Në Kosovë e përjetojnë si ikonë, si tonin që ia doli. Sërish, po ashtu qëndron ajo që e pengon shumëkënd – nuk e ndërtoi famën në filma krejtësisht shqiptarë dhe shpesh luajti në serbo-kroatisht. Sikur dikush të të thotë – “jemi krenarë me ty, por nuk përputhesh deri në fund”. Sepse “je i martuar me serbe”, “po jeton në Beograd, nuk luajtët në asnjë film shqip!!!” Pra sikur ta pranojnë fitoren, por të refuzojnë të nënshkruajnë paqen. Në 90-vjetorin e lindjes së ikonës botërore të filmit, Bekim Fehmiu
Pas viteve të atij kafazi të lustruar, lind mendimi që e ndryshon drejtimin – ndoshta lufta e vërtetë nuk është atje ku janë reflektorët më të mëdhenj, ndoshta “lufta e vërtetë fillon kur kthehesh atje ku emri yt thotë diçka... ku mbiemri të ngjall reagim, ku gjuha t’i mbyll dhe t’i hap dyert”.
Pikërisht atëherë, kur të tjerët vazhdojnë ta ndjekin angazhimin e radhës në Perëndim, ai fillon të kërkojë rolin që nuk e shet fytyrën e vet, veç e rrëzon përfytyrimin për të. Rolin i cili nuk luhet për tregun, por kundër klisheve. Rolin që merret si përgjigje, thuajse si sfidë. Dhe ajo sfidë do ta çojë mbrapa në rajon. Drejt e në hapësirën ku arti pushon së qeni argëtim dhe bëhet detonim politik. Rolin e kërkoi si thikë, jo si zbukurim. Dhe, kur më në fund pranoi një rol që mund t’i presë klishetë, e kuptoi se në rajonin e tij, as Shekspiri nuk luhet vetëm për shkak të Shekspirit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDëshmi se mund të kalohet nga periferia në qendër
Bekim Fehmiu qysh atëherë ishte ai të cilin njerëzit e shqiptonin si dëshmi, dëshmi se mund të kalohet nga periferia në qendër, nga një tregim në tjetrin. Nga një lëkurë në tjetrën. Dhe pikërisht aty qëndron ajo e vërteta e pakëndshme. Kur bëhesh simbol, pushon të qenit vetëm njeri. Nisin të të ngrehin nga të gjitha anët, si flamurin të cilin çdokush do ta ketë në ballkonin e vet, e tek ai ky simbol ishte veçanërisht i papërshtatshëm. Në Kosovë, e përjetojnë si ikonë, si tonin që ia doli. Sërish, po ashtu qëndron ajo që e pengon shumëkënd – nuk e ndërtoi famën në filma krejtësisht shqiptarë, dhe shpesh luajti në serbo-kroatisht. Sikur dikush të të thotë – “jemi krenarë me ty, por nuk përputhesh deri në fund”. Sepse “je i martuar me serbe”, “po jeton në Beograd, nuk luajtët në asnjë film shqip!!!” Pra sikur ta pranojnë fitoren, por të refuzojnë të nënshkruajnë paqen. Për publikun nga jashtë kjo mund të tingëllojë si imtësi, por për njeriun që bartë mbiemrin dhe prejardhjen në rajonin i cili i mat rruazat e gjakut si argument, është minë.
Çdo fjali që e shqipton në një gjuhë bëhet armë në dorën e tjetrit. Çdo zgjedhje, madje edhe profesionale, fiton çmimin politik dhe prandaj kur atij, në periudhën nga nëntori 1981 deri në janar 1982, i ofrojnë të luajë “Hamletin” në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë, ky nuk është vetëm angazhim, por thirrje për dyluftim. Bekimi pranoi me dëshirë që para publikut të Prishtinës të flasë shqip, sepse për këtë shpesh e kanë akuzuar në Kosovë. Mirëpo, duket se në qytetin ku identiteti lexohet nga fytyra, “Hamleti” nuk është vetëm princ që mendon për vdekjen, por njeri që shtron pyetjen: Kush vendos çka është e vërtetë dhe çka është rrenë? Kush e përcakton kush është i yni e kush i tyre. Kush ka të drejtë të flasë dhe kush duhet të heshtë. Bekimi e pranon dhe ky pranim ka një qëllim të ftohtë, të saktë. Të thyejë klishetë mbi shqiptarët. Jo me tregim a narracion, jo me pamflet, por me armën më të rrezikshme të kulturës. Me rolin e madh të cilin të gjithë e kuptojnë. “Hamleti” është universal, por në Prishtinë atyre muajve universalja nuk ekziston. Çdo universalitet përkthehet menjëherë anash dhe pikërisht për këtë ai hyn në të. Të tregojë se skena mund të jetë më e gjerë sesa llogoret. Teatri, aroma e pluhurit prapa skenarëve, dërrasat që kërcasin nën hapa, gardëroba ku aktori zhvishet në një njeri tjetër. Kurse jashtë qyteti që gumëzhin nga dyshimi, tregimet...
Bekimi e bart “Hamletin” si mburojë. Nuk është kjo mburojë prej metali, por prej teksti: fjalitë që u kanë mbijetuar mbretërve, luftërave dhe revolucioneve. Kur del në skenë dhe shqipton “Të jesh apo të mos jesh” – ai nuk e luan dilemën vetëm të një personazhi, ai e luan dilemën e një vendi të tërë që po pëlcet nga të gjitha anët. Këtu vjen ai çasti që njëkohësisht është i neveritshëm dhe madhështor:
Madhështor, sepse ky është guxim, të marrësh dramën më të njohur në botë dhe ta hedhësh në zjarrin e urrejtjes lokale, sikur ta shuash zjarrin me duar boshe.
I neveritshëm, sepse e dinë që një pjesë e publikut nuk do të vijë ta shohë “Hamletin”, veç të shohë atë; jo ta dëgjojë Shekspirin, por t’i numërojë shqiptimet e fjalëve, të peshojë çdo intonacion... të kërkojë hapin e gabuar, fjalën e gabuar ose çfarëdo qoftë që mund të kthehet kundër njeriut. Skena nuk mbaron me perden, vazhdon në korridorin e hollit të teatrit, në titullin e gazetës. Në pëshpëritjet pas shpine, dhe Bekimi e di këtë. Nuk shkon atje që t’i duartrokasin, por që të bëjë pëlcitje në mur. Dhe pikërisht kur mendon se ai mur do të lëvizë për një çast, shfaqet një mur tjetër, më i keq... Mur që nuk vjen nga publiku e politika, por nga brenda. Nga vetë makina që duhet të mbrojë artin. Gardërobës i vjen era pudër dhe arrogancë.
Ndërsa ditët e janarit afrohen, “Hamleti” ende nuk ka arritur te publiku, kurse rreth Bekimit fillon të shtrëngohet rrethi, dhe jo rreth i censurës në letër, por rreth i hapave të vegjël, i shikimeve të ftohta dhe fjalish të thëna aty-këtu, që mbajnë erën e më të keqes; në poshtërimin që po ta përgatisin derisa ti ende je në prova dhe beson se skena është e shenjtë. Ndërsa dyert e tjera janë të tmerrshme. Sepse në Prishtinë nuk do të jetë vendimtare se si e shqipton Shekspirin, por nëse fare do t’i lejojnë ta shqiptojë. Nuk ishte më çështja nëse “Hamleti” do të ishte i mirë, por nëse do t’i lejohej që në ndërtesë të qëndronte sa duhet gjatë për ta shqiptuar.
E braktisi “Hamletin” sepse s’e pranoi injorancën
Fundi i janarit i vitit 1982. Teatri i Prishtinës duket si çdo institucion tjetër para pëlcitjes – jashtë fasada, brenda nervozizëm. Në korridore dëgjohet kërcitja e dyshemesë dhe bisedat pa zë të cilat ndalën sapo dikush të afrohet. Gardëroba mban erë pudër dhe tym të krijuar, kostumet varen në varëse si lëkurë e huaj gati për t’u veshur, ndërsa njeriu poshtë tyre ndien se rreth tij po mbyllen dyer që nuk janë në skenë, dhe ai është, në kuptimin formal, njëri që tashmë ka fituar. Bekimi e vëren se regjisori anglez nuk ka njohuri me teatrin dhe e zbulon se ai është pa kualifikime dhe i panjohur në Angli. Dhe ai, si profesionist i kalibrit të lartë dhe perfeksionist, tërhiqet nga vazhdimi i përgatitjes së shfaqjes dhe e braktis “Hamletin”.
Cannes ishte vulë, Perëndimi ishte dëshmi, emri i madh që tani më ishte i njohur gjithandej. Të tillin, në tregimin normal, do ta prisnin si përforcim, por këtu tregim normal nuk ekziston. Këtu përforcimi është i rrezikshëm, sepse sjell publikun, gazetarët, pritjet. Sjell dritë në hapësirën ku gjërat bëhen në gjysmerrësirë...Vjen çasti që e mbyt aktorin më shpejt se sa kritika e keqe. Nuk vjen nga faqja e parë e gazetës, nuk vjen si ndalim publik, vjen si një këshillë dashamirëse, e thënë ftohtë, pothuajse miqësisht – “Është më mirë të shkosh”. Të largohesh, që të mos bëhet skandal. Kjo fjalë “skandal“ këtu nuk do të thotë zhurmë, por do të thotë se dikush është gati të të përdorë si shkëndijë, që shfaqja të shndërrohet në përleshje. Që ardhja jote, zëri yt, prania jote të shndërrohen në problem të cilin më pas të gjithë do ta zgjidhin, por askush nuk do të përgjigjet.
Dhe prandaj të ofrojnë rrugëdalje që nuk është rrugëdalje...Tërhiqu vetë, dhe do të duket sikur ke zgjedhur paqen. Bekimi nuk largohet si njeri që humb rolin, por si njeri që e njeh mekanizmin. Po ai i cili dikur erdhi për babanë e vet, vetëm se tani me dorëza të bardha. Nuk të përcjellin më nën roje, vetëm të shpjegojnë se je pengesë dhe presin që të largohesh vetë. Poshtërim që ka shije metali në gojë sepse, nëse ke ardhur për të thyer klishetë dhe të presin kështu që të të nxjerrin jashtë procesit, atëherë të rekomandojnë: “Nuk është problem në aktrimin tënd, problemi është te paraqitja jote, te pesha jote, në faktin që je shumë i madh që të mund të të kontrollojnë. Tani vjen ajo oferta djallëzore që në jetë gjithmonë servohet, vetëm gëlltite. Vetëm kapërce mbi këtë. Vetëm vazhdo përpara. Artisti në ty thotë se skena është e shenjtë, pragmatisti thotë se shenjtëritë ndryshojnë, ndërsa faturat mbeten. Mjafton të buzëqeshësh, të falënderohesh, të thuash se je i lodhur, se është mosmarrëveshje dhe nesër përsëri je në pllakat.
Por, Prishtina ndodhi. Dhe pasoja është e momentit, pas kësaj ofertat vazhdojnë të arrijnë, por vijnë me kushte të caktuara. Në skenarë zhvendosen gravitacionet, fjalitë zbukurohen, kuptimi përshtatet. Me fjalë të tjera, kërkojnë të hysh në tregim, por të dalësh nga e vërteta jote. Të luash, por të mos pickosh. Ai lloji i ofertës ku më parë të lavdërojnë rrejshëm – je i shkëlqyer, na duhesh, dhe pastaj, në të njëjtin frymë shtojnë – vetëm që kjo të ndryshojë pak. Pak. Gjithmonë pak. Pak më pak e ashpër, pak më pak e direkt, pak më pak – ty. Dhe ajo pak është pikërisht ajo për të cilën ke pranuar të jesh aktor.
Bekimi fillon të refuzojë. Jo në mënyrë dramatike, jo nga pozicioni i një martiri, por thjesht – JO. Kur e heton kompromisin që kundërmon në riparimin e karakterit dhe barazimin e konfliktit, ai i mbyll dyert. Dhe me këtë i krijon vetes edhe një lloj tjetër burgu. Atë që e zgjedh vetë. Mbetesh pa punën që shumëkush do ta grabiste me të dyja duart, por mbetesh me kurriz. Këtu ndodh kthesa që publiku shpesh nuk e sheh. Nuk është thelbi në faktin se dikush është kokëfortë, thelbi është se njeriut i ofrojnë vetëm dy lloje rolesh: atë që e shndërron në dekor ose atë që e shndërron në problem – e ai refuzon të jetë edhe njëri edhe tjetri.
Kur refuzon, mbetesh vetëm me heshtjen, jo me atë heshtjen romantike të artistit, por me heshtjen e korridorit pas dyerve të mbyllura. Kur dëgjohet vetëm frymëmarrja jote. Çasti kur vendoset çfarë të është më e rëndësishme. Të jesh në pllakat ose të dinë pse je aty. “Prishtina ia mori Hamletin, por i dha diçka më të rrezikshme. Imazhin e qartë”. Nëse sistemi nuk mund të të blejë, përpiqet të të nxjerrë largojë. Dhe, nëse të largon, hapi tjetër është të detyrojë të heshtësh. Mirëpo, Bekimi, ende nuk është gati të heshtë. Së shpejti do të flasë publikisht. Qetë dhe saktë. Sikur të shkruaj procesverbalin e një kohe që po prishet. Dhe kur ta thotë këtë, shumë do ta kuptojnë se ai nuk humbi në Prishtinë, ai atje vetëm e kuptoi kundër kujt po luante. Pas Prishtinës, nuk kishte më vend për iluzione. Por Bekimi ende nuk ishte gati të kalonte në atë gjendjen më të kërkuar në vend – heshtjen e denjë.
Tetor, 1982: Diku nën dritën gri...
