Sikur nuk mund t’i përballonte këto dy pamje: së pari kufomat e fëmijëve dhe pastaj mua, që luaja e shkujdesur në dhomën tjetër. Sikur nuk mund ta perceptonte se ne kishim shpëtuar ndërsa ata që kishim lënë pas – të tjerët – nuk kishin mundur të shpëtonin. Atë mbrëmje, në shtëpinë e prindërve të nënës sime, u ulëm të gjithë së bashku dhe pimë çaj – ashtu siç kishim bërë gjithmonë para luftës. Unë u ula mbi njërin nga jastëkët e qëndisur në dysheme mes të afërmve të mi, një grup njerëzish të të gjitha moshave, dhe vështrova me kujdes fytyrat e tyre. Nuk i kisha parë prej vjetësh dhe përpiqesha të deshifroja rrudhat që u ishin brazduar në ballë dhe në faqe. Çfarë shqetësimesh, çfarë ankthesh lënë gjurmë të tilla?
Kam mësuar mjaft herët se si të tregohem e vëmendshme ndaj heshtjes. Kur, pas luftës, vizituam për herë të parë shtëpinë e prindërve të nënës sime, isha tetë vjeç, ose ndoshta nëntë. Për mua ishte ende e paqartë se çfarë kishte ndodhur gjatë viteve pasuese që nga vizita jonë e fundit. Gjatë asaj kohe, ndonjëherë e kisha dëgjuar dhe parë nënën time të qante. Zakonisht ajo rrinte ulur pranë telefonit në korridor, duke pritur një telefonatë nga të afërmit që kishin mbetur atje. Ndonjëherë i kisha parë fotografitë në lajme. Dhe vetëm një herë nëna ma kishte tërhequr vëmendjen: – Eja dhe shiko çfarë po u ndodh foshnjave dhe fëmijëve tanë. Por unë nuk e kisha ndjekur në dhomën e ndenjjes. Kisha vazhduar të luaja, dhe vetëm toni i zërit të saj jehonte brenda meje i shtangur dhe i dëshpëruar. Sikur nuk mund t’i përballonte këto dy pamje: së pari kufomat e fëmijëve dhe pastaj mua, që luaja e shkujdesur në dhomën tjetër. Sikur nuk mund ta perceptonte se ne kishim shpëtuar ndërsa ata që kishim lënë pas – të tjerët – nuk kishin mundur të shpëtonin.
Atë mbrëmje, në shtëpinë e prindërve të nënës sime, u ulëm të gjithë së bashku dhe pimë çaj – ashtu siç kishim bërë gjithmonë para luftës. Unë u ula mbi njërin nga jastëkët e qëndisur në dysheme mes të afërmve të mi, një grup njerëzish të të gjitha moshave, dhe vështrova me kujdes fytyrat e tyre. Nuk i kisha parë prej vjetësh dhe përpiqesha të deshifroja rrudhat që u ishin brazduar në ballë dhe në faqe. Çfarë shqetësimesh, çfarë ankthesh lënë gjurmë të tilla? S’mund të gjeja asnjë përgjigje për këtë, s’kisha asnjë ide se cili ishte shkaku. S’kisha asnjë dyshim se kishte ndodhur një ndryshim, se diçka kishte ngjarë, por nuk e kuptoja se çfarë. Gjyshja ishte e vetmja që ishte ulur në një karrige në mes të dhomës. Ajo nuk mori pjesë në bisedë, por e la shikimin të endej vazhdimisht nëpër të gjithë personat që ndodheshin në dhomë, a thua se po përpiqej të kontrollonte situatën?
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjatë gjithë kohës, prisja një fytyrë tjetër: gjyshi im mungonte. Vazhdimisht i hidhja sytë nga dera, me shpresën se ai do të hynte, por kjo nuk ndodhi. Dola nga dhoma dhe u shtira sikur doja të shkoja në banjë, për t’u futur më pas fshehurazi nëpër dhomat e tjera të shtëpisë. – Ndoshta po fle, – mendova, – dhe të tjerët thjesht kanë harruar ta zgjojnë, – por të gjitha dhomat ishin bosh.
Kur u përshëndetëm, ishte tashmë natë e zezë pis. Shpresoja që gjyshi do të na falte që ishim larguar pa e takuar. Edhe sot e kësaj dite, s’kam shpjegim pse nuk pyeta për të.
Gjatë rrugës së kthimit për në fshatin e babait tim, askush nuk nxori asnjë fjalë. Pas disa minutash, vëllai im frenoi dhe u ndal para një pllake të madhe përkujtimore, e cila edhe sot e kësaj dite gjendet përpara shkollës së fshatit. Më kujtohen emra të panumërt dhe disa fytyra të gdhendura që shndrisnin në dritat e fenerëve të makinës. Ato dilnin të qartë mbi gurin gri. Babai dhe vëllai zbritën, bënë disa hapa përpara dhe u ndalën para pllakës. Unë vështrova me vëmendje paskokat e tyre; i vëreja teksa kontrollonin çdo rresht.
Pas pak, u kthyen. Vëllai im tha: – Emri i tij nuk është aty. – Gjatë rrugës së kthimit mbizotëroi heshtja. Dhe krejt çka dëgjoja ishte gumëzhima e motorit të makinës. Unë hapa gojën dhe u bëra gati për të pyetur se ku ishte gjyshi dhe nëse do ta shihnim përsëri, por fjalët nuk më dilnin. Diçka ma ndalte hovin, diçka që nuk i vë dot emër.
Vite më vonë, tezja dhe daja im dhanë kampionë gjaku për krahasimin e ADN-së, por nuk u gjetën kurrë eshtra që përkonin me të.
Për aplikimin tim për stazhin po kërkoj diplomën, të cilën duhet ta dorëzoj si kopje së bashku me certifikatën e lindjes dhe me një dëshmi penaliteti. E nxjerr dosjen, në të cilën ruaj dokumente, fletë dhe letra të rëndësishme, nga dollapi. Kërkoj për një copë herë të mirë dhe më në fund has në një dosje plastike transparente, mjaft të fryrë sepse brenda kam futur fletë të panumërta. I nxjerr të gjitha jashtë dhe habitem nga ajo që gjej: një certifikatë që dëshmon për kalimin e provimit të biçikletës në klasën e katërt, një certifikatë pjesëmarrjeje në Lojërat Federale të Rinisë, rekomandimin e mësuesve për regjistrimin tim në gjimnaz, një artikull të shkurtër gazete për brezin tim të maturës. I kam ruajtur me përpikëri të gjitha dokumentet që dëshmojnë pjesëmarrjen ose arritjet e mia; si një nënë krenare për fëmijën e saj. Sikur, që nga fëmijëria, të kem ndier nevojën të sigurohem për gjithçka që kam arritur; sikur të mos isha e aftë t’i besoja as sukseset më të vogla nëse nuk do të ishin të dokumentuara.
Në këtë dosje plastike transparente gjej edhe dëftesat e mia të shkollës fillore. Të gjitha dëftesat semestrale dhe vjetore nga katër vjetët e shkollës fillore janë renditur me kujdes dhe janë lidhur së bashku me një kapëse që ka lënë shenja ndryshku në letër. E heq kapësen dhe i hap të gjitha fletët para meje. Në dëftesat e klasës së katërt dhe të tretë, notat janë renditur në dy kolona; ndërsa në ato të mëparshmet, është vetëm një faqe e vetme me tekst: “Semestri i parë i vitit mbaroi”, shkruhet aty, “tani s’të mbetet gjë tjetër veçse të jesh krenare për gjithçka që ke mësuar dhe për mënyrën se si ke punuar. Rrallë ke folur në klasë, por kur të shtroja ndonjë pyetje, ti gjithmonë e dije përgjigjen. Mes grupit të madh të klasës, ngjaje ende e turpshme. Ti je një vajzë kaq e ëmbël dhe e zgjuar, dhe shokët e tu të klasës të pranojnë ashtu siç je. Ti mund të bësh dhe të mësosh gjithçka që do, dhe nuk ke pse të ndiesh drojë. Ti s’ke asnjë arsye për të pasur frikë.”
Kaloj me përkëdheli dorën mbi letrën paksa të zverdhur. Prek lehtas emrin tim të shkruar gabim dhe shkronjat e mëdha e të lakuara nga dridhja e emrit të babait tim, që dukeshin gjithmonë kaq të ndryshme nga ato të mësueseve të mi. Për katër vjet s’kam nxjerrë zë, edhe pse gjithmonë i dija pothuajse të gjitha përgjigjet. Thellë brenda meje dëshiroja që heshtja ime të më bënte të padukshme.
“Ti s’ke asnjë arsye për të pasur frikë”, e lexova sërish, duke ngritur shikimin drejt vendlindjes sime të shkruar me dorë dhe datës: janar, 1999. Mësuesja ime i kishte shkruar të dyja në një rresht. E megjithatë, ajo s’mund t’i imagjinonte arsyet e shumta për të pasur frikë asokohe. (...)
Kur ishim ende në shkollën fillore, këndonim gjithnjë një këngë fëmijësh. Nuk e kujtoj më tekstin e plotë, por mbaj mend se në fund të çdo strofe këndonim “mirëdita” dhe “mirupafshim” në një gjuhë të ndryshme. Mund të kenë qenë ndoshta shtatë ose tetë gjuhë, dhe pranë tekstit të këngës ishin vizatuar flamujt kombëtarë, vetëm në nuanca gri dhe mezi të dallueshëm. Turqishtja vinte e dyta, pas gjermanishtes. “Merhaba, güle güle, guten Tag, auf Wiedersehen”, ishte refreni; më kujtohet ende ritmi. Mbaj mend që në fillim thirrej Lejla, shoqja ime më e mirë. Ajo kishte flokë të zinj, por i pëlqente më shumë të lyera me fije bionde. Ne pothuajse gjithmonë uleshim pranë njëra-tjetrës. Lejla duhej që fillimisht t’i shqiptonte për të gjithë tri fjalët turqisht dhe pastaj t’i këndonte. Klasa këndonte pas saj si një jehonë që rritej. Më kujtohet buzëqeshja e saj krenare, dhëmbët e bardhë dhe paksa të dalë përpara. Më pëlqenin fort ata dhëmbë dhe asokohe i krahasoja me krahët e një fluture. Strofat e tjera vijonin. Zonja Vagner, mësuesja jonë kujdestare, shqiptonte fjalët e huaja dhe kërkonte një vullnetar që të këndonte vargjet. – Gjuha tjetër është serbo-kroatisht, – tha ajo, – dhe ne kemi dikë në klasë që e flet këtë gjuhë. Ajo drejtoi shikimin nga unë, dhe vetëm pasi të tjerët e ndoqën shikimin e saj, e kuptova që e kishte fjalën për mua. U skuqa dhe i ngula sytë në fletë. Nën notat që nuk dija t’i lexoja, ishte një radhë shkronjash që nuk e kisha parë kurrë më parë: “Dobar dan, doviđenja”. Kjo ishte gjuha ime, tha ajo. I lexova rreshtat edhe një herë, pa e kuptuar se si kishte arritur në këtë përfundim. E hapa gojën, por më mungonin fjalët për të shpjeguar se kjo nuk ishte e vërtetë. Kështu që u përpoqa t’i ktheja në tinguj shkronjat që gjendeshin në fletë. Fola me zë të ulët, mezi dëgjueshëm. Klasa më shikoi me dyshim dhe përsëriti fjalët e mia të pasigurta.
Kur kaluam te strofa tjetër, kërkova në vargjet pasuese për fjalë shqipe. Doja t’i gjeja dhe të thosha me zë të lartë: – Ja, kjo këtu është gjuha ime. Por gjuha shqipe nuk gjendej kund nëpër vargje. E kemi kënduar shpesh atë këngë, dhe secilën herë ua këndoja vargjet në serbishte të tjerëve. Ndërsa ata i këndonin pas meje. Këto vargje duhej të më përkisnin mua dhe këto fjalë duhej të ishin gjuha ime; dhe mua më mungonin fjalët për të thënë se gjuha ime nuk i njihte këta tinguj. (...)
Në fillim të klasës së dytë, në vjeshtën e vitit 1999, na dhanë si detyrë që të sillnim një fotografi tonën si bebe në shkollë. Në profilet tona, të cilat do të ekspozoheshin në klasë, duhej të ngjisnim një foto tonën si bebe pranë asaj që mësuesja na kishte bërë javën e kaluar. Të nesërmen, kur nxora fotografinë nga çanta dhe e vendosa mbi tavolinë si të tjerët, shoqet e mia të bankës nisën të qeshnin. Kisha sjellë një foto timen si fëmijë, ku duhej të isha rreth tre vjeçe. Me një luan pelushi në dorë, qëndroja nën një pishë dhe buzëqeshja me sytë ose e verbuar nga drita – nuk kuptohej mirë – para kamerës. Flokët i kisha ende biondë, ndërsa sytë po aq të errët sa tani.
– Ah, po kjo s’është foto bebeje! – bërtiti një shok klase mbi kokën time. – Ti nuk e ke dëgjuar fare çfarë na tha mësuesja dje. Rreth tavolinës sime u formua një grumbull i vogël, derisa e futa fotografinë sërish në çantë. Gjatë pushimit, zonja Vagner erdhi tek unë dhe më pyeti me zë të ulët nëse nuk kisha ndonjë foto ku isha më e vogël. – Jo, – thashë, dhe ajo nuk pyeti më tej.
Kur një natë më parë i kisha kërkuar nënës sime një foto si bebe, ajo më kishte thënë:
“U moj nanë, po krejt janë kallë”.
Në krye të profileve tona, që qëndruan tre vjet të varura në murin e klasës, shkruhej me shkronja të mëdha të zeza: “Kjo jam unë”. I imi ishte i vetmi mbi të cilin ishte ngjitur vetëm një fotografi. Vetëm shumë më vonë do ta kuptoja se fotografia që mungonte simbolizonte një përpjekje për ta fshirë veten.
Fragment nga romani “ë” i Jehona Kicajt botuar në shqip nga “Pema”, përkthyer nga Orjela Stafasani. Ky fragment botohet me leje të botuesit.
Lexo edhe: