Me tribunë muzikologjike dhe me një koncert në 90-vjetorin e lindjes, shkolla e muzikës “Prenk Jakova” ka nderuar veprimtarinë e kontributin jetësor të kompozitorit, dirigjentit, pedagogut e hartuesit të teksteve shkollore, Mark Kaçinari (1935 – 1985). “Përmes muzikës së tij, ai ka ndërtuar ura të forta lidhëse midis nesh dhe kulturës sonë, duke rritur ndjenjën e atdhedashurisë dhe duke qenë i guximshëm në aspektin përmbajtjesor të veprave të tij”, ka thënë drejtoresha e shkollës, Jeta Dida-Bujari. “Puna dhe vepra e kompozitorit paraqesin artin profesional dhe autokton që arriti të gërshetonte traditën, kulturën dhe profesionalizmin”, ka muzikologia Kristina Palokaj-Perkola
Aftësitë profesioniste të tij kompozitori Mark Kaçinari do t’i vinte në shërbim të zhvillimit muzikor në vend. Me aktivitete të shumta që nuk reshtën deri në fund të jetës së tij të shkurtër, ai do ta bënte të njohur jo vetëm emrin e tij, por edhe të Kosovës. Sukseset përktheheshin në çmime. Emri i tij rezonon si në edukimin e brezave në fushën e muzikës ashtu edhe në ngjarje të rëndësishme kulturore.
Kompozitori Mark Kaçinari ka qenë personaliteti i sivjetmë me të cilin shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë e ka përthekuar vitin akademik.
Të enjten në mesditë me tribunë muzikologjike dhe me një koncert në 90-vjetorin e lindjes janë nderuar veprimtaria e kontributi jetësor i kompozitorit, dirigjentit, pedagogut e hartuesit të teksteve shkollore, Mark Kaçinari.
Drejtoresha e shkollës së muzikës, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se për institucionin ky ka qenë një ndër vitet më të suksesshme pasi edhe feston 75-vjetorin e themelimit, por edhe si rrjedhojë e sukseseve. Ka konsideruar se “ky përvjetor është testament i përkushtimit dhe pasionit për artin muzikor që ka mbizotëruar në këtë institucion për më shumë se shtatë dekada”.
“Gjatë këtij viti kemi realizuar mbi 40 koncerte të një rëndësie të veçantë ku u paraqitën balerinët e shkollës, solistë të Korit dhe Orkestrës. Këto ngjarje u dedikohen gjithmonë personaliteteve që kanë lënë gjurmë në artin tonë të pasur kombëtar. Përmes këtyre aktiviteteve ne nderuam dhe jetësuam krijimtarinë e kompozitorëve tanë duke ndikuar në edukimin dhe njohjen e gjeneratave të reja me opusin e tyre krijues”, është shprehur ajo në fillim të ngjarjes që është mbajtur në sallën e koncerteve të “Prenk Jakovës” në Prishtinë.
Tashmë e ka bërë traditë që kapitujt e institucionit arsimor të mbyllen me koncerte a ngjarje të tjera që u bëjnë homazh personaliteteve që kanë lënë gjurmë në artin muzikor shqiptar.
“Ndër vite kemi nderuar figura si Aleksandër Peçi, Fahri Beqiri, Zeqirja Ballata, Rauf Dhomi dhe sivjet, në 75-vjetorin e themelimin e institucionit, në 90-vjetorin e lindjes, nderojmë kompozitorin Mark Kaçinari, artist i shquar që dha kontribut të rëndësishëm në fushën e artit në vend. Përmes muzikës së tij ai ka ndërtuar ura të forta lidhëse midis nesh dhe kulturës sonë, duke rritur ndjenjën e atdhedashurisë dhe duke qenë i guximshëm në aspektin përmbajtjesor të veprave të tij”, ka thënë Dida-Bujari.
Doktori i shkencave filozofike Laurant Bica dhe muzikologia Kristina Palokaj-Perkola kanë zbërthyer veprimtarinë, aktivitetin e krijimtarinë e njërës prej figurave më të shquara të skenës muzikore në vend.
Tek të dy emri i Mark Kaçinarit është i lidhur ngushtë me korin “Collegium Cantorum” të themeluar nga ai më 16 qershor 1969. E udhëhoqi për 16 vjet, deri në vdekje dhe më pas me Korin vazhdoi punën Gjergj Kaçinari.
Duke përmendur sukseset, Bica ka thënë se deri në 400 koristë kanë kaluar në Korin që udhëhiqte Kaçinari.
“Pa kaluar as tre vjet nga dita e themelimit, Marku me përpjekjet e veta arriti ta çonte Korin në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve që mbahej në Uells. Marku do të merrte çmimin e dytë në botë për kore”, ka thënë ai.
E shkathtësitë e profesionalizmin e jashtëzakonshëm e ilustron edhe me interpretimin e parë në histori të operës së parë të një kompozitori nga Kosova – “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit.
“Marku dha në formë koncerti operën e parë kosovare ‘Goca e Kaçanikut’ të kompozitorit Rauf Dhomi, pasi sallë opere nuk kishte Kosova, as atëherë e as sot një të tillë s’e ka. Marku u bë dirigjent i dyfishtë: dirigjent kori dhe i orkestrës së Radiotelevizionit të Prishtinës”, ka thënë Bica më tej.
Në vitin 1978 do të jepej premierë versioni i parë i kësaj vepre, ai koncertal, në Prizren e Prishtinë, nën drejtimin e Mark Kaçinarit. Më 21 korrik të vitit 1979, opera “Goca e Kaçanikut” do të jepej premierë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. E gati një gjysmëshekull pas, u shfaq si produksion i plotë operistik me krejt formacionet, më 23 shkurt të vitit të kaluar në një sallë private. Shfaqja pati ardhur në të njëjtat rrethana sa i përket infrastrukturës, me plot improvizime për ta bërë të shkëlqejë një hapësirë pa kushte minimale.
Muzikologia Kristina Palokaj-Perkola ka thënë se Kaçinari angazhimin e tij në muzikë e ka orientuar në dy drejtime: si krijues dhe si dirigjent e udhëheqës i korit “Collegium Cantorum”.
“Një figurë e tillë, e shquar në gjithë kompleksitetin e saj është ajo e kompozitorit Mark Kaçinari, i cili preokupim kryesor jetësor pati artin muzikor në të gjitha trajtat e tij. Puna dhe vepra e kompozitorit paraqesin artin profesional dhe autokton i cili arriti të gërshetonte traditën, kulturën dhe profesionalizmin”, ka thënë ajo.
Ajo është shprehur se Kori i drejtuar prej kompozitorit Kaçinari u bë një nga ansamblet korale më të rëndësishme midis viteve ’70 e ’80. Ka thënë se Kori fillimisht përbëhej prej 60 anëtarësh dhe përfshinin muzikantë, punëtorë, profesorë, juristë, mjekë e studentë nga Kosova.
“Brenda një kohe të shkurtër Kori fitoi një reputacion të gjerë në të gjithë Kosovën, falë punës dhe përkushtimit të vetë Mark Kaçinarit dhe anëtarëve të tij, duke fituar një status të veçantë. Kori kishte një hapësirë të veten për prova, sot objekti i Filharmonisë së Kosovës, dhe financohej nga buxheti krahinor i Kosovës”, ka thënë muzikologia Kristina Palokaj-Perkola.
Sipas muzikologes Palokaj-Perkola, për dhjetë vjet, në ansambël kaluan 352 anëtarë dhe u mbajtën rreth 296 koncerte. Ajo ka theksuar se mungon dokumentacion e përpjekje për një studim mbi jetën e veprën e Kaçinarit.
“Fatkeqësisht, pothuajse të gjitha gjurmët e dokumentacionit, duke përfshirë fotografi, fletushka koncertesh, lista të pjesëmarrjes në prova, çmime, nuk janë ruajtur ndër vite ose janë humbur dhe, për më tepër, nuk është bërë asnjë përpjekje serioze për të krijuar një studim monografik për jetën dhe veprën e dirigjentit Mark Kaçinari apo për aktivitetin e Korit”, ka thënë ajo më tej.
Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” ka mbajtur edhe një koncert si homazh për veprën e Mark Kaçinarit.
I lindur më 20 janar të vitit 1935 në Prizren, Kaçinari ishte pjesë e brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova që përfunduan Akademinë e Muzikës. Më pas studioi kompozimin në Fakultetin e Muzikës në Shkup dhe më pas ndoqi studimet pasuniversitare për dirigjim në Beograd.
Ai ishte një nga pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ku dha mësim në Degën e Edukatës Muzikore. Me themelimin e Degës së Muzikës në Akademinë e Arteve në Prishtinë në vitin 1975, u transferua në këtë institucion ku dha mësim lëndën e solfezhit. Në vitin 1984, Kaçinari u emërua dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës, post që e mbajti deri në ndarjen e tij nga jeta, në vitin 1985.