Me vrasjen e arqidukës Franc Ferdinand në Sarajevë në verën e vitit 1914 dhe me përkrahjen logjistike që shteti i Serbisë ia kishte afruar grupit “Bosnja e re” dhe atentatorit Gavrillo Princip, marrëdhëniet midis Austro–Hungarisë dhe Serbisë u acaruan tej mase. Zaten sjellja e Serbisë, duke filluar nga këmbëngulja për dalje në bregdetin shqiptar, refuzimi i tërheqjes prapa ushtarëve serbë, pengesat rreth pavarësisë së Shqipërisë, pretendimet territoriale ndaj Bosnjës, okupimi i Kosovës por edhe i Maqedonisë, tashmë e kishin mbushur kupën. Dhe më në fund vjeshta e vitit 1915 e gjeti Serbinë përballë Austro–Hungarisë, ndërsa qysh në luftimet e ditëve të para, forcat serbe nisën me të madhe të tërhiqeshin drejt viseve jugore. Luftimet në rrethinat e Mitrovicës u zhvilluan midis 21 dhe 22 nëntorit të vitit 1915. Dëshmi rreth pamjes së Mitrovicës në prag të hyrjes së forcave gjermane ka lënë autori i njohur gjerman, sllavisti Gerhard Gesemann
“Më 28 qershor 1914, në orën 10 të mëngjesit, ishte planifikuar vizita e trashëgimtarit të fronit, Franjo Ferdinand me gruan e tij në Muzeun e Sarajevës. Kështu shumë ditë para vizitës së paralajmëruar kaluan duke punuar me të gjitha kapacitetet për të përgatitur gjithçka për pritjen e mysafirit të rangut të lartë, i cili njihej si zoolog dhe si themeluesi i muzeut më të madh të kopshtit zoologjik në Vjenë edhe pse trashëgimtari i fronit Ferdinand në Sarajevë po vinte si ushtar, për të marrë pjesë në manovra të mëdha, të cilat do të zhvilloheshin në Bosnjë. Ditën e vizitës, isha duke e pritur mysafirin e rangut të lartë përpara muzeut. Papritmas, sekretari Topiq erdhi me vrap dhe njoftoi se duhej të paraqitesha në telefon. Më telefonoi vëllai im, i cili si major shërbente në komandën ushtarake, dhe më tha të isha vigjilent, kur trashëgimtari i fronit do të mbërrinte në muze, sepse atij iu kishte dukur sikur përballë komandës ushtarake nga kishte kaluar kolona, diçka kishte shpërthyer sikur të ishte i bombë. I thashë, le të mos shqetësohej, se të gjitha masat e menjëhershme janë marrë dhe se asgjë e paparashikueshme nuk do të ndodhë në muze. Duke e mbaruar atë bisedë, dëgjova, sikur nga larg, fjalë gjysmë të zëshme: ‘Ist er tot?’ (A është i vdekur?’) dhe përgjigjen: ‘Ja, er ist tot!’ (Po, ai është i vdekur) Këto fjalë u thanë ose u dëgjuan në dhomën tjetër, por duke mos ditur se kujt i referoheshin, nuk u kushtova asnjë rëndësi.
U ktheva në vendin tim pasi ora tashmë ishte 10. Kaloi një çerek ore dhe mysafirët nuk u paraqitën askund. Vetëm rreth orës dhjetë e gjysmë, një makinë erdhi me nxitim. Shoferi me një pallto të gjatë të bardhë doli dhe pyeti se ku ishte drejtori. I afrohem dhe ai më thotë se për shkak të rrethanave të paparashikuara Lartësia Perandorake, e ka anuluar vizitën!
E shikova me habi dhe vura re se palltoja e tij – nga gjoksi e deri në pjesën e poshtme ishte e mbuluar me njolla gjaku. Nuk u durova pa e pyetur;
- Për hir të Zotit, çfarë të ndodhi, je i mbuluar me gjak!

Ai shikoi poshtë pallton dhe, vetëm tani duke vënë re gjakun, filloi të tregonte, se mbi trashëgimtarin e fronit ishte kryer dy herë atentat: një i pasuksesshëm me bombë në (në rrugën për në Beledi) ndërsa i dyti me revole në kthim te Ura e Latinit ku Lartësia e Tij Perandorake ishte plagosur për vdekje”.
Kështu e ka përshkruar 28 qershorin 1914, atë ditë kobzeze në Sarajevë arkeologu dhe etnologu i njohur kroat, Qiro Truhelka (1865-1942).
Dhe siç dihet me vrasjen e arqidukës Franc Ferdinand në Sarajevë në verën e vitit 1914 dhe me përkrahjen logjistike që shteti i Serbisë ia kishte afruar grupit “Bosnja e re” dhe atentatorit Gavrillo Princip, marrëdhëniet midis Austro–Hungarisë dhe Serbisë u acaruan tej mase. Zaten sjellja e Serbisë, duke filluar nga këmbëngulja për dalje në bregdetin shqiptar, refuzimi i tërheqjes prapa ushtarëve serbë, pengesat rreth pavarësisë së Shqipërisë, pretendimet territoriale ndaj Bosnjës, okupimi i Kosovës por edhe i Maqedonisë, tashmë e kishin mbushur kupën. Dhe më në fund vjeshta e vitit 1915 e gjeti Serbinë përballë Austro–Hungarisë, ndërsa qysh në luftimet e ditëve të para, forcat serbe nisën me të madhe të tërhiqeshin drejt viseve jugore. Luftimet në rrethinat e Mitrovicës u zhvilluan midis 21 dhe 22 nëntorit të vitit 1915. Ishte gjenerali serb Zhivojin Mishiq – që para tre vjetëve triumfalisht kishte hyrë në Mitrovicë – ai që tashmë kishte dhënë urdhër që qyteti të braktisej sa më parë, pasi ekzistonte rreziku i rrethimit të plotë të ushtrisë serbe.
Ndërsa orët e vona të 23 nëntorit të vitit 1915, forcat e ushtrisë gjermane tashmë e kishin nën kontroll pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, dhe të nesërmen qyteti e nisi një jetë të re që nën ritëm dhe rrethana të reja do të zgjasë tre vjetët e ardhshëm. Nën pushtetin e ri kryetar komune u zgjodh tregtari Fadil Shefkiu, ndërsa më vonë atë e zëvendësoi Nexhip Draga.

6 nëntor 1915: Rrugës për në Mitrovicën e Kosovës dhe lufta për një copë bukë,
Dëshmi rreth pamjes së Mitrovicës në prag të hyrjes së forcave gjermane ka lënë autori i njohur gjerman, sllavisti Gerhard Gesemann (1888 - 1948) në librin e tij “Die Flucht: Aus einem serbischen Tagebuch 1915 und 1916”, München, 1935.
Pas martesës me një grua serbe, fillimi i luftës e gjeti Gesemannin në Beograd. Në largim drejt Shqipërisë ai i kaloi disa ditë në Mitrovicë. Në vijim kemi sjellë disa përjetime të këtij autori në Mitrovicën e vjeshtës së vitit 1915.
“Qysh herët në mëngjes në ora pesë fillova të kërkoj bukë dhe miq për të vazhduar rrugën. Ushtarët thonë se komanda nuk do të niset akoma pasi gryka dhe qyteti duhet të mbrohen. Kraleva tashmë është evakuuar dhe pritet që së shpejti të bie, bile qyteti ndoshta ka rënë në duart e gjermanëve. Sepse gjermanët kanë topa të rëndë të madhësisë pesëmbëdhjetë centimetra dhe ata janë duke i dhënë përpara më shpejt sesa që mendohet. Pra, duhet ecur përpara ndoshta me robërit e luftës dhe të internuarit. Kështu, rasti më solli deri te një kamion që kishte miell dhe ishte nisur drejt Mitrovicës. Mbi thasë ishin ulur disa të rinj që i njihja qysh nga Beogradi. Ata më tërhoqën lart. Për pesë orë kamioni mbërriti në Mitrovicë. Ky ishte një sukses i madh, sepse rruga ishte në gjendje aq të mjerë sa që qerrja e kafshëve rrugën e njëjtë duhej ta kalonte për tre apo katër ditë. Kur hymë në Mitrovicë tashmë kishte rënë nata. U ndalëm te një rrugë tërësisht e errësuar. Bashkudhëtarët e mi shumë shpejt u tretën në atë errësirë. Unë ndalova për disa çaste dhe më pastaj lëviza – por nuk e dija nga t’ia mbaja. Atëherë nuk e njihja karakterin e rrugëve turke në Ballkan, prandaj shkoja skajit rrugës, sipas mundësinë ecja nëpër trotuar. Banorët e këtyre qyteteve i kanë bërë rrugët e tyre në mënyrë që skajet e rrugëve të jenë të ngritura dhe atëherë ujërat dhe balta mblidhen në mes, për shembull tani ku unë qëndroj, qepenat e tregtarëve shqiptarë mbeten të pastër. Por, skajeve nuk mund të kalohet dhe njeriu në çdo çast has në qepena, stole, mbishkrime të firmave; shtretër dhe në njerëz që janë të detyruar të qëndrojnë të shtrirë në grupe në stole apo mbi grumbuj të druve. Të gjitha portat ishin të mbyllura. Mbi kalldrëm aty ku ishte rrafshët, secilin vend e kishte zënë ndonjë njeri që tashmë po flinte. Më në fund e gjeta njëfarë kafeneje të dorës së dytë”, shkruante sllavisti Gerhard Gesemann. Rrëfimi i tij vazhdon.
“Gjeta hotelin ‘Kosova’. Gjendja si në Fushë të Kosovës pas përfundimit të Betejës së Kosovës”
“Njerëz të lodhur e të rraskapitur ishin shtrirë në një stol thuajse të shkapërderdhur. Prapa tyre njëfarë refugjati po i fërgonte ca zorrë në qymyr. ’Vetëm pesëdhjetë pare, por në argjend’, i bërtiste ai çdokujt që mbërrinte aty. Për ato para i afronte rreth tridhjetë centimetra zorrë. Jashtë binte një shi jo i këndshëm. Duke shëtitur poshtë-përpjetë nëpër qytet, pas një ore e gjeta hotelin ‘Kosova’. Aty gjendja përafërsisht ishte si në Fushë të Kosovës pas përfundimit të Betejës së Kosovës (1389) tollovi e madhe midis njerëzve në çfarëdo situate të mundshme, midis nxitimit dhe ëndrrave, gjithandej sende, afër zjarrit thaheshin rrobat dhe këpucët, materiale spitalore, pushkë, hama të kuajve – por megjithatë në këtë hotel mund të sigurohej kafeja. Mora vesh se në Mitrovicë gjendej një i njohur i imi dhe për çudi në banesën e tij kishte akoma vend. Pa humbur kohë u nisa ta kërkoja të njohurin tim. Pas dy orësh, atje pas Batall Xhamisë përtej Urës, ku shumë bërshenj qëndronin varur mbi mure, gjeta gjithçka që kërkova. Aty m’i dhanë të gjitha që i patën. Tashmë po agonte dita e re. M’i dhanë dy metra katrorë të dyshemesë dhe ‘Natën e mirë!’”, shkruante Gesemann për Mitrovicën, në vjeshtën e vitit 1915, në prag të hyrjes së forcave gjermane.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë