Skena kulturore e Kosovës është pushtuar nga mbretëria e skeleve. Dhe nëse akoma nuk ka vdekur, ajo po vdes. Po vdes, duke besuar se për kushtet e infrastrukturën e dinjitetshme kulturore ia vlen të sakrifikohen disa vjet mospune. Ky po duket që është njëlloj pakti i heshtur që krijuesit kanë nënshkruar me mbretërinë e skeleve
Na ka rastisur ta shohim shpesh nëpër filma të ndryshëm a në shfaqje teatri skena ku personazhet nga lumturia, euforia a dashuria e pafund e mbysin njëri-tjetrin. Publikut pastaj i lihen pyetje të hapura, nëse ajo qe një mbytje aksidentale, akti final i ndonjë komploti a opsesioni të fshehur, mbytje me paramendim apo pjesë e ndonjë skizofrenie më të gjerë shoqërore. Këso, e skena të ngjashme, të cilat, në të shumtën e rasteve janë klishe, po i sjell në kujtesë, sa për të krijuar një alegori që them se i shkon realitetit kulturor në Kosovë. Kush, kë qenka duke e mbytur kënd në Kosovë, do të mund të pyesni!?
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, njihet si dikush që ka shfaqur interesim për filmin e teatrin, dhe për kulturën në përgjithësi. Dhe ai këtyre viteve ka dhënë shembuj për këtë interesim, qoftë duke vizituar ngjarje kulturore, apo edhe duke shkruar mini-ese e tekste të shkurtra për ngjarjet kulturore që ka vizituar. Por edhe qeveria e tij ka shfaqur përkushtim për kulturën, para së gjithash duke rritur fondet (së paku bile në periudha parazgjedhore, e fat i mirë për kulturën që zgjedhje kemi pasur shpesh këtyre viteve), por edhe duke promovuar politika vizionare (të cilat, natyrisht, vështirë se janë zbatuar në praktikë).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor, këtyre viteve të fundit, Qeveria në Kosovë është angazhuar edhe në një proces “reformimi kulturor”, që duket, në të njëjtën kohë, edhe si mision “shpëtues” por edhe si “mbytës”, varet se kush nga cila perspektivë dëshiron ta shikojë. E kuptoj, tingëllon paradoksale! Këtyre 3-4 vjetëve të fundit, shumica e hapësirave, objekteve e sallave kulturore në Kosovë i janë nënshtruar renovimit. Duket sikur ka ndodhur një revolucion dhe tani skena kulturore i është nënshtruar pushtetit të skelave. Po rinovohet Teatri Kombëtar i Kosovës, e kur do të jetë gati, është vështirë të thuhet. Por janë duke u rinovuar edhe Galeria Kombëtare e Kosovës, teatri “Oda” në Prishtinë, teatri i Pejës, Muzeu Kombëtar i Kosovës, teatri i Ferizajt, Kino Lumbardhi...! E së shpejti do të nisë renovimi edhe në Teatrin e Gjilanit e edhe në “Burgun e Idealit”... Ndoshta, 80 për qind e hapësirave e objekteve kulturore në Kosovë i janë nënshtruar ose pritet t’i nënshtrohen renovimit.
Që të kuptohemi: renovimi, reformimi i infrastrukturës kulturore e krijimi i kushteve të dinjitetshme për punë ka qenë dhe është diçka e domosdoshme. Shumica e institucioneve të kulturës, për krejt këto vite, kanë punuar në kushte primitive, në hapësira mbytëse e kontaminuese. Megjithatë, para se objekteve e hapësirave kulturore t’u vendoseshin skelet e para se t’u dërgoheshin betonjerkat, është dashur të krijohen hapësira alternative pune. Kjo gjë nuk ka ndodhur, thjesht, nuk ka ndodhur. Si rezultat, krijuesit kanë ngelur në pritje, pa angazhim, pa mundësi për ta ushtruar zanatin e tyre, pa orientim e pa ide se si duhet të veprohet. Në anën tjetër, skelet, këto sajime bashkëkohore, kështu siç i janë vërsulur skenës kulturore, po duken si ato qeniet mitike shumëkokëshe, që pushtojnë pallate dhe zaptojnë shpirtrat e njerëzve, e pastaj imponojnë diktatin e tyre. Skena kulturore e Kosovës është pushtuar nga mbretëria e skeleve. Dhe nëse akoma nuk ka vdekur, ajo po vdes. Po vdes, duke besuar se për kushtet e infrastrukturën e dinjitetshme kulturore ia vlen të sakrifikohen disa vjet mospune. Ky po duket që është njëlloj pakti i heshtur që krijuesit kanë nënshkruar me mbretërinë e skeleve.
Poeti e dramaturgu amerikan, Dan Fante, ka një libër me titull “Heshtja e poetit është akt terrorist”. Si parafrazim, do të mund të thoshim se heshtja e artistëve të Kosovës ndaj pushtetit të skeleve në Kosovë është një akt terrorist.