Për t’u bindur se shumëçka ka të ngjarë me ngjarjet e sotme në Mitrovicën e pas 122 vjetëve, në vijim po e paraqesim pa shkurtime një shkrim të shtypit beogradas të janarit të vitit 1903. “Më në fund, e gjetëm ditën e shumëpritur për të parë konsullin e parë në ‘vendin tonë’, të kërcënuar nga banditë dhe kriminelë. Fakti që konsulli i parë, i cili po vinte në Mitrovicë, ishte rus, e bëri atë shumë më të dashur për ne dhe kur pamë se si qeveria lokale po përgatitej me urgjencë për ta pritur atë. Kështu edhe ne u përgatitëm dhe mezi prisnim të mbërrinte treni”, shkruhej në raport
“Shqiptarët ta japin besën se s’do ta sulmojnë konsullin rus”
Edhe pse në raportin e radhës lidhur me gjendjen në Mitrovicë nuk jepen shumë detaje, megjithatë duket se vendimtare ka qenë vetë kërkesa e konsullit Grigori Stepanoviç Shçerbina (29 nëntor 1868 –10 prill 1903) që të provojë që me institucionin e “Besës” të ndikojë mbi mitrovicasit që më në fund ai të ishte i qetë në qytetin e tyre. Është fakt se vetë konsulli nuk e përmend këtë çështje, por këmbëngulësia e shqiptarëve kundër hapjes së konsullatës ruse vazhdonte, madje zërat më aktivë ishin ata që vinin nga Vushtrria. Në tubimin e radhës vushtrriasit kërkuan që “përsëri t'i dërgohej kërkesë Sulltanit që mos të lejohej hapja e konsullatës në Mitrovicë, që pushteti ta linte të qetë Isa Boletinin dhe të mos e ftonte atë në Kostandinopojë”.
Por, lëre që Isa Boletini u ftua në kryeqendrën osmane por njëkohësisht erdhi në shprehje veprimi i radhës nga ana e pushtetit dhe në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës në Shkup, u ftuan të gjithë krerët me ndikim në Mitrovicë që ta “jepnin besën se konsulli rus Shçerbina do të ishte i sigurt në qytetin e tyre”.
Megjithatë, fillimi i vitit të ri 1903, e hapi një faqe të re të zhvillimeve jo vetëm në Mitrovicë por edhe në Vilajetin e Kosovës.
Shtypi i Beogradit në janar të vitit 1903
Për t’u bindur se shumëçka ka të ngjarë me ngjarjet e sotme në Mitrovicën e pas 122 vjetëve, në vijim po e paraqesim pa shkurtime një shkrim të shtypit beogradas të janarit të vitit 1903.
“Më në fund, e gjetëm ditën e shumëpritur për të parë konsullin e parë në ‘vendin tonë’, të kërcënuar nga banditë dhe kriminelë. Fakti që konsulli i parë, i cili po vinte në Mitrovicë, ishte rus, e bëri atë shumë më të dashur për ne dhe kur pamë se si qeveria lokale po përgatitej me urgjencë për ta pritur atë. Kështu edhe ne u përgatitëm dhe mezi prisnim të mbërrinte treni. Në stacionin lokal tashmë ishin përfaqësuesit e autoriteteve, nga të cilët në radhë të parë ishte mytesarifi Hasaf Pasha, i ndjekur nga komandanti i xhandarmërisë së Vilajetit të Kosovës, Shemsi Pasha, i cili tregoi zell shembullor në kapjen e atyre shqiptarëve që i kishin veshur në të zeza shumë shtëpi serbe. Në platformë ishte rreshtuar banda muzikore e regjimentit, e cila posa konsulli rus u shfaq e përshëndeti atë duke luajtur himnin rus dhe turk. Të dy përfaqësuesit e lartpërmendur të autoriteteve turke iu afruan z. Shçerbina dhe e përshëndetën dhe i uruan mirëseardhje. Pasi u përshëndet me ta, Shçerbina e drejtoi rrethimin e tij me dragomanin vendas drejt një shtëpie që turqit e gjetën si ‘vendin më të rehatshëm për të’. Ishte shtëpia e një tregtari të quajtur Cicvariq. Në Mitrovicë gjithçka ishte e qetë…Shtëpitë serbe ishin pushtuar nga gëzimi dhe kënaqësia dhe se vuajtjet e tyre më në fund e motivuan një ngushëllim serioz. Le të jetë i mirëseardhur, faleminderit Rusi! Kështu sot flisnin serbët në Mitrovicë”, janë fjalët me të cilat mbyllet reportazhi nga Mitrovica.
Hapja e konsullatës së Austro–Hungarisë dhe atentati mbi Shçerbinën
Padyshim se ngjarja e radhës që do të ketë ndikuar që Mitrovica dhe mitrovicasit por edhe Kosova sadopak të qetësoheshin, është hapja e konsullatës së Austro-Hungarisë në këtë qendër. Lajmin mbi hapjen e konsullatës fillimisht e bënë të njohur gazetat vjeneze dhe më pastaj edhe ato regjionale.
“Është raportuar se monarkia jonë, duke ndjekur shembullin e Rusisë, ka kërkuar leje për të emëruar konsullin e saj në Mitrovicë. Porta e Lartë tashmë e ka miratuar emërimin e konsullit Adolf Rihter von Zambur (1864 -1919) në Mitrovicë”. Kuptohet se justifikimi i palës turke ishte se Porta e Lartë nuk mund ta refuzonte hapjen e konsullatës, pasi që më herët e kishte lejuar hapjen e konsullatës ruse, ndërsa shtypi austriak e potenconte “se Mitrovica si qendër kishte rëndësi të madhe strategjike dhe tregtare”. Të kujtojmë se konsulli Zambur shërbeu në Mitrovicë nga tetori i vitit 1903 deri në tetor të vitit 1909.
Tashmë pas hapjes së konsullatës së dytë, kjo qendër u shndërrua në njërën prej nyjave më të rëndësishme të Kosovës së fillimshekullit XX. Kuptohet se në këtë qendër ndesheshin interesat e shumëfishta dhe në vend se gjërat të shkonin drejt një zgjedhjeje afatagjatë që në radhë të parë shqiptarët ta realizojnë Shqipërinë autonome të proklamuar nga Ferhat Bej Draga dhe bashkëveprimtarët e tjerë dhe të fillohej me zbatimin e reformave jo vetëm në Vilajetin e Kosovës por edhe në të gjitha viset shqiptare të Turqisë Evropiane, gjë për të cilën ishin pajtuar Austro-Hungaria dhe Rusia, kjo e fundit nisi me nxitjen e serbëve gjithandej Kosovës që me çdo kusht të vepronin kundër fqinjëve shqiptarë dhe provokimet konkrete u afruan në shembullin e sjelljes dhe të veprimtarisë së konsullit rus në Mitrovicë.
Pasi informacionet rreth atentatit mbi konsullin rus kanë rrjedhur në mënyrë të pazakonte dhe për ta ruajtur origjinalitetin e tyre edhe ne do t’i paraqesim m’u ashtu siç ato janë transmetuar nga mediat e ndryshme.
“Konsulli rus në Mitrovicë, Shçerbina, u plagos ndërsa po ecte jashtë qytetit. Ai u plagos nga një ushtar shqiptar në shenjë hakmarrjeje për shkak se ushtria turke i luftoi shqiptarët. Atentatori është arrestuar. Plaga e konsullit është serioze, por jo e rrezikshme dhe ai pritet të shërohet. Në luftimet me shqiptarët më 17 mars (me kalendarin e vjetër – S. L.) pranë Mitrovicës, ushtria turke vrau 50 dhe plagosi 100 shqiptarë”, thuhej në informacionet e para lidhur me ngjarjet në Mitrovicë.
Por një ditë më vonë shtypi shpalosi shumë më tepër informacione ku shumëçka nuk përputhej me ato që u thanë më parë.
Rrethimi i Mitrovicës nga shqiptarët e armatosur
“Kur banorët e Mitrovicas u zgjuan të hënën, panë se qyteti i tyre ishte rrethuar plotësisht nga një masë e madhe shqiptarësh të armatosur. Komandanti ushtarak Said Beu menjëherë e solli ushtrinë duke i vendosur topat në pozicionet më të përshtatshme mbi Mitrovicë dhe iu bëri thirrje shqiptarëve të shpërndaheshin në mënyrë paqësore... Mirëpo, ata vazhdonin të bërtisnin: ‘Nuk duam reforma, nuk e duam konsullin rus midis nesh, nuk duam xhandarë serbë!’ Në thirrjen e fundit të komandantit për t’u shpërndarë, ata u përgjigjën duke qëlluar mbi ushtrinë turke, e cila nuk numëronte më shumë se 1200 trupa… Kur breshëritë e armëve turke nuk mundën t’i shpërndanin shqiptarët, të cilët tani po fillonin të hynin në qytet, atëherë u përdorën topat. Të shtënat nga topat zgjatën katër orë të plota dhe ishin të tmerrshme. Më në fund, radhët e shqiptarëve u rralluan dhe ata u tërhoqën… Rrethimi i Mitrovicës u hoq. U vendos paqja e plotë. Në fushën e betejës ranë 60 shqiptarë të vdekur dhe 100 të plagosur, ndërsa shumë burime thonë se aty u vranë 400 shqiptarë”.
Ibri dhe Sitnica ishin përgjakur
Tabloja e ngjarjeve në Mitrovicën e pranverës së vitit 1903 do të plotësohet me informacione të reja nga dita në ditë.
“Lumenjtë Ibër dhe Sitnicë ishin të përgjakur… Ushtria turke pësoi shumë pak humbje, vetëm disa të vdekur dhe të plagosur. Thuhet se ushtarët turq (kryesisht shqiptarë sipas kombësisë) nuk donin të qëllonin… Ndërsa beteja po zhvillohej, një frikë e madhe dhe paniku i vërtetë, e kaploi Mitrovicën. Rrugët ishin të zbrazura krejtësisht dhe gjithçka ishte e mbyllur. Stacioni Hekurudhor ruhej nga ushtria. Konsulli rus, z. Shçerbina, u soll heroikisht. Ai i inkurajoi serbët, duke i thirrur të strehoheshin në konsullatën ruse, ku do të gjenin mbrojtje nën flamurin rus, i cili valëvitej mbi ndërtesën e konsullatës ruse. Më pastaj vetë Shçerbina doli në pozicionet ushtarake për kuriozitet, duke mos pasur frikë nga asgjë. Por të nesërmen, të martën më 18 mars në Mitrovicë u derdh gjaku rus, gjaku i çmuar i mbrojtësit të serbëve ortodoksë, zotit Shçerbina. Pikërisht atë ditë, me shoqëruesit e tij, kozakë, gavazë dhe ushtarë turq, ai doli jashtë qytetit duke inspektuar përgjatë fushës së betejës. Duke u kthyer në konsullatë ai u qëllua nga shqiptari i quajtur Ibrahim…”.
Në këtë raport të gazetës novosadase “Zastava” nuk jepen detaje me të cilat vërtetohet se Shçerbina jo vetëm që kishte dalë ta kontrollonte rrjedhën e luftimeve por si thuhej ai kishte qëlluar edhe vetë nga topat turq drejt shqiptarëve.
“Tani zona përreth Mitrovicës është e qetë. Konsulli i plagosur është më mirë. Ai po trajtohet nga Og Jaxhip-Pasha, një mjek ushtarak, dhe mjekë të tjerë po ashtu ushtarakë. Pardje, me një tren të veçantë nga Shkupi në Mitrovicë mbërritën edhe mjekët: Dr. Vojisllav Subotiq, një kirurg-operator nga Beogradi, i dërguar nga qeveria serbe. Dr. Qamil Beu, kreu i ekipit mjekësor të Vilajetit të Kosovës. Me të njëjtin tren nga Shkupi në Mitrovicë mbërriti konsulli rus Mashkov, konsulli serb Kurtoviq dhe Dr. Karaboglu, një mjek i dërguar nga Sulltani”.
“Ibrahim shqiptarin që qëlloi mbi konsullin, do ta varin”
“Ibrahim shqiptarin që qëlloi mbi konsullin për aktin e kryer do ta varin”, janë informacionet që qarkullonin jo vetëm në Mitrovicë por edhe më gjerë. Ndërsa vetëm një ditë më vonë u dha informacioni i shkurtër nga Kostandinopoja se “konsulli rus Shçerbina tashmë kishte dhënë shpirt”.
“Shpesh kam pyetur veten se nga vinte kjo dashuri e madhe për serbët. Si qëndronte ai me shqiptarët? Prej të gjithë konsujve në Ballkan, ai i njihte shqiptarët më së miri. Shçerbina kishte udhëtuar nëpër të gjithë Shqipërinë dhe kishte lidhje me të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë së Veriut”, vajtonte Jovan Cvijiqi pasi mësoi për fatin e konsullit rus në Mitrovicën e pranverës së hershme të vitit 1903.
Ndërsa gazeta “Tan” raportonte se pas ngjarjeve në Mitrovicë gjendja në Beograd është e tensionuar, ndërsa “Figaro” kërkoi këshillën e ambasadorit rus sepse shkrimet në gazetat ruse rreth ngjarjeve në Mitrovicë u pritën me rezerva të veçanta nga shtypi francez”.
Në komentet rreth ngjarjeve të përgjakshme në Mitrovicë gazeta petrogradase “Новоје Времја” e këshillonte Sulltanin të “ketë kujdes dhe sa më parë të shpërndajë gardën (kuptohet sepse ajo përbëhej kryesisht prej shqiptarëve – S. L). Por më së largu kishte shkuar gazeta “Свјет“ që shkruante se vendosja e paqes në Kosovë do të dështojë, dhe reformat atje duhet t’i besohen Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi”. Prandaj nuk do të gabonim nëse themi se kërkesa e fundit rreth besimit të reformave shteteve përkatëse njëherësh e paraqet edhe farën e krijmit të Aleancës Ballkanike e cila siç dihet u krijua disa vite më pas.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
LEXO EDHE: