Shtojca për Kulturë

“Shame and Money” – rrëfim i tensionuar e dërrmues për ekonominë globale

Astrit Kabashi në rolin e Shabanit në filmin “Shame and Money”

Astrit Kabashi në rolin e Shabanit në filmin “Shame and Money”

Filmi i tretë i ngadaltë i Visar Morinës, pas atij “Babai” dhe “Exil”, është i akorduar në çdo frymëmarrje të mbajtur dhe në vështrim shpresëdhënës por të kujdesshëm e të plagosur të dy aktorëve kryesorë, Astrit Kabashi dhe Flonja Kodheli, të cilët ofrojnë performanca të përulësisë së shkëlqyer në këtë histori të shpresës që pakësohet e tensionit që rritet. “Shame and Money” të premten mori Çmimin e Madh të Jurisë në “Sundance Film Festival”

Ka më pak se 80 kilometra rrugë nga Çikatova e Vjetër, ku zhvillohet pjesa e parë e filmit “Shame and Money”, deri në Prishtinë. Por për personazhet që janë në qendër të filmit, dy vendet duken si anë të kundërta të botës.

Në fshatin ku nis drama e vëzhguar me shumë kujdes nga Visar Morina, jeta i ka ritmet e veta dhe shpërblime modeste për Shabanin e Hatixhen, dy fermerë të palodhur që rrisin tre vajza.

Të larguar nga shtëpia dhe mënyra e tyre e jetesës shkaku i një akti tradhtie, ata përballen me realitetet e ashpra ekonomike të jetës urbane dhe duhet të varen nga mbështetja me dy tehe e të afërmve të pasur.

Filmi i tretë i ngadaltë i Morinës, pas atij “Babai” dhe “Exil”, është i akorduar në çdo frymëmarrje të mbajtur dhe në vështrim shpresëdhënës por të kujdesshëm e të plagosur të dy aktorëve kryesorë, Astrit Kabashi dhe Flonja Kodheli, të cilët ofrojnë performanca të përulësisë së shkëlqyer në këtë histori të shpresës që pakësohet e tensionit që rritet.

Në fermën ku Shabani (Kabashi) dhe Hatixhja (Kodheli) jetojnë bashkë me familjen e gjerë, kryefamiljarja Nana (e portretizuar fuqishëm nga Kumrije Hoxha) ulet përherë në krye të tryezës dhe e mban kontrollin e financave. Ajo është paqeruajtësja dhe arbitri kur dy të bijtë e saj grinden apo kur mbesat zihen. Pavarësisht nëse Shabani është apo jo djali i saj i mesëm, ai është centrist në temperament — tipar ky që e mbërrin pikën e thyerjes kur lufton për mbijetesë në qytet.

Fëmija i rritur e problematik i familjes, vëllai më i vogël Liridoni (Tristan Halilaj), e ka neveri punën dhe një ndjenjë të pamerituar të të drejtës. Në fillim të krejt historisë, ai shfaqet në nevojë të dëshpëruar të një shume parash dhe i kërkon nënës t’i dalë në shpëtim. Vëllai i tij Agimi (Abdinaser Beka), mësues dhe burrë i martuar e baba, nuk ndien gjë tjetër përveç përbuzjes për të, derisa Shabani dhe Nana janë të gatshëm, ndonëse me rezerva, t’ia japin edhe një shans. Pa humbur kohë, Liridoni i mashtron në mënyrë dramatike, duke i dërguar Shabanin e Hatixhen, bashkë me Nanën dhe vajzat e tyre të vogla (Aria Shala, Riga Morina e Melika Gashi) në Prishtinë, ku jeton motra e martuar e Hatixhes.

Adelina (Fiona Gllavica) jeton në një shtëpi të madhe moderne e me fasadë të bardhë bashkë me bashkëshortin e saj biznesmen Albanin (Alban Ukaj) dhe prindërit e tij. Krejt ndryshe prej thjeshtësisë së Hatixhes, Adelina shfaqet si grua evropianoperëndimore, nisur prej veshjes elegante e deri te trajtimet e saj për fertilitetin. Megjithëkëtë, edhe ajo, në njëfarë mënyre, ec majë gishtërinjsh. Paguhet shumë pak për ta ndihmuar vjehrrën e saj (Teuta Ajdini) të kujdeset për bashkëshortin e saj të sëmurë kronik, jokomunikues e mezi të vetëdijshëm (Selman Lokaj). Si anëtare e ngushtë e familjes është kjo një situatë e çuditshme.

Adelina e angazhon Hatixhen ta ndihmojë në kujdesin për të sëmurin, në një kthesë zhvillimesh që Nana i vëzhgon me mosmiratim.

Në përpjekjen për të mos krijuar telashe, Shabani është aq jo i prirë të bëhet i pasjellshëm saqë as nuk pyet se sa do të paguhen, kur Albani i punëson atë dhe Hatixhen si pastrues me orar të pjesshëm në klubin e tij të natës. Por në fund të fundit pyet për mundësi tjera pune.

“Më sill CV-në”, i thotë Albani fermerit dhe më pas e qorton pse iu bashkua punëtorëve ditorë që mblidhen në një rrugë qyteti në kërkim të punës me pagesë në dorë: “Fqinji ynë të ka parë”.

Përgjigja kryesore i Shabanit ndaj kësaj dhe fyerjeve të tjera është heshtja. Është gruaja e tij ajo që e jep kundërpërgjigjen, sado të tërthortë, kur motra e saj insiston të aludojë se sa e turpshme është një punë e tillë.

“Turp është luksi”, i thotë Adelinës.

Sikleti i përmbajtur në gjestet e bujarisë së Adelinës e Albanit nxjerr në pah pabarazinë klasore midis banorëve të qytetit dhe të afërmve të tyre. Një dhuratë nga Adelina për motrën e saj (e blerë pas marrjes së lejes nga bashkëshorti i saj) ndjell ndjesi të pakëndshme transaksionale për Hatixhen.

Me tensionet familjare dhe pikëpamjen e një të huaji për një qytet me rritje të shpejtë në një shtet të ri të dalë prej lufte, “Shame and Money” u hedh një vështrim depërtues e pikëllues efekteve të globalizimit në nivelin më bazik të jetës.

Përplasjet në epiqendër të skenarit të shkëlqyer, shkruar nga regjisori dhe Doruntina Basha, marrin përforcim të fuqishëm nga muzika. Krahas shpërthimeve të herëpashershme të këngëve popullore, janë edhe kompozimet e reja mbresëlënëse të Mario Batkoviqit që lëvizin nga ritmi i shpejtë, nervoz drejt një vale të plotë akordesh pikëllimi në një sekuencë të vonshme. Në këtë pjesë, të zhvilluar në rrugë të Prishtinës, Morina e drejtori i fotografisë, Janis Mazuch, shkëputen prej intimitetit të drejtpërdrejtë që e karakterizon pjesën më të madhe të filmit: Kamera rrotullohet përreth një feste dasme jo larg shtatores së Bill Clintonit që e dominon zonën.

Si prindër të vendosur ta ruajnë paraqitjen e fortëve teksa përballen me presione përherë e më të mëdha, Kabashi dhe Kodheli janë të jashtëzakonshëm. Partneriteti mes Shabanit e Hatixhes është krejtësisht evident në mënyrën se si flasin në shtrat, ose kur, krah për krah, ecin pranë banorëve të qytetit që kalojnë kohë të lirë nëpër tarraca restorantesh për të kërkuar punë pastrimi. Së bashku dhe ndaras, ata përballen me kërkesat tronditëse materiale të shtëpisë së tyre të re, duke u përpjekur ta kuptojnë dallimin mes qirasë dhe depozitës së sigurisë, apo arsyen e një tarife bankare. Ajo e gjykon atë, porse brenga në fytyrën e saj intensifikohet tek ndien se ai po rrëshqet drejt një terreni të rrezikshëm, i pushtuar nga ndjenja e dështimit tek kërkon një punë të denjë ditore.

“Gjërat më sillen nëpër kokë”, i thotë Shabani gruas së tij. Në fermën e tij, ai e dinte se ndodhej aty ku përkiste. Në qytet, përkundrazi, vjen për ta mësuar vendin e tij.

Marrë: “Hollywood Reporter”

LEXO EDHE: