Kori kosovar me këngën “Vjeshta”, në vitin 1972 fitoi çmimin e parë në Britani, ndërsa Ansambli shqiptar fitoi “Gjerdanin e Artë” në Dizhon të Francës. Shumë shpejt kori prej 72 vetash u ftua të këndonte dhe regjistrohej edhe në studiot e BBC-së. Arti shqiptar dhe ai kosovar triumfonin në Evropë nën kërcënimin e UDB-së. Historia dhe sukseset e “Collegium Cantorum”, njësoj sikurse muzika klasike dhe përhapja e këngë shqipe nëpër botë, lidhen me emrin e Mark Kaçinarit (20 janar 1935 – 19 nëntor 1985)
Laurant Bica
Më 16 shtator 1969 u themelua në Prishtinë kori “Collegium Cantorum” (Shoqata e Këngëtarëve), i cili, vazhdoi 16 vjet, dhe nën drejtimin e Gjergj Kaçinarit edhe 19 vjet të tjerë, pra, gjithsej 35 vjet! Në përbërje të korit kanë qenë gjithsej në vite 350-400 vetë. Shumica shqiptarë. Atë ditë të veçantë shtatori, Marku dhe bashkëpunëtorja Veronika Mjeda, hartuan listën e koristëve, gjithsej 40 vetë, ku përfshiheshin familjarë të tyre, shokë, miq, kolegë, njerëz që shquheshin për zë koristi. Të gjithë vendosën të themelonin një kor. Menjëherë Marku ia nisi këngës “Malet me blerim mbuluar”, në shqip. Pas asaj, u këndua një këngë serbe e Stefan Mekranjarit, kushtuar Kosovës. Kuptohet, atëherë ishte Jugosllavi dhe Marku e kuptonte këtë... Falë përpjekjeve të mëdha, pas tre vjetësh, dirigjenti Kaçinari arriti ta çonte Korin në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Langolem të Uellsit në Britani. Juria e festivalit, përmes kryetarit Sir Tomas Armstrong, muzikolog me famë botërore, do të jepte çmimin e dytë për kore. Marku, tërë emocion. Falënderoi tri herë. “Është një kor me aftësi të mëdha”, theksoi Sir Tomasi. Ndërkohë, kënga për kor të përzier “Vjeshta”, kompozuar nga Rexho Mulliqi fitoi çmimin e parë! Suksesi shoqërohej me fitimin e “Gjerdanit të Artë” në Dizhon të Francës nga Ansambli i Këngë dhe i Valleve i Shqipërisë. Shumë shpejt kori prej 72 vetash u ftua të këndonte dhe regjistrohej edhe në studiot e BBC-së. Ndër autoritetet e larta partiake të Kosovës, Marku gjeti mbështetje të madhe nga Pajazit Nushi, Mahmut Bakalli dhe Kolë Bitër Shiroka. Me të parin, Pajazitin, psikolog i njohur, Marku ideoi dhe realizoi programin e kremtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Marku ndihmoi në aspektin muzikor, Pajaziti organizoi Konferencën Shkencore. Në këtë kuadër në formë të koncertit, u shfaq opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi. Në këtë rast, Marku ishte njëkohësisht dirigjent i Korit dhe Orkestrës së Radio Prishtinës. Mahmut Bakalli i siguroi korit “Collegium Cantorum” një ndërtesë ku ai të kryente provat, Kolë Bitër Shiroka ishte një farë drejtori i prapavijës së Korit. Ndonëse vetë muzikant, Kola trajtonte anën financiare, teknike e të tjera. Për shembull, partiturat muzikore që pjesëtarët e Korit mbanin në duar kur këndonin, përgatiteshin nga Kola në 150 kopje, çdo shfaqje. Pesë ditë pas vdekjes së Markut, Kola nxori Buletinin nr.2 në shenjë nderimi e përkujtimi “In Memorium” kushtuar Mark Kaçinarit. Në vitet 1970 nisi një bashkëpunim kulturor ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Në këtë kuadër e vizitoi Kosovën zonja Rozmari Jorganxhi, atëherë dirigjente e Korit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Ajo kish studiuar në konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ndërsa Marku vetë në Beograd. Pasi zonja Rozmari punoi me korin “Collegium Cantorum”, dha në fund të muajit një koncert që pati shumë sukses. Vite më vonë, Rozmaria realizoi me Korin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Shqipërisë kantatën e Markut, “Bijtë e shqipes”, kushtuar periudhës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Shteti shqiptar dërgoi në Kosovë, atë kohë, edhe dirigjentin Gaqo Avrazi për të ndihmuar Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Ai u takua me muzikantë, kompozitorë e dirigjentë të Kosovës, sigurisht edhe me drejtuesin e “Collegium Cantorum”, Mark Kaçinarin. Gaqo Avrazi, themelues dhe drejtues i Ansamblit të Ushtrisë Shqiptare, së bashku me Mark Kaçinarin, që të dy i kthyen ansamblet përkatëse në shkolla, institucione të muzikës, nga ku dolën kuadro të shquara. Gaqoja, për shembull, nxori kompozitorin Çesk Zadeja etj., Marku këngëtaren e shquar operistike Merita Junikun e të tjerë. Që të dy ishin organizatorë të shkëlqyer të jetës muzikore, njëri në Shqipëri e tjetri në Kosovë. Në këtë takim po sjell disa fakte të njohura pak ose aspak nga jeta e Mark Pal Kaçinarit. Një studenti të tij në Fakultetin e Arteve, nga Presheva, që banonte në konvikt, Marku i dhuroi televizorin e vet të sapoblerë me autorizim (në atë kohë televizorët ishin të paktë, si në Shqipëri edhe në Kosovë). Për fat ish-studenti ndodhej në këtë takim! Ditën e përkujtimit të Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor, Marku u mësonte fëmijëve të vet (dy vajzave dhe djalit), duke luajtur në piano, Himnin tonë Kombëtar, të cilin më pas ata e këndonin si ritual familjarisht. Vërtet Markun nuk e kemi midis nesh që 40 vjet, por njerëzit që kanë bashkëpunuar me të janë një pjesë ende e gjallë, madje edhe midis nesh këtu. Ata mund të dëshmojnë shumë. E ndiej si detyrim moral ta përgëzoj bashkëshorten e tij të nderuar, zonjën fisnike Roza, që i ka ndenjur në krah, rreth dy dhjetëvjeçarë, shokut të jetës, i rriti tre fëmijë, i shkolloi, mbajti shtëpinë, iu bë krah Markut profesionalisht dhe në Kor, duke punuar njëkohësisht në Bankën e Kosovës si ekonomiste e lartë. Edhe në rastin e saj, gjen mishërim shprehja: “Prapa një burri të suksesshëm ndodhet një grua e fuqishme”. Këto 40 vjet pa të shoqin ajo ka ruajtur me fanatizëm arkivin historik të tij (dorëshkrime, leksione, partitura, mirënjohje, të paprekura). Me të vërtetë ajo ka ruajtur një vlerë kombëtare!

Mark Kaçinarin e përkujtojnë në Kosovë dhe në Shqipëri. Çesk Zadeja, Tish Dalija e të tjerë kanë shkruar artikuj, kanë folur në emisione radioje dhe televizione, në raste përvjetorësh. Muzikologu Engjëll Berisha, shok fëmijërie, bashkëstudent në Beograd, koleg në Universitetin e Prishtinës e gjetkë, organizoi në vitin 2005 një veprimtari përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të ndarjes nga jeta të Markut, së bashku me kompozitorët Zeqirja Ballata, Rexhep Munishi e të tjerë.
Minire Fetahu, gazetare e RTP-së dhe pjesëtare e korit “Collegium Cantorium” ka bërë, po në atë kohë, katër emisione televizive kushtuar figurës së Mark Kaçinarit. Gëzohem që shkolla e muzikës “Prenk Jakova” e Prishtinës, në këtë 40-vjetor përkujtimor, po mban këtë Tribunë Shkencore dhe këtë veprimtari muzikore me krijimet e Markut. Duke pasur parasysh personalitetin artistik të shquar të Mark Kaçinarit, profesor, kompozitor, themelues i “Collegium Cantorum”, organizator i veprimtarisë muzikore në Kosovë, shpreh mendimin që ia vlen të shkruhet një monografi kushtuar atij dhe një shkollë muzike të mbajë emrin e tij. Profesori Mark Kaçinari, ish-dekan i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, themeluesi i “Collegium Cantorum” dhe dirigjent i tij, që ka bërë aq shumë për përhapjen e muzikës klasike në Kosovë dhe të këngës shqiptare në botë, është një vlerë gjithëkombëtare shqiptare!
Ky tekst me titullin “Kori kosovar me këngën “Vjeshta”, në vitin 1972 fitoi çmimin e parë në Britani, ndërsa Ansambli shqiptar fitoi “Gjerdanin e Artë” në Dizhon të Francës”, u botua fillimisht në gazetën “Telegraf” të Shqipërisë në shtator të këtij viti. Ribotohet në shënim të 90-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit të vdekjes së Mark Kaçinarit
Lexo edhe: