Vepra jetësore e Rexhep Qosjes dëshmon për një dinamikë komunikimi të vetëdijes shkencore me vetëdijen politike kombëtare të tij. Vetëdija e studiuesit të letërsisë, qysh në gjysmën e dytë të viteve ‘60, do të jetë përgjigjja prospektive e vetëdijes politike të intelektualit të angazhuar për fatet e kombit të vet në mesin e viteve ‘80 e deri më sot
Hyrje
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPuna intelektuale e krijuese-artistike e akademik Rexhep Qosjes është e shumanshme dhe shtrihet në fusha të ndryshme të dijes e të aktivitetit shpirtëror: si eseist, si historian i letërsisë, si kritik letrar, si prozator, si dramaturg, si publicist, si polemist e të tjera. Pohimi i shqiptuar më lart nuk përbën as rëndësinë e një informacioni, e aq më pak – parë në vetvete – përbën ndonjë vlerë njohëse shkencore në lidhje me kontributin e veprimtarisë shkencore e letrare të Rexhep Qosjes në kulturën shqiptare. Numërimi i profileve të ndryshme krijuese të prof. Rexhep Qosjes është çështje faktesh empirike. Ajo që përbën vlerë kuptimore për interesin tonë njohës është çështja se si të arrihet te kuptimi i vlerës së këtyre fakteve në tërësinë dhe njëjtësinë brenda funksionit të tyre emancipues për kulturën letrare shqiptare, në veçanti, dhe të qenies shqiptare, në përgjithësi.
Për një trajtim qenësor të veprimtarisë së shumanshme të prof. Rexhep Qosjes konsiderojmë se vëmendja e studiuesit duhet të drejtohet në këto çështje:
- Çfarë është ajo që e përcakton unicitetin në diversitete profilesh krijuese e intelektuale të Rexhep Qosjes?
- Cila është baza që e përcakton unicitetin brenda diversitetit të profileve krijuese e intelektuale të Rexhep Qosjes?
- Cilat janë efektet e veprimtarisë shpirtërore dhe intelektuale të Rexhep Qosjes në strukturën e të menduarit të njeriut tonë në kushtet e kolonializmit jugosllav dhe të diktaturës komuniste në Shqipëri?
Të gjitha këto problematika ngrihen si pasojë e nevojës për identifikimin e karakterit emancipues të veprës tërësore të Rexhep Qosjes.
Baza e karakterit emancipues të krijimtarisë së Rexhep Qosjes?
Përcaktimi i bazës së karakterit emancipues të krijimtarisë së Rexhep Qosjes, paraprakisht, imponon nevojën për përkufizimin e konceptit të emancipimit, i cili në periudha dhe nga autoritete të ndryshme të dijes është konceptuar në mënyra të ndryshme. Emancipimi si koncept përmban dy aspekte: a) në njërën anë, ai përfaqëson aktin e shkëputjes “nga diçka” që e pengon zhvillimin e qenies njerëzore, “nga diçka” që është kufizuese, si: tradicionalizmi, ideologjia, morali i caktuar etj.; dhe b) përfaqëson aspektin e kuptimit të asaj që është penguese për gjenerimin e energjive krijuese njerëzore. Në rastin e parë, emancipimi shihet në raport me masën e ndryshimit të fakteve empirike; në rastin e dytë, emancipimi shihet në raport me zhvillimin e fuqive të të kuptuarit. Në teorinë e vet të njohjes, Jürgen Habermasi -– emancipimin e sheh si rezultat të lidhjes së pandarë që ekziston midis fakteve dhe kuptimit. Emancipimi pa dimensionin e kuptimit, i parë vetëm në kufijtë e dimensionit të fakteve empirike, është tejet i reduktuar, sepse në atë mënyrë ai zhvishet nga karakteri i tij transcendental. Ndërrimi i fakteve empirike e sjell emancipimin “nga diçka” paraprake. Ky lloj i emancipimit ndërlidhet me përmasën e aktualitetit të qenies (politike, sociale, kulturore, ekonomike, religjioze etj.). Ndërkaq, emancipimi përmes të kuptuarit, e fut në veprim edhe përmasën e potencialitetit të qenies njerëzore. Emancipimi “nga diçka” është refleksiv, që kushtëzohet nga faktorët e jashtëm; emancipimi me përmasën e të kuptuari gjithnjë është reflektiv, që vjen nga brenda dhe çon në një vetëdije të transformuar. Emancipimi nga një dogmë politike mund të burojë nga një arsye e re dogmatike, e cila i sjell një robërim të ri mendjes, ndërsa emancipimi që arrihet përmes arsyes kritike në mënyrë analitike e arrin fuqinë mbi paragjykimin dogmatik.
Në teorinë kritike të Habermasit, vetëreflektimi – përmes të cilit prodhohet kuptimi – përbën kategorinë themelore dhe rrugën e vetme të ndershme për emancipimin e njeriut. Vetëreflektimi, si njohje e gjendjes së unit, përmes vlerësimit, gjithnjë është në një proces negocimi e verifikimi të vetëdijes me mundësitë e unit. Vetëreflektimi – për Habermasin – sjell në vetëdije determinantë të një procesi vetëformues, të kultivimit dhe formimit shpirtëror, që ideologjikisht e përcaktojnë një praktikë bashkëkohore të veprimit dhe konceptimit të botës. Vetëreflektimi është një fuqi e gjallë vepruese, sepse ai nuk e bën ndarjen e fakteve nga vlerat. Për këtë arsye Habermasi – në teorinë e tij të njohjes – është kundër pohimit pozitivist që e barazon dijen pa vlera me faktet shkencore.
Nevojat ekzistenciale
Pyetjes sonë se çfarë e përcakton bazën emancipuese të krijimtarisë së Rexhep Qosjes, pas saktësimit të përmbajtjes së konceptit të emancipimit, mund t’i përgjigjemi se karakterin emancipues të krijimtarisë së Rexhep Qosjes e përcakton aftësia e arsyes emancipuese të tij për reflektim metahermeneutikë, e kjo do të thotë aftësia e arsyes për të identifikuar, kuptuar dhe afirmuar jo vetëm nevojat njohëse që burojnë nga dimensioni i aktualitetit, por në mënyrë të veçantë të atyre nevojave që gëlojnë në dimensionin e potencialitetit të qenies sonë kombëtare e njerëzore.
Njohja e nevojave të karakterit transcendental, si dhe zotërimi i kuptimit të këtyre nevojave dhe prirjeve, të cilat janë në funksion të ndërtimit, konsolidimit dhe zhvillimit të qenies njerëzore dhe kombëtare shqiptare në rrafshin kulturor, shkencor dhe politik, përbën këpujën lidhëse, e cila e krijon unitetin e brendshëm të shumësisë së profileve të qenies intelektuale të Rexhep Qosjes. Të shfaqurit e qenies intelektuale në fusha të ndryshme veprimtarish shpirtërore të Rexhep Qosjes nuk ka lindur nga nevoja formale për të hartuar një listë nevojash imediate për ekzistencën e qenies kombëtare shqiptare, por është një nevojë e shtyrë nga nevoja për qartësimin dhe destinimin shoqëror të këtyre nevojave.
Aftësinë për të vendosur standarde të larta në kuadër të angazhimit të vet jetësor – në kuadër të punës intelektuale e krijuese – Rexhep Qosja nuk do ta zhvillojë vetëm duke u drejtuar nga racionaliteti emancipues që identifikon dhe zotëron kuptimin e nevojave dhe të prirjeve zhvillimore të qenies njerëzore e kombëtare shqiptare (si atribut i rëndësishëm i realitetit të qenies njerëzore), por edhe duke i zhvilluar aftësitë e racionalitetit emancipues për t’u mbështetur në struktura të qëndrueshme deontologjike e epistemologjike.
Ideja për Veten si kusht i vetërefleksionit emancipues
Vetëreflektimi habermasian, si akt i njohjes që shpie në emancipim, është i pamundur pa përfshirjen e Vetes, si subjekt i njohjes dhe si subjekt që njeh. Vetëdija e të qenit subjekt dhe aftësia e vetëdijes për ta përkufizuar qartë karakterin e subjektit, përbën bazamentin e fuqisë vetëreflektuese, si rrugë për emancipim. Në këtë kontekst, mund të themi se të shfaqurit e qenies në fusha të ndryshme veprimtarish shpirtërore të Rexhep Qosjes, është kondicionuar nga arsyeja emancipuese, e cila – për ndryshim nga arsyeja instrumentale me karakterin e saj përjashtues e margjinalizues – me karakterin e saj integrues e gjithëpërfshirës, në njërën anë, do të veprojë e nxitur nga nevojat për kuptimin, vlerësimin dhe zotërimin e idesë për Veten (kolektive në rrafshin politik, kulturo, historik, letrar, gjuhësor), si një e tërë e pandarë dhe, nga ana tjetër, duke drejtuar interesat emancipuese njohëse drejt identifikimit të nevojave që e përcaktojnë kahun e zhvillimit të pjesëve të Vetes në marrëdhënie me njëra-tjetrën dhe me të tërën.
Fuqitë reflektuese në krijimtarinë intelektuale e shpirtërore të Rexhep Qosjes janë në raport të drejtë me masën e saktësisë që ai do ta ketë për konceptin e Vetes, si epistemë, si dhe masës së përfshirjes së saj në procesin e vetërefleksionit, si objekt i njohjes dhe si subjekt që njeh. Në fushën e krijimtarisë letrare, i diktuar nga ndërgjegjja autentike krijuese, e jo e rreme, Rexhep Qosja do të na e “zbulojë” nga “fshehja” autenticitetin e ekzistencës së qenies së Vetes sonë. Ndërsa përmes krijimtarisë në fushën e shkencës së letërsisë Rexhep Qosja do të na i zbulojë fuqitë reale që letërsia shqipe ka përdorur për prodhimin e qenies së Vetes sonë në autenticitetin e ekzistencës së saj.
E kuptuar si një fuqi qëllimore, Ideja për Veten në punën intelektuale të Rexhep Qosjes, do ta përcaktojë karakterin dhe funksionin e aparaturës njohëse të tij (si në fushën e krijimtarisë letrare ashtu edhe në atë shkencore), tipin e arsyes emancipuese, e jo të instrumentalizuar, karakterin emancipues të interesave njohëse, si dhe mjetet kognitive (konceptin për të vërtetën, teoritë dhe metodat). Në fakt Ideja për Veten në punën krijuese të Rexhep Qosjes ontologjikisht do ta përcaktojë karakterin e interesave njohëse dhe karakterin e së vërtetës. Ideja për veten dhe interesat njohëse në krijimtarinë e Rexhep Qosjes reciprokisht janë të ndërlidhura. Ato e prodhojnë dhe e mirëmbajnë reciprokisht njëra-tjetrën. Ideja për veten, në veprimtarinë krijuese të Rexhep Qosjes, e përmban idenë për të vërtetën dhe idenë për lirinë, gjë kjo që arsyes emancipuese të tij do t’ia mundësojë identifikimin e interesave të vërteta njohëse, e kjo do të thotë se do t’ia mundësojë shënjimin dhe përkufizimin e saktë të objektit të njohjes (në fakt të problemit, zgjidhja e të cilit është përcaktues për emancipimin e vetëdijes që e kërkon sigurimin e mirëqenies fizike, morale e intelektuale të ekzistencës së Vetes përmes kërkimit të kuptimit ), si dhe vënien në lëvizje të dëshirës (vullnetit) për zotërimin noetik të tij. Identifikimi i interesave emancipuese njohëse, në mënyrë të shkallëzuar, në krijimtarinë e Rexhep Qosjes do të prodhojë qartësi në zgjedhjen dhe përdorimin adekuat të kategorive kognitive (koncepteve, teorive, metodave, disiplinave).
I interesuar për ta kuptuar dhe vlerësuar realitetin e Vetes sonë në dimensionin e aktualitetit dhe të potencialitetit të saj, Rexhep Qosja në punën e tij operon me të vërtetën të konceptuar si proces i zhvillimit të së tërës, e jo si akt i pjesës (letrare, kulturore e politike). E vërteta është e tëra, e cila në konceptin hegelian, është esenca e cila përfundon me zhvillimin e vet. I drejtuar prej interesave njohëse emancipuese, e vërteta e tillë e fut në lëvizje përmbushjen e qëllimit të idesë për Veten (si totalitet), në fakt të realizimit të saj, duke iu kundërvënë kritikisht shtrëngesave dhe kufizimeve që e pamundësojnë zhvillimin e saj.
Shtrohet pyetja: Çfarë është ajo që krijon kohezionin e brendshëm brenda një vetëdijeje të veçantë, si dhe ndërmjet vetëdijeve të ndryshme që e hasim brenda tërësisë së veprës së Rexhep Qosjes?
Doktrina epistemologjike e racionalizmit kritik
Racionalizmi kritik, si doktrinë epistemologjike, dhe iluminizmi, si botëkuptim ndaj botës, përbëjnë platformën e përbashkët ku veprojnë vetëdije të ndryshme njohëse të Rexhep Qosjes. Këto dy shtylla të platformës njohëse do të përcaktojnë karakterin, përmbajtjen, marrëdhëniet, rendin dhe funksionet e koncepteve teorike e estetike-letrare, historiko-letrare, kulturologjike e politike që Rexhep Qosja do t’i përfshijë në punën e tij krijuese. Racionalizmi kritik, si doktrinë epistemologjike dhe iluminizmi, si botëkuptim për botën, janë nyja lidhëse në të gjithë rrjetin e angazhimit intelektual të Rexhep Qosjes: lidhjen ndërmjet mjeteve dhe qëllimeve, natyrës dhe funksioneve të objekteve, me anë të të cilave vetëdije të ndryshme krijuese, duke vepruar në to, jo vetëm brenda vetes së tyre, por edhe në raport dhe në marrëdhënie me fushat e tjera arrijnë të krijojnë unitetin e brendshëm dhe individiumin shkencor e krijues të Rexhep Qosjes.
Racionalizmi kritik, si doktrinë epistemologjike, bazohet dhe drejtohet prej interesave të arsyes emancipuese, të cilat, në pikëpamjen e Habermasit – për ndryshim nga interesat praktike dhe teknike njohëse, që kanë të bëjnë me kontrollin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë në një bashkësi – kanë të bëjnë me fuqizimin e aftësive të individit dhe shoqërisë për të marrë kontrollin e jetës së tyre në mënyre autonome dhe të përgjegjshme. Kritika buron nga interesat emancipuese njohëse, dhe vetëm përmes tyre ajo është e aftë të ngadhënjejë mbi dogmatizmin. Arsyeja emancipuese që drejtohet prej interesave emancipuese njohëse, në betejën midis kritikës dhe dogmatizmit, në secilën shkallë të emancipimit, do të arrijë fitore të re. Racionalizmi kritik do të jetë ajo platformë epistemologjike, e cila Rexhep Qosjen në angazhimin e tij shkencor e krijues do ta bëjë të jetë i hapur ndaj ideve të tjera, ndaj metodave dhe teorive, ndaj procedimeve të ndryshme krijuese letrare.
Përmes racionalizmit kritik, Rexhep Qosja do ta vendosë një standard, me anë të të cilit do të bëhen të dukshme nevojat reale që e mundësojnë zhvillimin e Vetes sonë duke i përveçuar ato nga nevojat false, si dhe, përmes tij, të bëjë interpretimin e atyre nevojave. Mbi bazën e racionalizmit kritik ai do të arrijë t’i korrektojë gabimet dhe lajthitjet tashmë të çimentuara në mënyrat e gabuara të të konceptuarit dhe të të menduarit për letërsinë, për shkencën e letërsisë, për kulturën, për gjendjen politike shoqërore e historike, në të cilën do të jenë shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, në radhë të parë për shkak të idesë së shtrembëruar për Veten, e cila në Shqipëri do të vijë nga shtypja e diktaturës komuniste, ndërsa në Kosovë nga shtypja e kolonializmit të Jugosllavisë Avnojane. I udhëhequr nga arsyeja emancipuese njohëse, Rexhep Qosja do t’iu kundërvihet nevojave të rrejshme për Veten që, përmes arsyes teknike njohëse, në Kosovë i diktonte dogmatizmi i kolonializmit jugosllav, dhe nevojave të shtrembëruara për Veten që, përmes arsyes empirike instrumentale në Shqipëri i diktonte dogmatizmi i ideologjisë klasore. Kolonializmi jugosllav, përmes arsyes instrumentale, idenë për Veten shqiptare, si kategori deontologjike në njohje, do ta njehsojë me vetëdijen kozmopolite. Kolonializmi jugosllav duke afirmuar racionalitetin teknik objektiv, që drejtohet nga njohja e “gjësë objektive”, do ta pamundësojë emancipimin për shkak se do ta nxjerrë jashtë procesit të refleksionit Veten, si subjekt autentik njohës dhe si kusht i realizmit të tij. Përjashtimi i Vetes, si subjekt, e bën të parëndësishëm dhe të panevojshëm njohjen e vlerës së një gjëje. Kërkimi i objektivitetit shkencor në “gjënë”, por pa Veten tonë, si objekt i njohjes dhe si subjekt njohës, është një teknicizim i njohjes. Përderisa Vetja është në qendër të refleksionit letrar, shmangia e Vetes nga procesi i të menduarit shkencor për letërsinë do të thotë shmangie ndaj detyrës parësore të njohjes, në emër të objektiviteti. Objektiviteti që e përjashton Veten, është racionalizëm abstrakt, është racionalizëm irracional, në thelb dogmatik.
Ideologjia klasore në Shqipëri, përkundër kolonializmit jugosllav idenë për Veten, si kategori deontologjike në njohje, do ta njehsojë me vetëdijen klasore. Çdo entitet tjetër njerëzor që do të bjerë në kundërshtim me vetëdijen klasore, do të konsiderohet si armike e idesë për Veten tonë. E vërteta, që bazohet në teorinë e përputhjes së vetëdijes klasore me realitetin empirik konsensual, do të jetë e vërtetë iluzore, e rrejshme. Teoria e tillë e shtrembëruar për të vërtetën do ta diktojë edhe qëndrimin e shtrembëruar që subjektet e refleksionit dhe e precesionit (në krijimtarinë shkencore dhe atë letrare) do ta kenë ndaj idesë për Veten. E ndodhur midis egos dhe vetëdijes joautentike, e vërteta e falsifikuar e idesë për Veten do të prodhojë precesione dhe koncepte të shtrembëruara për realitetin e qenies së Vetes, si në krijimtarinë shkencore ashtu edhe në atë letrare shqiptare. Konsideroj se këtu duhet kërkuar shkakun ontologjik të dështimit deontologjik të pjesës më të madhe të krijimtarisë (shkencore e letrare) që është krijuar e ndikuar nga ideologjia klasore në Shqipëri. Sepse, krijimtaria e tillë, duke u bazuar në idenë e shtrembëruar për Veten, është vënë në shërbim të së vërtetës së shtrembëruar dhe idesë së shtrembëruar për lirinë. Çdo formë e të menduarit, çdo formë e njohjes, e cila nuk përmban në vete qartësi dhe saktësi maksimale për idenë ndaj Vetes, së vërtetës dhe idesë së lirisë, gjithmonë do të jetë e predispozuar të jetë material për arsyen instrumentale, e jo emancipuese.
Në shkencën e letërsisë shqiptare, Rexhep Qosja, duke pasur qartësinë e duhur për idenë për Veten, si kusht i vetërefleksionit – përkundër shkencës së letërsisë që krijohej në Shqipëri, e cila, e diktuar nga ideja për Veten sipas kriterit të vetëdijes klasore, gjithë prodhimin letrar shqiptar që nuk do t’i përshtatet kësaj ideje, do ta lërë jashtë faqeve të historiografisë së letërsisë shqipe – qysh në gjysmën e dytë të viteve ‘60 do ta ngrejë nevojën për trajtimin e njësishëm të letërsisë shqipe. Në gjysmën e dytë të viteve ‘80 dhe në vitet ‘90, në kontekstin e fillimit të rënies së ngrehinës të quajtur Jugosllavi, si askush prej klasës së atëhershme të inteligjencies shqiptare, Rexhep Qosja guximshëm do ta ngrejë nevojën e të ekzistuarit të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Mund të thuhet se shkaku i njohjes së prirjeve dhe nevojave shpirtërore kombëtare, që e hasim në veprën kritike letrare të Rexhep Qosjes, buron prej qëllimit që përmban njohja e prirjes dhe nevojës së të zhvilluarit në mënyrë të njësishme të kombit shqiptar në një shtet të vetëm, që e hasim në veprën politike e publicistike të tij. Nuk është e vështirë për të hetuar këtu se pikëpamja për njësinë letrare e kulturore shqiptare korrespondon me pikëpamjen politike për bashkimin kombëtar, si kusht për zhvillimin kolektiv të shqiptarëve në perspektivën historike.
Vepra jetësore e Rexhep Qosjes dëshmon për një dinamikë komunikimi të vetëdijes shkencore me vetëdijen politike kombëtare të tij. Vetëdija e studiuesit të letërsisë, qysh në gjysmën e dytë të viteve ‘60, do të jetë përgjigjja prospektive e vetëdijes politike të intelektualit të angazhuar për fatet e kombit të vet në mesin e viteve ‘80 e deri më sot.
Përfundim
Fuqitë emancipuese nuk maten me masën e zbatimit të teorive, të metodave dhe shumësisë së këndvështrimeve. Fuqitë emancipuese njerëzore maten, në radhë të parë, nga forcat aktive të vullnetit që përmbajnë subjekte të caktuara për ta përkufizuar qartë idenë për Veten dhe interesat njohëse emancipuese . Forcat aktive të vullnetit në punën krijuese e intelektuale të prof. Rexhep Qosjes do të jenë motori që do ta vënë në lëvizje mendimin e tij në frontin e bërjes dhe vetëbërjes së Vetes sonë komb me vetëdije moderne kulturore.
Fusnotat dhe bibliografia janë hequr nga Redaksia