Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Një figurë e shndërruar në simbol të identitetit modern nacional

Akademik Rexhep Qosja, mbi të gjitha, kombit shqiptar i la trashëgimi të përhershme veprën e tij

Akademik Rexhep Qosja, mbi të gjitha, kombit shqiptar i la trashëgimi të përhershme veprën e tij

Biografia e akademik Rexhep Qosjes pasqyron ndjeshëm fatin individual e njëkohësisht fatkeqësinë shqiptare, të prerjes, krizave e ndarjeve të trungut etnik, konstante të cilat domosdo do të formojnë dhe forcojnë bindjet e tij për unifikimin e kombit duke nisur nga zhvillimi emancipues, gjuhësor, shpirtëror-letrar e politik

Akademik Rexhep Qosja, duke e vijuar vizionin e rilindësve kombëtarë, i krijoi dhe i rikrijoi idetë moderne të integralistit nacional, të përfaqësuara në veprën e tij madhore studimore, letrare, kulturore e politike. Akademik Rexhep Qosja, pa dyshim, me jetën dhe veprën e tij, zë vend të veçantë në historinë kombëtare, si njëra nga figurat qendrore të mendimit, krijimit dhe të reagimit intelektual, një figurë e shndërruar në simbol të identitetit modern nacional.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Biografia e akademik Rexhep Qosjes pasqyron ndjeshëm fatin individual e njëkohësisht fatkeqësinë shqiptare, të prerjes, krizave e ndarjeve të trungut etnik, konstante të cilat domosdo do të formojnë dhe forcojnë bindjet e tij për unifikimin e kombit duke nisur nga zhvillimi emancipues, gjuhësor, shpirtëror-letrar e politik.

Akademik Rexhep Qosja lindi më 1936, në Vuthaj të Malit të Zi. Katër klasat e fillores i kreu në vendlindje, ndërsa maturën në Guci. Në vitin 1959 kreu Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa në vitin 1960 i nisi studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, të cilat i mbaroi në vitin 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa gjatë viteve 1967-68 ndoqi studime të specializuara teorike-letrare në Universitetin e Beogradit. Duke e vijuar punën kërkimore-shkencore në Institutin Albanologjik, në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës për jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, Rexhep Qosja, në vitin 1972 u zgjodh bashkëpunëtor i lartë e pastaj këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës e njëkohësisht profesor inordinar dhe ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Po ashtu ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, si dhe shef i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik.

Rexhep Qosja, në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj.

Akademik Rexhep Qosja, që në vitet 80-të të shekullit XX, tashmë autor e autoritet i formuar intelektual, kur po niste vala e nacionalizmit hegjemonik serb, u shqua me zërin e tij të artikuluar kundërshtues ndaj ksenofobisë serbomadhe dhe u vu në mbrojtje të të drejtave dhe të aspiratave shqiptare për liri. Veprimtarinë intelektuale dhe mendimin e tij autentik për zhvillimet e hovshme dhe të ndërlikuara në botën politike shqiptare nuk e pushoi asnjëherë, duke qenë herë prijës e herë alternativë e koncepteve ideologjike shqiptare me synimin final të çlirimit, progresit dhe të integrimit ndërshqiptar.

Akademik Rexhep Qosja, mbi të gjitha, kombit shqiptar i la trashëgimi të përhershme veprën e tij, e cila qëndron e botuar në më shumë se 30 libra studimorë teorik-letrarë, të kritikës letrare, prozës artistike në format e romanit, tregimit dhe të dramës, si dhe një numër të madh të shkrimeve publicistike, polemike e po ashtu të kujtesës individuale, në formën e ditarëve, e cila shndërrohet në kujtesë të historisë kulturore e politike për zhvillimet moderne të botës shqiptare. Rexhep Qosja, duke qenë njëri nga prijësit e mendimit të konsoliduar për fenomenet kulturore, identitare e letrare shqiptare, studimet albanologjike, në veçanti studimet letrare, i ngriti nga nivelet e reagimeve elementare për t’iu dhënë peshë leximit, botimit dhe studimit sistematik të korpusit letrar shqiptar, i cili te ky autor niset që nga recensioni, parathënia, artikulli, trajtesa, analiza e studimi i autorëve të veçantë të traditës e të modernes letrare për të arritur deri te veprat kanonizuese të “Historisë së letërsisë shqipe”.

Me këtë rast i veçojmë veprat e studimeve letrare “Dialogje me shkrimtarët” (1968), “Panteoni i rralluar” (1973) dhe “Prej tipologjisë deri te periodizimi” (1979), të cilat përfaqësojnë konceptin teorik dhe botëkuptimin e Rexhep Qosjes për letërsinë, i cili në thelb e ruan vlerësimin e gjykimin letrar në format që nisen nga interpretimi i veprave të veçanta e mbërrijnë në tipologji zhanrore historike letrare.

Kapërcimin nga bota e studimit të letërsisë shqipe në shkrimin krijues në formën e prozës, Rexhep Qosja e bën me tregime-romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974) në të cilin refuzohen kontrolli, diktati, survejimi e në forma implicite kërkohet liria krijuese, si rrjedhojë njerëzore. Ndërsa, në dramatikë, te vepra e tri dramave “Mite të zhveshura” (1978), Rexhep Qosja shkruan dramën e ideve në format e tragjikes etnike dhe të alegorisë moderne politike.

Rexhep Qosja, kapërcimin e madh studimor e bën me korpusin “Historia e letërsisë shqipe I, II, III”, (1984-86), vepër që sublimon punën e tij shumëvjeçare në studimin historik të letërsisë shqipe, mbi parimin se historia e letërsisë duhet të përmbajë shkrimtarë e vepra që kanë vlerë historike për kohën e shfaqjes, ndikimin kulturor dhe estetikën letrare.

Amzë e stilit shkrimor në prozën letrare do të mbetet vepra “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), pra sinkretizimi i formave shkrimore me mbizotërimin e ironisë, por tashmë me dallueshmëri tematike në varësi të perceptimit të kontekstit të ri sociopolitik, i cili e predestinon edhe tekstin letrar. Shembuj të ironisë postmoderniste, e cila në ambientin kulturor të Kosovës u sforcua në fillim të shekullit XXI, janë romanet multiformale e multiideore “Bijtë e askujt I & II” (2010) dhe “Të fshehtat e treguara” (2020), në të cilat dominon tematika e fiksionalizimit të koncepteve ideologjike të lidhura me situata e akterë politikë.

I përmendëm vetëm disa nga veprat studimore e letrare të akademik Rexhep Qosjes, mirëpo trashëgimia e tij intelektuale e krijuese pa dyshim do të jetë objekt i studimeve kritike, historike e monografike, të cilat kanë nisur për të gjallë të autorit, nëpërmjet përkthimeve dhe studimeve të shumta, por do të vijojnë edhe në të ardhmen si forma të çmuara të ndikimit, tashmë klasik në korpusin e letërsisë shqipe.

Duke besuar se Rexhep Qosja, pra vepra jetësore, intelektuale, krijuese dhe nacionale e tij do të qëndrojë në Panteonin e Kombit, theksojmë: Qoftë i paharruar emri i tij!