Mallrat në Mitrovicë silleshin dhe nxirreshin me karvanë, kështu që në qytet kishte edhe fluks të madh të njerëzve dhe mu për këtë arsye në Mitrovicë janë mbi 100 mejhane, ndërsa gjysma e çarshisë shiste duhan për këta njerëz. Mu për shkak të ardhjes së numrit kaq të madh të këtyre njerëzve në Mitrovicë, zanatlinjtë dhe tregtarët vendorë kishin qarkullim të mirë (fitime më të mëdha) dhe kjo ndikoi në zhvillimin e tregtisë en groso, pra importit dhe eksportit. “Në prag të Luftës së Parë Ballkanike në qendrën e Mitrovicës ushtroheshin këto zanate: këpucar, berber, teneqexhi, kallajxhi, zhguntar, terzi, saraç, opingar, artar – argjendar, përpunues zorrësh, fuçibërës, qeleshepunues, bukëpjekës, poçar, vorbar, kasap, mutafxhi, nallanepunues, briskpunues dhe farkëtarë...”, shkruhej në raport
“Me ndërtimin e lidhjes hekurudhore, Mitrovica u zhvillua me shpejtësi si pika më e skajshme hekurudhore dhe nyjë transitore për ngarkimin dhe shkarkimin e mallrave në dhe nga Sanxhaku e Dukagjini dhe për këtë arsye, Mitrovica është një qytet i zhvilluar”, thuhet në një raport të përgjithësuar kushtuar gjendjes ekonomike, gjendjes së zejeve, zejtarisë shtëpiake, industrisë... Këto njëherësh janë imazhet e fundit të Mitrovicës në vitet e fundit të pushtetit osman.
Më tej në raport thuhet se “të gjitha mallrat që silleshin ose dërgoheshin për ose nga Selaniku, kalonin nëpër Mitrovicë, dhe përveç kësaj ishte edhe Stacioni Hekurudhor që shërbente për ngarkim-shkarkimin e mallrave për rrethinën e saj, por edhe për Plavën, Gucinë, Beranen, Bjello Polen, Pejën dhe pjesën tjetër të Dukagjinit. Qytetet që u furnizuan tërësisht përmes Mitrovicës, ishin Peja, Plava, Gucia, Rozhaja, Novi Pazari, Bjello Pola, Berane, ndërsa qytetet që u furnizuan pjesërisht ishin Sjenica, Prijepolja, Plevla, Nova Varoshi dhe Priboji.
Mbi 100 mejhanet e qytetit
Mallrat në Mitrovicë silleshin dhe nxirreshin me karvanë, kështu që në qytet kishte edhe fluks të madh të njerëzve dhe mu për këtë arsye në Mitrovicë janë mbi 100 mejhane, ndërsa gjysma e çarshisë shiste duhan për këta njerëz. Mu për shkak të ardhjes së numrit kaq të madh të këtyre njerëzve në Mitrovicë, zanatlinjtë dhe tregtarët vendorë kishin qarkullim të mirë (fitime më të mëdha) dhe kjo ndikoi në zhvillimin e tregtisë en groso, pra importit dhe eksportit.
Mallrat vinin nga Selaniku, por edhe shkonin në këtë qytet, gjegjësisht nëpërmjet komisionerit. Për prodhimet manufakturale komisioneri merrte 2 për qind, ndërsa për drithëra 1 – 1,5 për qind. Tregtari që e shiste mallin shkonte te komisioneri në Selanik, duke i lënë paratë tek ai bashkë me listën e mallit të nevojshëm dhe më pastaj të dy bashkë shkonin te tregtari përkatës që merrej me tregti me shumicë... Për shkak të gjallërisë së tregtisë në Mitrovicë, për t’i shitur mallrat e tyre, por edhe për të blerë këtu vinin fshatarët nga Dukagjini, Drenica, Sanxhaku si dhe të fshatrave të Zveçanit, të cilët e ringjallën edhe më shumë tregtinë dhe zejtarinë në Mitrovicë.
Në Mitrovicë grumbulloheshin nga 400 -500 vagonë grurë, deri në 300 vagonë fasule, kryesisht nga rrethina e Pejës, fasule kokërrmadhe nga Tetova dhe Gostivari, ndërsa në vitet e mira, këtu po ashtu grumbulloheshin rreth 200 vagonë misër, por në vitet e thata, shtrohej nevoja e importimit të misrit, pasi krahina e Mitrovicës kryesisht ushqehet me misër, më pastaj këtu grumbulloheshin rreth 150 vagonë tërshërë – kryesisht nga Mitrovica dhe Novi Pazari, sasi elbi nga 150-200 vagonë, lëkura nga zona e Mitrovicës rreth 10.000 copë, sasi leshi prej 10.000 - 20.000 okë, arra nga krahina e Pejës dhe Kollashinit, rreth 20-30 vagonë... Në të gjitha shifrat e sipërme janë llogaritur vetëm ato prodhime që dërgohen nga Mitrovica, e jo ato që vetëm kalojnë nëpër Mitrovicë.
Zanatet dhe gjendja e zanatlinjve në Mitrovicë
Në raport në vijim janë pasqyruar zanatet dhe gjendja e tyre.
“Në prag të Luftës së Parë Ballkanike në qendrën e Mitrovicës ushtroheshin këto zanate: këpucar, berber, teneqexhi, kallajxhi, zhguntar, terzi, saraç, opingar, artar – argjendar, përpunues zorrësh, fuçibërës, qeleshepunues, bukëpjekës, poçar, vorbar, kasap, mutafxhi, nallanepunues, briskpunues dhe farkëtarë. Kështu, në Mitrovicë janë 3 dyqane të këpucarëve dhe 16 dyqane arnuesish të lëkurave. Në këto dy profesione konkurrencë serioze Mitrovicës i bëhet vetëm nga qendra e Shkupit. Më pastaj në Mitrovicë janë 50 berberë, të gjithë shqiptarë, por gjendja e tyre nuk është për t’u lavdëruar. Janë katër kallajxhinj dhe një kazanxhi. Përveç zejes së tyre, kallajxhinjtë dhe kazanxhinjtë bëjnë edhe stufa nga llamarina e zezë. Tani këta punojnë keq, sepse ka nisur shpërngulja e ‘turqve’ ndërkaq ata janë përdoruesit më të mëdhenj të bakrit. Përpunues të stofrave apo zhguntarë janë tri dyqane, ndërsa rrobaqepës janë katër sosh dhe derisa në kohën turke kishte punë, tani gjendja nuk është e mirë. Saraçë janë tre dyqane të cilët i mbajnë tre ustallarë turq dhe ata tani punojnë dobët, ndërsa më herët kishin shumë punë. Saraçët punojnë me mënyrën turke, pra në mënyrën e vjetër. Janë katër opingar, të gjithë muhaxhirë prej Bosnje. Në ditë ata i punojnë 2 – 3 palë opinga. Edhe opingarët punojnë vetëm për ta siguruar bukën e gojës. Tre argjendarët që punojnë në Mitrovicë në dyqanet e tyre, janë nga Gjakova dhe puna u shkon mirë. Argjendarët e këtushëm merren kryesisht me punimin e filigranit. Zorrëpërpunues është vetëm një dyqan, të cilin e mbajnë dy ortakë. Puna u shkon mirë. Gjakovarë janë edhe dy qeleshepunues. Ata i bëjnë qeleshet prej leshit të qengjit, dhe tani kanë punë më tepër sesa më herët, sepse më parë qeleshepunuesit e sillnin lëndën e parë kryesisht nga Evropa. Qeleshepunuesëve punët u shkojnë mirë. Është interesante të përmendet se në Mitrovicë janë 28 dyqane për përpunimin e qelesheve, edhe pse përpunimi i tyre duket të jetë punë shumë e thjeshtë!”, janë të dhënat e raportit.
“Në Mitrovicë mund t’i blini 10 qeleshe vetëm për 7 groshë e gjysmë”
Raporti vazhdon. “Ta zëmë, në Mitrovicë mund t’i blini 10 qeleshe vetëm për 7 groshë e gjysmë. Më pastaj janë tri dyqane të qerrepunuesve, që të tre pronarët janë muhaxhirë nga Bosnja. Puna u shkon mirë. Ata njëkohësisht janë edhe farkëtarë, nallbanë dhe qerrepunues. Punojnë me mënyrën “alla-franga”, por njëkohësisht merren edhe me ndreqjen e bravave të dyerve. Nga Gjakova po ashtu janë të 9 pronarët e dyqaneve të përpunimit të pambukut dhe atyre u shkon puna mirë. Puna u shkon mirë edhe 26 bukëpjekësve. Për dallim prej zanateve që ushtrohen në qendrën e Mitrovicës, vorbarët e ushtrojnë zejen e tyre të ndarë. Edhe pse ishin të njohur 12 vorbarë, vetëm dy prej tyre i kishin dyqanet e veta, 10 të tjerët dilnin për t’i shitur prodhimet e tyre vetëm ditën e pazarit. Për prodhimet e tyre, gjegjësisht për larmimin e enëve ata e sjellin dheun prej Prishtine, ndërsa dheun e bardhë e sillnin nga Rudniku që gjendet në afërsi të Istogut. Krizë në zanatin e tyre kanë edhe 4 rrobaqepësit e Mitrovicës. Kasapë janë 10 dyqane, prej të cilëve vetëm 5 janë të hapura gjatë verës. Kasapët i kanë punët mirë. Në Mitrovicë është vetëm një mutafxhi dhe atij puna i shkon mirë. Nallanexhinjtë nuk i kanë punët mirë dhe ata i kanë vetëm dy dyqane. Briskpunues tani janë 6 dyqane, ndërsa në kohën e Perandorisë Osmane ishin 21! Të gjithë briskpunuesit janë muhaxhirë nga Foça (Bosnja) dhe ata tani janë duke u shpërngulur me radhë drejt Azisë. Përveç kësaj, briskpunuesve u shkon puna keq, por nëse këta muhaxhirë nuk do të ishin shpërngulur, kjo zeje do të mund të modernizohej me ndihmën e shtetit. Farkëtarë janë 16 dyqane, me pronarë romë. Pronarët e dyqaneve të farkëtarëve përveç ankesave se nuk kanë punë sa duhet, rënien e fitimeve e shohin si pasojë e zhvendosjes së tyre, gjë për të cilën ata janë detyruar të shpërngulen prej qendrës së Mitrovicës, për t’u vendosur në skaj të qytetit. Nallbanë, me mbathje të modelit turk janë mjaft, por gjendja e tyre nuk është fare e mirë, sepse tani mungojnë kirixhinjtë”.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë