Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Mitrovica e shekullit të kaluar: Ditë Bajrami, shqiptarë të mllefosur e të admiruar

mitro

Festa e Bajramit në Mitrovicë në vitet e njëzeta të shekullit XX

Edhe pse jeta në Mitrovicën e midis dy luftërave botërore vazhdonte të ishte joshpresëdhënëse, megjithatë, mitrovicasit vazhduan të jenë të hapur ndaj të huajve, që puna ose çfarëdoqoftë nevoje i kishte sjellë ata në qytetin e tyre. Kuptohet se qëndrimi i mitrovicasve ndryshonte në çastin kur të pamirëseradhurit donin ta kishin fjalën kryesore, pasi në të shumtën e rasteve të tillët ishin pjesë e aparaturës okupuese apo kolonë të sjellë me ligjet shtetërore në Mitrovicë. Përshkrimet e serbit Nikolla Trajkoviq, u përkasin viteve të tridhjeta të shekullit XX. Shkruante edhe për mllefin në sytë e shqiptarëve dhe ishte ditë e parë të Bajramit “shqiptarë më trupgjatë, thatanikë, me një perçe flokësh të gjata, që u varej nën qylah”. Skocezi Mek shkruante diçka tjetër pak vjet para Luftës së Dytë Botërore. “Të gjithë i pëlqejnë shqiptarët”, shkruante ai

Imazhe nga Mitrovica e viteve ’30 të shekullit të kaluar

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me qëllim të paraqitjes së sukseseve, por edhe të shtrirjes së ndikimit „kulturor“ në Kosovën e midis dy luftërave, shteti i atëhershëm jugosllav organizonte vizita të ndryshme të grupeve muzikore nga Serbia. Pjesë e një grupi të tillë ishte edhe Nikolla Trajkoviq. Përshtypjet e tij për Mitrovicën u përkasin viteve të tridhjeta të shekullit XX.

“Para Mitrovicës, larg në fushë, përskaj rrugës e shohim një fëmijë që në kokë e mban një kapelë të krahinës së Likës (krahinë në Kroacinë jugperëndimore). Pas tij, nën kodër, ndodhen disa shtëpi të reja të mbuluara me tjegulla. Pra, bëhet fjalë për një koloni të posangritur nga kolonistët nga Lika Koloni të tilla ka gjithandej, ndërsa ngritjen dhe vendosjen e kolonistëve vendasit e kanë pranuar shumë vështirë. Më në fund u futëm në grykën ranore, në të cilën ndodhet stacioni i fundit i hekurudhës Shkup – Mitrovicë. Aty janë depot, ndërtesa për ruajtjen e drithit dhe bagëtive. Fare pranë stacionit rrjedh Sitnica. Disa buaj të mëdhenj qëndrojnë të shtrirë në ujë”, shkruante ai. Rrëfimi i Trajkoviqit vazhdon.

“Dy mure të shkëmbinjve të mëdhenj, midis të cilëve kalon rruga, i japin origjinalitet hyrjes në Mitrovicë. Dhe sapo ta kaloni këtë portë natyrore, para jush paraqitet i tërë qyteti i vendosur në një breg të butë, nën të cilin rrjedh Ibri i shpejtë, duke ndërtuar para vetes shumë grumbuj rëre. Më pastaj kaloni pranë mureve të larta me portat në ‘kallkan’, që i rrethojnë kopshtet, vreshtat dhe ndonjë shtëpi të bukur, me oxhaqet e mëdha mbi çati. Në anën e djathtë të rrugës është një mur i ulët dhe përtej është fusha me monumente myslimane – gurë të bardhë të gdhendur në formën e një kolone të rrumbullakët, me çallma të vendosur sipër. Janë Varrezat e Mitrovicës. Të nesërmen pasi ishte Festa e Bajramit në këto varreza pashë shumë shqiptarë (këtu ka shumë pak turq) sesi shikonin drejt këtyre gurëve dhe shikimet e tyre e linin përshtypjen se ata ishin duke kërkuar diçka. Pak më larg, djathtas, janë disa ndërtesa të mëdha e të bukura. Ato janë kazermat. Janë ndërtesa turke. Është karakteristike se kudo në viset jugore, qysh nga kohët turke ato janë ndërtesa të mëdha dhe me mure jashtëzakonisht të bukura e të forta. Duke kaluar pranë parkut të vogël, nën hijen e të cilit bie në sy një pavijon i vogël i stilit lindor dhe duke vazhduar sokakut të pjerrët zbritet në çarshi. Dhe aty menjëherë shihen depot, magazinat me drith, berberhanet, kafenetë me tavolinat e vendosura nën hijen e pemëve, bozaxhinjtë, dhe aty ka aq shumë njerëz sa që çdo ditë Mitrovica e merr pamjen e ditës së pazarit”, shkruan ai. Përshkrimi i tij vazhdon duke prekur edhe ndikimin e austriak. Shkruan se Mitrovica është “vetmi qytet ku ka depërtuar ndikimi i drejtpërdrejtë i Austrisë”.

Pamje e Mitrovicës

“I vetmi qytet ku ka depërtuar ndikimi i drejtpërdrejtë i Austrisë”

Një shqiptar kishte sjellë pak dru dhe një thes me drithë dhe ndaloi aty, në mes të rrugës, duke bërë pazare me dyqanxhiun matanë rrugës. Rreth këtij malësori sillen shqiptarët e qytetit me veshjet e poshtme të tyre shumëngjyrëshe, zakonisht thatanikë e me tespihe në duar. Turma të tilla njerëzish ju shihni kudo. Tërë ditën rrugët janë plot me njerëz. Gjithçka është e gjallë. Britma, rraptima e peshoreve nëpër dyqane dhe e patkonjve të kuajve në kalldrëm. Më tej, rrugës ka shumë ndërtesa dykatëshe. Në disa prej tyre mund të lexohen mbishkrime ‘Hotel’. Aty-këtu shihen disa sheshe të gjera. Mitrovicasit thonë se kur është sezoni, të gjitha ato hapësira si sheshe mbushen me kuaj e qerre me ushqim. Hymë në një magazinë. Është njëjtë si në Beograd, në Savë në Rrugën e Karagjorgjes. Por, tani magazinat janë të zbrazura, ngase priten të korrurat e këtij viti. Ngadalë arritëm tek Ibri. Një lumë i gjerë, ujëvarës: tani nuk ka shumë ujë, por gjithandej ka shumë stome të rërës. Përtej Ibrit është një urë e fortë, prej druri e ngritur mbi shtyllat e urës së mëparshme të hekurit, që gjermanët gjatë tërheqjes së tyre e hodhën në erë.

Ndërsa fare pranë bregut janë mullinjtë, e pak më poshtë prej urës ndodhet parku. Përtej lumit ndodhet qyteti… Mbi Mitrovicë nuk ka më rrafshina. Së pari brigjet, sërish kodrat, e më tutje malet e Sanxhakut. Në mes, në grykë, si njëfarë kupole e bukur dhe e rregullt ngrihet Zveçani me rrënojat e qytetit të vjetër. Ndërsa Mitrovica është interesante, sepse është i vetmi qytet ku ka depërtuar ndikimi i drejtpërdrejt i Austrisë. Prandaj edhe vërehet njëfarë lirie në gjithçka dhe njëfarë qëndrimi më i hapur i njerëzve, më pastaj edhe pamjet e rrugëve dhe të shtëpive janë më ndryshe. Rrugët këtu janë shumë më të gjëra se në çdo qytet tjetër. Mobilet nëpër shtëpitë mitrovicase janë të stilit evropian, në të shumtën malli është austriak i paraluftës. Trafiku i gjallë dhe tregtia kanë ndikuar që jo vetëm qyteti, por edhe tërë rrethinat të jenë të vyeshme saqë siguria këtu është në një nivel të mirë. Interesat e ndërsjella i kanë lidhur mes vete shqiptarët dhe serbët, por megjithatë edhe midis tyre ekziston hidhërimi dhe mosdurimi, ashtu siç hasen në zona të tjera të Kosovës, si për shembull në Prishtinë”, shkruante ai.

Mllefi në sytë e shqiptarëve

“Të nesërmen, mu në ditën e parë të Bajramit, u kthyem në Stacionin Hekurudhor të Mitrovicës dhe në mëngjesin ende të lagësht u nisëm për në Vushtrri. Gjëja e parë që na ra në sy në këtë stacion ishte një turmë e madhe e shqiptarëve, por jo prej atyre të zakonshmëve, njerëzve punëtorë, siç i shihnim në rrugët e Mitrovicës, por këta shqiptarë ishin më trupgjatë, thatanikë, me një perçe flokësh të gjata, që u varej nën qylah dhe këta shqiptarë kishin sy skifteri.

Gjatë rrugës që ecnim në këmbë për në Vushtrri, meqë stacioni është rreth katër kilometra larg qytetit, vazhdimisht takonim turma shqiptarësh… Këta shqiptarë – nga frika apo nga urrejtja, nuk e di as vetë – sapo na vërenin kalonin në anën tjetër të rrugës dhe një nga një, duke e ulur shikimin përdhe, kalonin pranë nesh pa e thënë asnjë fjalë. Mes tyre kishte edhe fëmijë. Në një çast u përpoqa t’i afrohesha një djaloshi me dëshirën që ta përkëdhelja, por i trembur ai u hodh nga rruga në arën e mbjellë me misër! Grupet e shqiptarëve vazhduan të kalonin pranë nesh. Në shikimet e tyre, që ishte vështirë për t’i kapur e dallova njëfarë zjarri të çuditshëm, që e linte përshtypjen se këta shqiptarë e kishin mbledhur në vete një mllef të madh”, ka përfunduar Nikolla Trajkoviq.

“Përtej Ibrit është një urë e fortë, prej druri e ngritur mbi shtyllat e urës së mëparshme të hekurit, që gjermanët gjatë tërheqjes së tyre e hodhën në erë”, shkruante Nikolla Trajkoviq në vitet ’30 të shekullit të kaluar

“Shqiptarët janë më të vendosur se kushdo tjetër dhe unë i admiroj ata”

Edhe pse jeta në Mitrovicën e midis dy luftërave botërore vazhdonte të ishte joshpresëdhënëse, megjithatë mitrovicasit vazhduan të jenë të hapur ndaj të huajve, që puna ose çfarëdoqoftë nevoje i kishte sjellë ata në qytetin e tyre. Kuptohet se qëndrimi i mitrovicasve ndryshonte në çastin kur jo të mirëseardhurit donin ta kishin fjalën kryesore, pasi në të shumtën e rasteve të tillët ishin pjesë e aparaturës okupuese apo kolonë të sjellë me ligjet shtetërore në Mitrovicë.

Pak vjet para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore në Minierën e Trepçës përveç rusëve, punë kishin gjetur edhe ekspertë nga shtetet e huaja. Midis tyre në Mitrovicën e atëhershme puna e kishte sjellë edhe një familje nga Skocia. Kryefamiljari Mek ishte një skocez i tipit të ashpër dhe delikat me tipare të mprehta, ndërsa bashkëshortja e tij ishte një shembull i Skocisë tjetër, të begatë, të një Skocie ku urrehej sjellja sa për sy e faqe e njerëzve, ku gatuheshin ëmbëlsira të shijshme….

“Të gjithë i pëlqejnë shqiptarët”, shprehej publikisht skocezi Mek duke i përshkruar mitrovicasit ashtu siç ai i kishte njohur drejtpërdrejt ata. Kopshtari ynë ka qenë shqiptar dhe e kemi dashur shumë. Unë jam i dobët ndaj shqiptarëve. Të gjithë ne i duam ata. Dhe jo vetëm për faktin se shqiptarët janë të përkushtuar ndaj nesh. Por shqiptarët kanë shumë shpirt. Ata janë sindikalistë të mirë. Kohë më parë kur patëm mosmarrëveshje për pagat, shqiptarët qëndruan më të vendosur se kushdo tjetër dhe unë i admiroja për këtë. Më pas, qeveria (jugosllave – S. L.) e dërgoi një komision për t’i hetuar shkaqet e grevës, dhe ata më thanë se ishte për të ardhur keq që kemi punësuar kaq shumë shqiptarë, por unë e refuzova vërejtjen e tyre. U thashë në sy “se i kemi punësuar shqiptarët se janë të njerëzishëm dhe punëtorë të mirë dhe do të vazhdojmë t’i punësojmë edhe në të ardhmen".

Në Mitrovicën e shekujve të kaluar, por edhe të një qyteti të ardhmërisë, të një qyteti të hapur për të gjithë ata që fati jetësor mund t’i sjellë në këtë cep të Kosovës, shembujt më të mirë të sjelljes së mitrovicasve mund t’i gjejnë te djaloshi që e refuzoi ledhatimin e “të kulturuarit” Nikolla Trajkoviq dhe mitrovicasve si bashkëpunëtorë dhe bashkëveprues të skocezit z. Mek.