Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Një ikonë e dëshpërimit që gërmon të kaluarën

Dëshpërimi i Ferdonijes i ka siguruar asaj njohje e

Dëshpërimi i Ferdonijes i ka siguruar asaj njohje edhe ndërkombëtare; në vitin 2016, fotografi shqiptaro-amerikan nga Kosova, Artan Korenica, publikoi një fotografi të saj ulur në tryezë të shtruar për gjashtë persona, me pesë karrige të zbrazëta, e titulluar “Më mungon...”, e cila u bë virale

Ferdonije Qerkezi kundërshtoi narrativën e “vrapimit drejt së ardhmes: Përderisa shoqëria kosovare vrapon drejt së ardhmes, Ferdonija gërmon në të kaluarën...” Vuajtja e saj “na e ka shpërfaqur një të vërtetë mjaft të dhimbshme dhe shumë të idhët” . Metoda e saj e angazhimit publik u arrit së pari me hapjen e shtëpisë për publikun; duke vepruar kështu, Ferdonija u sigurua që “audienca të marrë pjesë në vuajtjen e saj”

Ferdonije Qerkezi është kthyer në një ikonë që përfaqëson dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës dhe torturën që përjetuan familjet e të humburve që atëherë (Apolloni 2020, 103; shih gjithashtu Kabashi 2005). Siç është shprehur Dardan Hoti, “ekzistenca e saj është kthyer në dëshmi të asaj se çka ka ndodhur në Kosovë” (2017, 19) dhe Ag Apolloni thotë, “ajo u bë simbol i tragjedisë për Kosovën” (Bami 2022). Ajo njihet zyrtarisht si e tillë nga udhëheqësit e Kosovës. Më 2015, iu dhurua Medalja Presidenciale dhe, çdo vit, që nga viti 2021, kryeministri i Kosovës e vizitoi shtëpinë e saj në përvjetorin e rrëmbimit të familjes. Më 2023, ai u shpreh: “Sot nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është dhe s’e kanë për zemër (Zyra e Kryeministrit 2023).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dëshpërimi i Ferdonijes i ka siguruar asaj njohje edhe ndërkombëtare; në vitin 2016, fotografi shqiptaro-amerikan nga Kosova, Artan Korenica, publikoi një fotografi të saj ulur në tryezë të shtruar për gjashtë persona, me pesë karrige të zbrazëta, e titulluar “Më mungon...”, e cila u bë virale (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021, 50). Ky imazh rriti ndjeshëm famën e Ferdonijes; shtëpia e saj u vizitua nga një numër i madh i personaliteteve të huaja dhe turistëve, dhe u njoh zyrtarisht si muze nga Qeveria e Kosovës, në po të njëjtin vit. Tryeza e saj me gjashtë vende të shtruara u ekspozua së bashku me një film të shkurtër, si instalacioni “Mirë se vini në Tryezë” në Prishtinë, Kosovë, në vitin 2023, dhe prej aty ekspozita udhëtoi nëpër Evropë.

Ferdonija është bërë një ikonë kombëtare; ndikimi shoqëror dhe ndërkombëtar i dëshpërimit të saj citohet si dëshmi e “transformimit të pikëllimit individual në idioma të fuqishme publike” (Berisha 2017, 44). Megjithatë, fiksimi i Ferdonijes me vuajtjen e së kaluarës dhe mjerimet e së tashmes, si dhe refuzimi i saj për të ecur përpara, përputhet me karakteristikat hendikepe të dëshpërimit të diskutuara më herët. Ndryshe nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) apo udhëheqësit e lëvizjeve politike, Ferdonija dhe familja e saj nuk u angazhuan në një luftë të guximshme kundër autoritetit serb; fati i tyre është plotësisht tragjik. Për më tepër, ekziston një preferencë për t’i lartësuar si të denjë ata që kanë përjetuar tragjedi, më pas janë përpjekur të ecin përpara dhe e kanë përdorur përvojën personale për të përhapur një mesazh pozitiv dhe kuptimplotë (Hunt 2010, 117). Ferdonija nuk është një figurë e tillë; mospajtimi i saj me idenë e pajtimit e pengon atë të festohet si një ekzemplar i shpengimit apo faljes, tema këto që kanë shtyrë figura të tjera tragjike drejt famës (Di Lellio dhe McCurn 2012; Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021).

Historia e Ferdonijes karakterizohet nga terrori, trauma dhe hidhërimi; këto qartazi nuk janë emocione që frymëzojnë siguri ontologjike. Duke pasur parasysh këtë, si kontribuon ajo pozitivisht në narrativën e sigurisë ontologjike të pasluftës në shoqërinë kosovare? Në pjesën vijuese, arsyetoj se fati i Ferdonijes dhe lartësimi i saj në statusin e ikonës kontribuojnë në rivendosjen e sigurisë ontologjike të shoqërisë kosovare, së pari përmes fuqisë zbuluese të dëshpërimit, dhe së dyti për faktin se dëshpërimi i saj vepron si një katalizator që frymëzon reagime emocionale tek të tjerët, duke ushtruar kështu agjenci afektive në formësimin e narrativave kolektive të sigurisë ontologjike.

Narrativat e Kosovës së pasluftës

Kosova përjetoi një shkëputje radikale kur lufta shpërtheu në fund të viteve 1990; në përputhje me kornizën e SSO-së të diskutuar më herët, pas luftës u shfaqën narrativa të reja që kërkonin krijimin e rutinave të reja, që do ta rivendosnin parashikueshmërinë dhe do ta reduktonin ankthin (Steele dhe Subotić 2024, 144; shih gjithashtu Subotić 2016; Kinnvall dhe Mitzen 2020; Krickel-Choi 2024, 5, 612).

Fillimisht dominuan dy narrativa në Kosovën e pasluftës; e para lartësonte heronjtë shqiptarë të Kosovës që i rezistuan shtypjes serbe. Për ta theksuar dhe përhapur këtë narrativë, shqiptarët e Kosovës i nderuan si ikona ata që rezistuan me guxim, qoftë përmes përdorimit të forcës, siç ilustrohet nga udhëheqësi i UÇK-së, Adem Jashari (Di Lellio dhe Schwandner-Sievers 2006), qoftë përmes mobilizimit politik, siç ilustrohet nga Ibrahim Rugova, i cili udhëhoqi rezistencën civile të shqiptarëve në vitet 1990 (Azemi 2025). Narrativa e dytë vinte në pah mbështetjen e NATO-s për shqiptarët e Kosovës gjatë luftës dhe përkushtimin e vazhdueshëm të aleatëve perëndimorë për të mbrojtur një Kosovë të pavarur dhe për ta udhëhequr atë drejt paqes, prosperitetit dhe njohjes ndërkombëtare. Ekzemplarë ikonikë të kësaj narrative përfshinin presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, dhe sekretaren e Shtetit të SHBA-së, Madeline Albright. Kjo narrativë gëzonte mbështetjen e Perëndimit në vitin 1999, por gjithashtu, inkurajonte qytetarët e Kosovës të besonin se ata gëzonin një aleancë të vazhdueshme me Perëndimin, e cila do t’u garantonte një të ardhme të ndritur (Bucaj 2019; Baliqi 2021; Musliu 2021; Hehir 2024).

Ndonëse ato lidheshin me aspekte të ndryshme të konfliktit dhe nderonin ikona të ndryshme, këto dy narrativa e plotësonin njëra-tjetrën në procesin e rivendosjes së sigurisë ontologjike; të dyja theksonin rezistencën, fitoren, heroizmin, si dhe paqen e prosperitetin e së ardhmes, të cilat natyrshëm ngushëllonin një komunitet të tronditur nga pasiguria e shkaktuar nga lufta (Di Lellio 2016, 11). Megjithatë, u shfaq edhe një narrativë shtesë, një narrativë që nuk lidhej me trimërinë, fitoren dhe prosperitetin e së ardhmes, por me dëmin e shkaktuar gjatë luftës, trashëgiminë e këtij dëmi dhe kërcënimin e vazhdueshëm nga Serbia ndaj ekzistencës së Kosovës. Ferdonija është bërë një shembull ikonik i kësaj narrative.

“Një e vërtetë mjaft e dhimbshme dhe shumë e ithët”

Në pasojat e luftës, sipas disave, kostoja njerëzore e dhunës së ushtruar kundër kosovarëve u la disi në hije nga elitat vendase dhe aleatët ndërkombëtarë, që inkurajuan shoqërinë shqiptare të Kosovës të ecte përpara dhe të shikonte drejt një të ardhmeje të re, nën mbrojtjen e aleatëve perëndimorë (Di Lellio dhe McCurn 2012; Alija 2021; Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021). Kur diskutohej për luftën, kjo bëhej në kontekstin e “heroizmit që tremb” (Apolloni 2020, 161) dhe lartësimit të dëshmorëve heroikë që treguan “burrëri të ndershme dhe vetëflijim” (Berisha 2017, 41). Gjendja e rëndë e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe e familjeve të të zhdukurve mbeti në periferi (Ahmetaj 2017; Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë 2022, 146–9; Demiri 2024). Anashkalimi që iu bë vuajtjeve të këtyre grupeve përbënte, sipas Anna De Lellios, një formë të heshtjes narrative; kjo ndodhi, sipas asaj, sepse “preokupimi kryesor i Kosovës ishte ndërtimi i një miti themelues për shtetin e ardhshëm... hapësira publike u mbush nga kujtimi i një lufte çlirimtare të luftuar nga disa heronj, që kishin shpëtuar kombin” (2016, 632). Thyerja e kësaj “heshtjeje narrative” kërkonte nxjerrjen në pah të dikujt që po përjetonte diçka më të fuqishme sesa thjesht zi, pikërisht dëshpërimin.

Ferdonija kontribuoi në përhapjen e kësaj narrative të tretë, së pari përmes zbulimit. Siç vëren Dragusha, Ferdonija kundërshtoi narrativën e “vrapimit drejt së ardhmes: Përderisa shoqëria kosovare vrapon drejt së ardhmes, Ferdonija gërmon në të kaluarën...” Vuajtja e saj, thotë ai, “na e ka shpërfaqur një të vërtetë mjaft të dhimbshme dhe shumë të ithët” (2019). Metoda e saj e angazhimit publik u arrit së pari me hapjen e shtëpisë për publikun; duke vepruar kështu, Ferdonija u sigurua që “audienca të marrë pjesë në vuajtjen e saj” (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2021, 66).

Qasja në shtëpi nënkuptonte se historia e Ferdonijes u transformua nga një tragjedi e shkuar, që i ndodhi një emri në një faqe letre, në një tragjedi të përjetuar në të tashmen nga një person me të cilin mund të bashkëbisedoje. Si i tillë, dëshpërimi i Ferdonijes arriti të “shërbejë si një mjet për të ndarë dhe për t’u identifikuar me kujtimet e jetës së zakonshme e të përditshme familjare dhe zinë mbi humbjen e këtij normaliteti” (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2019, 239). Audienca me të cilën synonte të ndërvepronte shtrihej përtej vetë shqiptarëve të Kosovës; duke folur për qëndrimin e Ferdonijes, Apolloni shprehet: “Ajo, fill pas luftës, kishte nisur ta ushtronte tregimin e historisë, të cilën do t’ia bënte të njohur botës” (2020, 83), ndërsa vetë Ferdonija shpjegoi se e hapi shtëpinë sepse donte “t’i tregojë botës se çfarë ndodhi në luftë dhe çfarë kanë bërë serbët” (Schwandner-Sievers dhe Klinkner 2019, 337).

Ekspozimi i dëshpërimit dhe ndikimi i gjerë i tij përputhet me reflektimet mbi dobinë e dëshpërimit të theksuara më parë, ku dëshpërimi shërben për një funksion komunikues, duke zbuluar të vërteta të fshehura. Pasi dëshpërimi kishte zbuluar vuajtjen e pësuar nga shumë njerëz brenda Kosovës, dëshpërimi i Ferdonijes nxiti një ndryshim emocional te vëzhguesit dhe kështu kontribuoi në formimin e narrativës – kryesisht në tri mënyra: duke vërtetuar pretendimin se shqiptarët e Kosovës ishin viktima të një agresioni të paligjshëm dhe diskriminues, duke promovuar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës; duke paralajmëruar për një kërcënim të vazhdueshëm që paraqet Serbia dhe nevojën për të qenë vigjilentë e të bashkuar; si dhe duke mbështetur pretendimin se shqiptarët kthjellen shpejt. Këto motive të ndërlidhura janë bërë sinonim i Ferdonijes dhe – siç dëshmohet më poshtë – evokohen rregullisht nga udhëheqësit politikë dhe vëzhgues të tjerë, që kanë komentuar mbi kuptimin më të gjerë të fatit të saj.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Aidan Hehir është profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit. Kërkimet e tij janë fokusuar në drejtësinë tranzicionale, intervenimin humanitar dhe shtetndërtimin e Kosovës. Është autor dhe editor i dymbëdhjetë librave akademikë, përfshirë edhe “Kosova dhe ndërkombëtarët” (2024), dhe i shumë kapitujve dhe artikujve nëpër libra dhe revista të ndryshme, si dhe është kontribuues i rregullt në televizione dhe radio kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjithashtu, është autor i romanit “Lulet e Srebrenicës”, i cili është dramatizuar vitin e kaluar, me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Botohet me leje të autorit.

LEXO EDHE: