Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kriza institucionale po cenon të drejtat e qytetarëve, thotë Avokati i Popullit

qytetaret

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka thënë se vendi po funksionon për të dytin vit pa institucione të plota, si pasojë e zgjedhjeve të përsëritura.

Sipas tij, moskrijimi i institucioneve po cenon të drejtat e njeriut dhe po krijon pasiguri te qytetarët për zhvillimet e mëtejshme në vend.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Është viti i dytë që po vazhdon Kosova me funksionu pa institucione të plota, si rezultat i zgjedhjeve që po ndodhin në Kosovë të përsëritura. Mungesa e krijimit të institucioneve cenon dhe ndikon shumë keq tek të drejtat e njeriut, në radhë të parë për shkak të ngecjes së nismave legjislative, të ndryshimit të ligjeve dhe nxjerrjes së ligjeve të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, në mirëqenien e tyre dhe në rritjen e standardit. Po natyrisht ndikon shumë edhe në vetë punën e institucioneve të tjera, të cilat në mungesë të autoriteteve mbikëqyrëse, mbesin në një dinamikë shumë të ulët të angazhimit në punën e tyre të përditshme, por edhe në projekte të cilat nuk arrijnë me i përfundua dhe nuk arrijnë me i nis të reja. Dhe kjo natyrisht ka bërë që sot qytetarët e Kosovës me u ballafaqu me një situatë të një pasigurie, ose paparashikueshmërie, se çfarë do të ndodhë më tej”, ka thënë Qelaj.

Ai pret që rezultati i zgjedhjeve të fundit të finalizohet me krijimin e institucioneve, duke paralajmëruar se vazhdimi i krizave politike e institucionale do ta thellonte edhe më shumë dëmin për vendin.

Sipas Qelajt, një numër i institucioneve funksionojnë me mandate të vazhduara, përfshirë edhe institucionin e Avokatit të Popullit.

“Unë konsideroj që rezultati i zgjedhjeve të fundit do të finalizohet me krijim të institucioneve dhe nuk do të vazhdohet me kriza të tjera politike institucionale, sepse jemi edhe në një situatë të vështirë ku një numër i madh i institucioneve janë me mandate të vazhduara, përfshirë edhe Avokatin e Popullit. Pra, unë jam në pozitën e Avokatit të Popullit me mandat të vazhduar, sipas ligjit deri në zgjedhjen e Avokatit të ri, përndryshe unë mandati pesëvjeçar më ka përfunduar qysh në tetor të vitit që shkoi. Dëmi që po i shkaktohet Kosovës me moskrijim të institucioneve është i jashtëzakonshëm”, është shprehur ai.

Avokati i Popullit, thekson se kriza institucionale ka sjellë kufizime buxhetore, ngecje në nisma legjislative, projekte infrastrukturore dhe reforma në drejtësi. Ai thotë se një ndër parimet kryesore të reformës në drejtësi duhet të jetë respektimi i ndarjes së pushteteve.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për tendencat e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë, duke bërë thirrje që politika dhe ekzekutivi të qëndrojnë larg ndikimit në gjyqësor dhe prokurori.

“Mendoj që ka pasur veprime që tregojnë tendencë për të ndërhyrë në drejtësi. Të nis prej reagimeve të liderëve institucionalë tek emrat e veçantë. T'i përmend si të padëshirueshëm për pozita udhëheqëse brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor, e deri tek thirrjet dhe tendencat që me e shpall konkurse, ose me marrë veprime konkrete. Sistemi i drejtësisë, Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, janë autoritete të pavarura, të cilat vendimmarrjen e tyre duhet ta bëjnë mbi bazë të ligjit dhe mbi bazën e nevojave e planifikimeve që ata i bëjnë, e jo mbi bazën e agjendave politike. Prandaj thirrja ime në këtë rast është që, politika dhe ekzekutivi me qëndru sa më larg ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë, por gjithmonë duke e mbështetur dhe duke u koordinuar e bashkëpunuar në interes të një reforme të mirëfilltë”, ka thënë Qelaj.

Zgjedhjet e fundit në Kosovë janë mbajtur më 7 qershor të këtij viti, ku fituese doli subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje.

Certifikimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është bërë ende, pas ankesa të disa kandidatëve për deputetë në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti ka deklaruar për media se pas certifikimit të rezultateve do të komunikojë me partitë politike për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve por edhe zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Zgjedhjet e kaluara janë mbajtur më 28 dhjetor dhe 9 shkurt, në të cilat po ashtu fituese ishte LVV-ja porqë nuk u arrit një marrëveshje në zgjedhjet e dhjetorit për zgjedhjen e presidentit. /KSP