Shtojca për Kulturë

“Libri im i kujtimeve” i Rafet Rudit, i pari libër autobiografik i një kompozitori shqiptar

Në një shoqëri ku kujtesa institucionale shpesh është e dobët, kujtimet e individëve si Rafet Rudi ndihmojnë në ndërtimin e një narrativi të përbashkët për identitetin kulturor dhe artistik të Kosovës (Foto: Visar Kadrolli)

Në një shoqëri ku kujtesa institucionale shpesh është e dobët, kujtimet e individëve si Rafet Rudi ndihmojnë në ndërtimin e një narrativi të përbashkët për identitetin kulturor dhe artistik të Kosovës (Foto: Visar Kadrolli)

Autobiografia e Rafet Rudit është një rrëfim i pasur dhe i ndier, që tejkalon përmasat e një jete personale për të ofruar një pasqyrë të gjerë dhe të thellë të zhvillimeve historike, kulturore dhe artistike në Kosovë që nga paslufta e dytë botërore deri në ditët tona. Ajo ndërthur kujtimet intime me rrjedhat kolektive, duke dhënë një panoramë të gjithanshme të një kohe të trazuar dhe të një kulture në ndërtim e sipër

“Libri im i kujtimeve” i profesor Rafet Rudit është libri më i fundit syresh nga autobiografitë e kompozitorëve që njohim deri më tani, dhe e para autobiografi e një kompozitori shqiptar. Kur përmenda faktin që ky libër është libri më i fundit nga autobiografitë e kompozitorëve që njohim, më erdhën ndërmend “Memuaret” e Hektor Berliozit, një nga autobiografitë më të njohura të shkruara deri më sot nga një kompozitor, shkruar me stil shumë personal, plot humor dhe kritika dhe që çmohet si botim pasi jep një pasqyrë për jetën muzikore të shekullit XIX në Francë dhe për personalitetin e tij gjithashtu; më tej “Jeta ime” e Vagnerit, e shkruar me porosi të mbretit Ludwig II të Bavarisë ku përfshihen përvojat e tij si kompozitor, filozofitë e tij dhe marrëdhëniet personale; sigurisht Stravinski me “Kronikat e jetës sime”, e vlerësuar si një autobiografi artistike që përshkruan rrugëtimin e tij si kompozitor modern dhe marrëdhëniet me artistë të tjerë; e së fundi edhe dy vëllimet e Aaron Coplan, ku përshkruan jetën dhe karrierën e tij në mënyrë të detajuar, së bashku me një pasqyrë të shkëlqyer të muzikës amerikane në shekullin XX. Në këtë listë botimesh, tash e mbrapa do të zërë vendin e vet të nderuar edhe libri i profesor Rafet Rudit. Kur thashë se është njëherazi e para autobiografi e një kompozitori në hapësirën tonë mbarëkombëtare, gjithashtu pohova një të vërtetë, se “Libri im i kujtimeve” është i pari botim i një kompozitori shqiptar në të gjitha kohët. Kam pasur rastin që të njoh nga afër shumicën e kompozitorëve shqiptarë dhe me një tentative për të shkruar një Autobiografi të plotë nga Kristo Kono, por që nuk e gjeti rrugën e botimit, kompozitorët e tjerë të shquar, ndër ta Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Tish Daija, Feim Ibrahimi mund të kenë shkruar disa faqe për jetën e tyre, por jo një autobiografi të plotë siç përmenda më sipër. Dhe ja ku kemi më në fund një autobiografi të plotë të një krijuesi shqiptar të muzikës që është shumë i mirëpritur. Të kthehemi te Rafeti.

Autobiografia e Rafet Rudit është një rrëfim i pasur dhe i ndjerë, që tejkalon përmasat e një jete personale për të ofruar një pasqyrë të gjerë dhe të thellë të zhvillimeve historike, kulturore dhe artistike në Kosovë që nga paslufta e dytë botërore deri në ditët tona. Ajo ndërthur kujtimet intime me rrjedhat kolektive, duke dhënë një panoramë të gjithanshme të një kohe të trazuar dhe të një kulture në ndërtim e sipër. Librin e kujtime të Rafetit e shoh të rëndësishëm në këto aspekte: Si një dëshmi personale e njëherazi historike. Nuk është e tepërt të them se Rafet Rudi është një figurë qendrore në zhvillimin e muzikës serioze në Kosovë. Sot në muzikë, figurat që janë ende gjallë, që përfaqësojnë ngarkesa edhe historike edhe kulturore më së shumti i gjejmë në Kosovë dhe Rafet Rudi është një prej tyre. Bie dakord me klasifikimin që prof. Berisha u ka bërë krijuesve të muzikës në Kosovë duke i ndarë ata në tri gjenerata të lidhur me tri faza të zhvillimit të saj: gjenerata e parë në vitet (1945-1955) ka si përfaqësues kryesor kompozitorin Lorenc Antoni; faza e dytë në vitet (1955-1965) ka si përfaqësues kryesor kompozitorin Rexho Mulliqi dhe faza e tretë në vitet (1965-1975) ka si përfaqësues kryesorë Fahri Beqirin, Esat Rizvanollin Akil Kocin, Zeqirja Ballatën, Rauf Dhomin dhe Rafet Rudin. Nisur nga kjo, Autobiografia e tij ofron një dëshmi të drejtpërdrejtë nga një protagonist që ka qenë pjesë aktive e ngjarjeve muzikore, artistike e kulturore, politike dhe jo vetëm të vendit duke qenë një dëshmi gjithëpërfshirëse e muzikës në Kosovë. Këtë e konstatoj sidomos te kapitulli “Jeta muzikore përmes personazheve” “Periudhë krenarie dhe pikëllimi - Akademia e Muzikës (1975-1991)”, “RTP-ja, bosht i zhvillimit muzikor 1975-1990”, apo “Deinstitucionalizimi kulturor i viteve ‘90” etj.

Aspekti tjetër i librit ka të bëjë me “Dokumentim e zhvillimeve muzikore në Kosovë”. Dihet se muzika e kultivuar në Kosovë u zhvillua kryesisht pas Luftës së II Botërore. Në mungesë të shumë dokumentimeve institucionale për historinë e muzikës në Kosovë, rrëfimi i Rudit mbush boshllëqe të rëndësishme: si janë krijuar institucionet muzikore, sfidat e muzikantëve, apo rruga drejt profesionalizimit të muzikës artistike në vend. Theksoj sidomos periudhat e trazuara të pasluftës dhe të tranzicionit. Shih kapitujt për “Deinstitucionalizimi kulturor i viteve ‘90”, “Promovimi kulturor përmes festivaleve”. Libri shërben si një akt kujtese. Në një shoqëri ku kujtesa institucionale shpesh është e dobët, kujtimet e individëve si Rafet Rudi ndihmojnë në ndërtimin e një narrativi të përbashkët për identitetin kulturor dhe artistik të Kosovës, sidomos te kapitulli “Roli i Shoqatës së Kompozitorëve në jetën muzikore 1969-1999”, tek etj.

Si pedagog, dirigjent dhe kompozitor, Rudi ka ndikuar drejtpërdrejt në edukimin e brezave të rinj. Autobiografia e tij mund të shërbejë si frymëzim për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e muzikës, duke treguar se suksesi është i mundur edhe në kushte të vështira. Kam parasysh këtu kapitujt që rrëfejnë përpjekjet personale të prof. Rafetit për t’u bërë ky që është sot, si për shembull “Hyrja në botën e muzikës” apo “Periudha parisiene” etj. Duke trajtuar jo vetëm zhvillimet muzikore, por edhe ato shoqërore e kulturore, Rudi jep një pasqyrë të gjerë të realitetit kosovar ndër vite. Kjo e bën librin të vlefshëm jo vetëm për muzikologët, por edhe për studiues të historisë, kulturës dhe sociologjisë. Me tërhoqi veçanërisht kapitulli “Mes dirigjimit dhe kompozimit” apo “Jusufi –  revolucionari melankolik”.

Duke e mbyllur, përshëndes dhe uroj prof. Rudin për këtë vepër thelbësore në muzikologjinë tonë, pasi autobiografia e Rafet Rudit është një burim unik që ndërthur përvojën personale me rrjedhat kolektive të një kulture në zhvillim, dhe për këtë arsye përbën një pasuri të çmuar e shumë të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Autori është nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë