë “Rocky” me “Creed” dhe ka shkruar historinë me “Black Panther”. Me filmin “Sinners”, ai sfidon kufijtë e zhanrit horror dhe kërkon të ndryshojë mënyrën se si Akademia e Filmit, “Oscar”, i sheh këta filma. “Sinners” tregon historinë e binjakëve Smoke dhe Stack, të interpretuar mjeshtërisht nga Michael B. Jordan. Aktori portretizon dy role të ndryshme me aq thellësi sa është vështirë të besosh që është i njëjti person në të dy rolet. Krah tij, aktori i ri Miles Caton luan një karakter me nofkën “Preacher Boy”, një rol që po krahasohet me rolin që i solli famë aktorit Daniel Kaluuyas në filmin “Get Out”. Delroy Lindo, një nga aktorët më të nënvlerësuar të Hollywoodit, luan Slimin, një rol që kritikët e kanë cilësuar si “i fuqishëm dhe me shpirt”.

Lista e 10 projekteve të nominuara për “Filmin më të mirë të vitit” përfshin gjithashtu, “Sentimental Value” nga Joachim Trier, i cili mori shumë trofe nëpër festivale prestigjioze si Cannes dhe Çmimet Evropiane të Filmit. Gjithashtu në garë është filmi i “Hamnet” nga Chloe Zhao, trileri me spiunazh i Kleber Mendonça Filhos, “The Secret Agent” dhe “Bugonia”, i cili ribashkon aktoren Emma Stone me regjisorin Yorgos Lanthimos.

Netflixi ka zënë vend në listën e ngushtë me dy adaptime: “Frankenstein” i Guillermo del Toros dhe një dramë historike për jetën e një punëtori hekurudhor, “Train Dreams”. “Marty Supreme” me Timothée Chalamet në rolin kryesor dhe “F1” me Brad Pittin në rol protagonist, e plotësojnë listën e nominimeve.

Vitin e kaluar ishte filmi “Anora” i Sean Bakerit, ai që mori çmimin kryesor për “Filmin më të mirë”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar” do të prezantohet nga komediani, Conan O’Brien.

Shansi i Luana Bajramit

1 o. më parë / 15 mar 2026 22:14
Luana Bajrami

Luana Bajrami në filmin “Two People Exchanging Saliva” të nominuar për “Oscar”

Në tapetin e kuq të “Oscars” sonte pritet të parakalojë edhe aktorja e regjisorja me prejardhje nga Kosova, Luana Bajrami. Në mesin e filmave në garë për “Oscar” është edhe ai “Two People Exchanging Saliva” ku luan Bajrami. Është në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për “Academy Awards”. Në bashkëprodhimin midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, Bajrami luan rolin e Malaises. Është rol qendror në filmin bardhezi, me skenar dhe regji të dyshes Alexandre Singh dhe Natalie Musteata. Sipas sinopsisit, imagjinon një Paris distopik ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një grua e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punën në një butik magjepsës, ajo krijon shpejt një lidhje me një klient të pasur, Angine, duke ndezur zilinë e mbikëqyrëses së saj. Një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond të çuditshëm dhune të stilizuar, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Telluride të SHBA-së dhe mori Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”, i organizuar nga Instituti Amerikan i Filmit. Producente ekzekutive të projektit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert.

“Këtë nderim të jashtëzakonshëm ua dedikojmë njerëzve të guximshëm të Iranit. Zemrat tona janë me të gjithë ata”, ishte shkruar në ueb-faqen e filmit, fill pas lajmit për nominim për “Oscar”, në janar. 
Kosova ka hyrë në vitin e tretë pa propozim për kategorinë e Filmit më të mirë ndërkombëtar. Më 2023 përbërja e atëhershme e Komitetit përzgjedhës erdhi në përfundim se s’ka film që i plotëson kushtet për kandidim për nominim në kategorinë e filmave ndërkombëtarë të “Oscar”. Më 2024, arsyetimi se QKK-ja kishte “probleme me e-maile” qe goditja e radhës, që shënoi mospraninë e Kosovës në listën e shteteve që dërguan kandidatët. Vjet serish u vlerësua se s’ka film që i plotëson kushtet. Suksesi i madh i Kosovës deri më tani drejt “Academy Awards” mbetet nominimi për “Oscar 2016” i filmit “Shok” i Jamie Donoghue në kategorinë e filmave të shkurtër. Më 2021 ishte shënuar edhe një sukses kur “Zgjoi”, nën regji të Blerta Bashollit, u fut në listë të ngushtë, por që nuk u kurorëzua me nominim. E, tash së paku një aktore si Luana Bajrami, e njohur edhe si regjisore, tërthorazi çon zërin e Kosovës në “Oscars”