Shtojca për Kulturë

“Pas çerek shekulli në Teatrin Krahinor të Kosovës”

Bekim Fehmiu në Paris, 1970

Bekim Fehmiu në Paris, 1970

“Më 5 janarin e ftohtë të vitit 1982, i nisem provat me lexim. I tërë ansambli është i tubuar. Ndjej kënaqësi të pakufishme. Pas çerek shekulli u gjeta me kolegët me të cilët e kam nisur karrierën prej aktori. Më në fund aktroj në gjuhën amtare”, shkruante Bekim Fehmiu. Por aktori i madh shqiptar nuk luajti në shqip. E përgjigja për këtë, është vetë rrëfimi i tij

Rrëfimi i Bekim Fehmiut në librin autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” (pjesa e dytë), është përgjigjja më e mirë që i jep ai pyetjes së përse nuk luajti në shqip, e që rikthehet kohë pas kohe në qarqe të ndryshme. Në vijim është pjesa e tretë e këtij rrëfimi.

“Ditë e bukur, me diell nëntori (1981). Përpara Teatrit Popullor në Prishtinë, më takoi drejtori Hazir Miftari, ndryshe koleg më i ri. Më ofroi ta luaj Hamletin. Refuzova. Faruk Begolli me regjisorin nga Zagrebi Zhorzh Paro e ka punuar Hamletin mbi një vit. Drejtori më bind se Paro dhe Faruk kanë hequr dorë nga projekti.  – Kur ai këtë të ma konfirmojë personalisht, mund të bisedojmë, por jo në rrugë. Pas një muaji, mu lajmërua drejtori dhe e caktoi takimin në ‘Manjezh’, në Beograd... Faruku e konfirmoi se ka hequr dorë. Të gjithë më bindin që ta pranojë.

Kam pasur mbi 45 vjet. Koha më ka shkelur për atë rol. Ama mu duk se megjithatë mund ta gjej çelësin dhe e pranova. U morëm vesh, më 5 janar 1982, nisim me provat. Premiera do të jetë më 5 prill të vitit të njëjtë. Ja, pas çerekshekulli arriti oferta e parë e Teatrit Popullor Krahinor nga Prishtina. E pranova rolin nga dy arsye: propaganda antishqiptare në mënyrë shumë perfide mori hov në të gjitha mediat. Dëshirova që me anë të krijimtarisë artistike të përpiqem ta ndryshoj imazhin e klishetizuar që është krijuar mbi shqiptarët. Gjithashtu desha ta punojmë shfaqjen, e cila do të jetë shembull si duhet punuar në një tempull siç është teatri dhe eventualisht ta nxisim vetëdijen dhe entuziazmin e të rinjve”, shkruante Bekim Fehmiu. Rrëfimi i tij vazhdon me detaje.

“Bufeja e teatrit. Kafene e vërtetë ku pihet dhe hahet meze. Drejtori me sekretarin e vet, Xhevdet Lilën, më njoftoi me regjisorin nga Anglia Xheremi Jang... Me shtrëngim të tepruar të dorës dëshiroj të lë përshtypjen e njeriut të fuqishëm. Nuk kaluan as pesë minuta prej se u ul, pas pyetjeve dhe përgjigjeve konvencionale, e hodhi dorën mbi supet e mia dhe tha: ‘Ju do të jeni Hamlet fantastik’. E shikova direkt në bebëzat e tij, si uji i kaltër. E largoi dorën nga supet e mia. E kuptoi shikimin.

E pyes drejtorin si kanë arritur deri te ky regjisor.

– I biri i Ragip Loxhës jeton në Londër. Ai edhe e ka rekomanduar.

Më 5 janarin e ftohtë të vitit 1982, i nisëm provat me lexim. I tërë ansambli është i tubuar. Ndiej kënaqësi të pakufishme. Pas çerek shekulli u gjeta me kolegët me të cilët e kam nisur karrierën prej aktori. Më në fund aktroj në gjuhën amtare.

Më habit që as pas shumë provave të leximit, regjisori nuk tha asgjë mbi vizionin e tij të shfaqjes, as që dha çfarëdo eksplikacioni. Përshtypja ime – ai është zanatli. Telefonoj në Londër. Pyes për atë. M’u përgjigjën se kurrë nuk kanë dëgjuar për atë emër. Nuk kaloi asnjë javë dhe veç qarkullon barsoleta: Au - uh ! Na mbyti Bekimi, duke punuar me vetveten’ Me ndihmën e lektorit, dr. Rexhep Ismajli, ia dola që për dhjetë ditë ta zotëroj përkthimin e bukur dhe të begatë të Hamletit në gjuhën shqipe nga Fan S. Noli. Xhevad Qorraj, aktor i talentuar, nuk po përpiqet t’i lirohet theksimit jo të drejtë; ose, në vërejtjen e vogël rreth theksit logjik, primadona dhe aktorja e bukur syzezë, Melihate Ajeti, reagoi ashpër. ‘Mos na mëso! Edhe ne dimë diçka’ Kam pritur bashkëpunim në ide dhe kritika konstruktive.

Gjatë një prove, Jang, nxënësen e gjimnazit, e cila e luante Ofelinë e quajti lopë. Askush nga të pranishmit këtë nuk e kuptoi, pos përkthyesit Nevruzit. Regjisori, në mënyrë makinale, më shikoi mua. Ia tërhoqa vërejtjen se ai është mysafir, se është paguar për punën e vet dhe të mos i fyejë kolegët, se unë këtë nuk do ta toleroj.

Pas tri javësh pune, Jang nuk është i kënaqur. E rikujtova se ne nuk jemi aktorë anglezë.

- Nuk më intereson. S’ka kohë për të humbur!

- Kohë kemi mjaft - Unë s’kam. Më dy mars do të duhej të mbahet premiera, sepse më 4 nisin obligimet e mia të reja. - Thatë më 2 mars? - Po. Më tre udhëtoj. Kam kontratë të atillë. Jam i paguar që Hamletin ta xhiroj për gjashtë javë. Prandaj, ju lutem, vazhdojmë me provën. – Krejt mu rrotullua në kokë.

Në zyrë, drejtori i vërtetoi fjalët e Jangut. E pyes si ka guxuar të nënshkruajë kontratë të tillë, kur e di çfarë soji jemi, kur deri më sot as vete nuk e ka mësuar tekstin e rolit? Përse më ka gënjyer? Përgjigjet ishin tipike ‘vetëqeverisëse’. - Unë këtë nuk mundem për gjashtë javë. Fatkeqësisht nuk i kam ato aftësitë e juaja! – thash dhe i nevrikosur shkova në hotel. Po mundohem të gjej përgjigje në pyetjen: përse? Kot! Cingëroi telefoni.

Drejtori pyet a mund të vijë në vizitë. Erdhi me sekretarin Lila. Më luten që ta vazhdoj punën dhe më bindin se premiera do të jetë më 5 prill. Pyetjes, çka me regjisorin, u përgjigjen: - Mos u merakos fare. Çdo gjë do të jetë në rregull!

Më mundonte fakti se prapa vetes e kam pas një bashkëpunim të pasuksesshëm me Azem Shkrelin. Si të lejoj të dështojë përpjekja edhe me teatrin? Si të bashkëpunoj me regjisorin arrogant, ndaj të cilit tek unë ekziston versioni?

Inspicienti, Basri Çitaku, i ftoi aktorët në skenë. Drejtori dhe sekretari u ulën pranë meje. Erdhi edhe regjisori Jang, e hodhi shikimin kah salla dhe në atë çast më vërejti. Nuk u ul. Nisi të shëtisë përpara skenës. Pas disa rrathëve, iu drejtua drejtorit, duke kërkuar që të më largojë nga salla. Ky nuk e kuptoi. Mezi u përmbajta. Në fund, në insistimin e Jangut, Nevruzi përktheu.  Në ajër hetohej konsternacioni. Në skenë. Në sallë. U shtanguam. Pres reagimin e nikoqirit apo të ndonjë anëtari të teatrit. Qetësi. Në mua nisi të vlojë. Askush, ama bash askush, nuk e hapi gojën. Drejtori, në vend që t’i thotë: ‘Zotëri Jang, ju jeni të paguar të bëni regjinë, e kush do të ulet në sallë kjo është kompetenca ime’, në vend të kësaj – ai mu drejtua mua.

- Bekim, të lutem, eja të dalim që të mos shpërthejë ndonjë skandal. Pa fjalë u ngrita. Tek porta i thash: - Aferim. Ta uroj! Dola jashtë, në dritën e diellit me dhëmbë kah fundi i janarit. Çfarë njerëz janë, këta kolegët e mi? Ku e kanë dinjitetin, njerëzor, artistik? A ka mundur diç ngjashëm të ndodhë në ndonjë teatër tjetër kombëtar? Kurrë në jetë nuk jam ndier aq i poshtëruar, aq i vetmuar. Gufoi lumi i zi i turbullt, i cili merrte me vete trupa të shkulur dhe cofëtinat e fryra i hidhte në breg... Ashtu bashkëpunimi ynë përfundoi palavdishëm”, shkruan Fehmiu. Por pasuan edhe dy oferta.   

Edhe dy oferta të dështuara

“Ditë e bukur pranverore. Rri ulur në hotelin ‘Grand’ në Prishtinë. M’u afruan dy njerëz të rinj. M’u lutën ta lexoj skenarin e tyre. Të nesërmen, më pritnin në tavolinën e njëjtë. Kishin ardhur më herët. U prezantuan: Agim Sopi, regjisor filmi, i cili akademinë e ka krye në Zagreb. Fadil Hysa, dramaturg. Student i Sarajevës. Gjykuar sipas theksit, Agimi është nga katundi e Fadili nga qyteti.

- E kemi shkruar bashkë skenarin. Tema është interesante. Mendojmë se ju duhet ta luani rolin kryesor. Do ta xhirojë Agimi – tha F. Hysa dhe ma dorëzoi librin me kopertina të kaltra.

- Më pëlqen. Është e hollë – bëj shaka, me qëllim që t’ua largoj tremën.

- Ndodhet në Gjermaninë Perëndimore dhe në Kosovë. Roli juaj është... E shfletova skenarin. Në faqen e parë shkruante “Njeriu prej dheut”. Shkrimtarë: Fadil Hysa dhe Agim Sopi. Këshilltar special i dramaturgjisë filmike: Azem Shkreli.

– A e paskeni shkruar bashkë me Azemin?

- Jo, vetëm ne.

- Përse atëherë këtu qëndron emri i tij? - Po ju e dini përse.                                           

Kishin të drejtë. E dija, pa Azemin s’ka projekt.

E lexova skenarin. Roli më pëlqeu. Plaku i hedhur në botën e zhvilluar të Gjermanisë Perëndimore. Në botën ku nuk e njeh gjuhën dhe nuk i di zakonet, ku nuk ka askënd të vetin, pos të birit, i cili vazhdimisht është në rrugë, dhe nusen gjermane, e cila ka dashnor. Mund ta mendoj si është ndier shqiptari plak i edukuar sipas Kanunit të Lek Dukagjinit. Çfarë stuhie shpirtërore ka përjetuar.

- Djelmosha, jam i gatshëm t’ju ndihmojë në çdo pikëpamje. Do ta organizojmë bashkësinë punuese të filmit. Do ta xhirojmë si “Edukatën speciale”, pa asnjë dinar. Pasi që unë do të luaj pa para, i bindur jam se edhe kolegët e mijë do të veprojnë ashtu. Do t’i lus personalisht. U entuziazmuan. Premtuan se do t’i përmirësojnë skenat, në të cilat kisha vërejtje të vogla. Kaloi ndoshta një vit. Më lajmërohet regjisori Isa Qosja.

- Për çfarë shkasi? Çka keni bërë gjithë këtë kohë?

- Do të vija në Beograd për ta sjellë skenarin ‘Njeriu prej dheut’ dhe të bisedojmë. - Ti e xhiron filmin? - Jo do ta xhirojë Agim Sopi, por unë jam i punësuar këtu si shef i produksionit. – A thua aq filma prodhoni në vit sa që ju duhet edhe shefi? – mahitem dhe e përgëzoj. Domethënë ti më thërret si shef? Mirë se vini!

Ditë e errët. Shiu vetëm sa nuk ka nisur të bie. Cingëron telefoni. – Ne jemi këtu, në kafenë ‘Mala Moskva’ (Beograd). Po të presim – lajmërohet Isa Qosja. Qosja është rinuar. Duket elegant. - Dëshiroj ta pranosh rolin dhe të xhirojmë vërtetë një film të mirë. Ky është versioni përfundimtar i librit të xhirimit.

A thua çka fshihet aty? Duke shfletuar faqet e para hasi në detaje të parëndësishme, por më kryesorja tek më priste. E kishin ndryshuar ambientin. Ngjarjen nga Gjermania Perëndimore, ku personazhi kryesor s’ka askënd të vetin, e kanë transferuar në Turqi, ku prej Perandorisë Osmane, Gjergj Kastriot Skënderbeut e deri më sot, kishte e ka sa të duash shqiptarë nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria... Prej temës botërore e kanë bërë temë lokale. Nuk e dinë njerëzit çka nënkupton vetmia. Unë e kam përjetuar gjatë këtyre 30 vjetëve të punës si kurbetçi – gastarbajter. Çfarë mëkati është bërë ndaj një tregimi të jashtëzakonshëm. Këtë ka mundur ta bëjë vetëm xhahili (i padituri), do të thoshte gjyshja ime e ndjerë.

I telefonoj Agim Sopit. - Isa më tha se ti ke kërkuar para të mëdha. Unë jam i gatshëm të të ta jap honorarin tim! I ofrova ta themelojmë bashkësinë e filmit dhe të punojë pa asnjë dinar. Si është e mundur që tash të kërkoj para? Natyrisht se nuk e pranova rolin. Më erdhi rëndë që dy artistë të rinj të talentuar kanë lejuar një kompromis të atillë, me të cilin është shtrembëruar një vepër e bukur. Ku e kanë unin artistik? E gjithë kjo ma kujtoi vjershën e Xaj Nurës: ‘E ke vra kohën, njeri. E ke vra jetën...’”, rrëfen Bekim Fehmiu.

Prilli i thyer

“Ditë shumë e nxehtë. Më takoi Xhemil Vraniqi, vëllai i shokut tim nga gjimnazi, Veliut. Më pyet nëse do të luaja në filmin francez ‘Prilli i thyer’, sipas romanit të Ismail Kadaresë, shkrimtarit të njohur evropian nga Shqipëria.

Skenari – i jashtëzakonshëm. E pranova, edhe pse ky ishte filmi i parë i regjisores franceze me prejardhje shqiptare, Lirije Begaj. Producent është Federik Miteran, djali i vëllait të presidentit të Francës, Fransoa Miteran... Ndihmësit të regjisorit dhe drejtorit të filmit u ndihmova gjatë ndarjes së roleve. I propozova kolegët nga Prishtina, Shkupi dhe Gjakova. Një rol është dashur ta luaj Milo Miranoviq nga JDP. I përgjigjej për mrekulli roli i malësorit.

Pos filmit dokumentar të Zdravko Velimiroviqit, askush nuk e ka prekur temën e gjakmarrjes. Ismail Kadare këtë e ka përshkruar në mënyrë brilante në romanin e tij të vendosur në kohën e sundimit të mbretit, Ahmet Zogu, në Shqipëri, më 1931, sipas të cilit tash po xhirohet filmi. Skenar kaq të mirë mbi gjakmarrjen, deri më tash nuk kam lexuar.

Frederik Miteran tri herë i ka shkruar A. Shkrelit dhe ‘Kosovafilmit’, duke kërkuar bashkëpunim. Mbetet pa përgjigje. Ia ofroi edhe ‘Jadran filmit’. E pranuan. Mirëpo, meqë Batriq-Jovanoviq e shtroi çështjen dhe ngriti shumë pluhur në Kuvendin e RSFJ, si kroatët, respektivisht ‘Jadran filmi’ guxon të xhirojë film mbi Musolinin me Xhorxh Skotin në rolin kryesor, ‘Jadran filmi’ u tërhoq. Nuk deshi të ketë halle politike.

Të rinjtë shqiptarë, numri i të cilëve po shtohet nga dita në ditë, po i mundojnë nëpër burgje. Kontributin e psikozës antishqiptare e dha edhe Maqedonia. Ai është aq i fuqishëm, saqë shqiptarët ikën nga atje dhe erdhën në Kosovë. Në Tetovë autoritetet maqedonase morën vendimin që rreth të gjitha shtëpive shqiptare, nëpër katunde e qytete, të rrënohen rrethojat dhe muret, që janë pjesë e kulturës tradicionale të jetesës në ato hapësira. ‘Ky është rregullim i ri urbanistik’, thonë autoritetet shoviniste, për hapësirat në Maqedoninë Perëndimore, ku kryesisht jetojnë shqiptarët. Ekskavatorët, në përcjellje të milicisë, e filluan ‘punën e vet prej ndërtimtari’.

Kjo më prek gjithnjë e më shumë. Deri kur do të zgjasë kjo? Po ndihem disi i përgjysmuar. Nuk di çfarë të bëj. Prandaj oferta për të xhiruar film në Francë erdhi në momentin e duhur.

Një natë para nisjes në rrugë, më lajmërohet kolegu nga Gjakova dhe pyet nëse po shkoj për xhirim në Francë. Ia konfirmova. - Ministri ynë i Kulturës, Sali Nushi, na ‘ka këshilluar’ të mos shkojmë. – Bëni sipas mendimit tuaj! – i thashë.

U iniciua një fushatë e madhe kundër Ismail Kadaresë, pas intervistës së tij mbi ngjarjet e përgjakshme në Kosovë. Pavarësisht nga deklaratat politike të Kadaresë, vendosa të shkoj dhe të marr pjesë në xhirimin e filmit ‘Prilli i thyer’. Nuk më ka interesuar veprimtaria politike e Kadaresë, si as ajo e Ivo Andriqit, i cili më 1939 e ka shkruar programin e ‘zgjidhjes’ së çështjes shqiptare në Kosovë”, ka shkruar Bekim Fehmiu.                              

Ky shkrim botohet me rastin e 15-vjetorit të shuarjes së aktorit Bekim Fehmiu (15 qershor 2010), për të cilin rast është botuar edhe libri “Bekimit me dashuri” me poezi, piktura, thënie për aktorin dhe të vetë Bekim Fehmiut