Diku nën dritën gri të redaksisë, ose të studios, në hapësirën ku ajri gjithmonë ka erë letre dhe duhani, Bekimi rri ulur dhe flet qetë, gati ftohtë. Jo si aktor që e shet emocionin, por si një njeri që mban procesverbalin e defektit. Dhe pikërisht këtu qëndron goditja. Kur artisti të drejtohet me tonin e një kontabilisti, do të thotë se gjendja ka kaluar në fazë të rrezikshme. Ai atëherë nuk flet për rolet, nuk kërkon keqardhje, nuk shpjegon se çfarë i bënë... Ai e shikon imazhin më të gjerë dhe e thotë atë që në atë atmosferë ishte qartë e pakëndshme – pushteti mund të humbasë besimin e punëtorëve dhe të popullit, dhe kjo nuk është metaforë, është diagnozë. Ajo që të gjithë e ndiejnë në stomak dhe nuk guxojnë ta thonë, sepse kur njëherë e thua, nuk ka më kthim mbrapa në normale, dhe menjëherë pas kësaj vjen fjala që tingëllon si term teknik, e në realitet është shkrepës. Koncepte të ngushta nacionaliste. Jo nacionalizëm si sharje në gazetë, por si mekanizëm konkret. I ngushtë, i ngushtuar me qëllim, si kur dikush të mbyllë dritaren dhe të thotë se e bën për shkak të rrymimit, por në të vërtetë nuk do të hyj ajri i freskët.
Sikur të të shpjegojnë se është më e lehtë që njerëzit të ndahen në etiketa, që gjithçka të reduktohet në “tanët” dhe “të tyre”, sepse ashtu më lehtë e kontrollon frikën, e frika është kartëmonedha më e lirë. Këtu Bekimi bën një mençuri të rrezikshme, ai e zhvendos fokusin nga individi në sistem. Nuk polemizon me një njeri, nuk përgjigjet në një fyerje, ai godet vetë konstruksionin. Nëse besimi humbet, nëse shoqëria minohet nga brenda, atëherë gjithçka: edhe kultura, edhe politika, edhe jeta do të marrin tatëpjetën. Dhe askush këtë nuk do të mund ta ndalë me pankarta, me parulla apo me polici. Më interesantja është se zëri i tij nuk tingëllon si zëri i një ekstremisti. Nuk ka këtu tone të ngritura, nuk ka “shpëtim” teatral. Ai flet si dikush që tashmë e ka parë se si sistemi e merr njeriun, dhe pastaj e liron vetëm që të mund të vdesë në shtëpi. Njeri i tillë nuk beson te deklaratat e bukura, beson në pasoja. Është mahnitëse, aktori, njeri nga bota e fiksionit, flet më qartë se shumë folës profesionistë. Çasti kur e kupton se roli i tij në të vërtetë është më i gjerë se filmi dhe teatri. Nga ana tjetër e njeh modelin – në këtë lloj vendi, kur dikush e emërton saktë problemin, sistemi nuk e shpërblen, sistemi e shënjon. Ndoshta jo menjëherë, ndoshta pa zhurmë, por fillon ta shtyjë drejt margjinës dhe ta kthejë në njeri të papërshtatshëm. E njerëzit e papërshtatshëm janë gjithmonë në shënjestër, edhe kur nuk bërtasin.
Bekimi, në tetorin e atij viti, nënshkruan praktikisht një gjë: ai më nuk dëshiron të jetë dekor. Nuk do të jetë person që përdoret si dëshmi e tolerancës, derisa prapa skenës përhapet urrejtja. Fjalitë e tij tingëllojnë si paralajmërimi i fundit para stuhisë dhe në këtë ka pezëm. Paralajmërimet më shpesh u dedikohen atyre që më së paku duan t’i dëgjojnë. Si udhëton ajo intervistë pas publikimit. Dikush e lexon në mëngjes duke pirë kafe, pastaj kalon te lajmet sportive, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dikush e lexon dhe menjëherë ndien shqetësim, sepse e njeh të vërtetën; dikush e lexon dhe zemërohet. Jo për shkak se është gënjeshtër, por sepse ia prish qetësinë. E Bekimi, vazhdon më tej me të njëjtin problem. Si të mbetesh njeri në një sistem që kërkon prej teje të jesh simbol. Këtu është çelësi.
Tetori i vitit 1982, nuk është dalja e tij politike, pika në të cilën bëhet e qartë se do të përfundojë vetëm në një mënyrë. Ose ai do të pranojë të zvogëlohet, ose koha do të përpiqet ta thyejë. Dhe koha, kur ndien rezistencë, gjithmonë kërkon skenë. Dhe për pesë vjet, në Beograd, në mes të shfaqjes, Bekimi do të bëjë hapin që në teatër duket si sakrilegj (përdhosje), por në logjikën e tij ka konsekuencën e ftohtë të përsosur.
Pesë vjet mjaftuan që paralajmërimi të kthehet në kurth, e kur kurthi pëlcet, ndonjëherë nuk e dëgjon metalin, e dëgjon heshtjen në publik.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Lexo edhe: