Shtojca për Kulturë

“Art” në kompromis me absurditetin humb identitetin

“Art” me Ard Islamin, Ylber Bardhin dhe Butrint Lumin

“Art” me Ard Islamin, Ylber Bardhin dhe Butrint Lumin, ngjan në një satirë për artin bashkëkohor, por thelbi ka të bëjë me raportet ndërnjerëzore përderisa një vepër e pakuptimtë arti, bëhet shkas për ta kamufluar të vërtetën ndaj njëri-tjetrit dhe vetes

Piktura moderne pa ndonjë kuptim, futet midis tre shokëve që përballen edhe me absurditetin, e pranojnë atë për hir të ruajtjes së raporteve. Rrugës humbin identitetin: s’e thonë atë që duhet, por atë që tjetri do. “Art” – me tekst të Yasmina Rezas, nën regji të Bashkim Ramadanit – nuk ka të bëjë me artin. Deri diku ka të bëjë me artistin, por mbi të gjitha me njeriun, i cili thyen pasqyrën para vetes dhe tjetërsohet

Arti është provë e dashurisë dhe miqësisë në shfaqjen “Art” me tekst të francezes Yasmina Reza, nën regji të Bashkim Ramadanit. Komedia shtron pyetje rreth artit dhe miqësisë midis tre protagonistëve që trajtojnë absurditetin që normalizohet për hir të raportit të tyre. 

Por situatat sa vijnë e bëhen më komplekse dhe konflikti intensifikohet. Ard Islami, Ylber Bardhi dhe Butrint Lumi e kanë ndërtuar kastin që ka jetësuar produksionin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që u dha premierë të premten mbrëma. 

Skenografia me projeksione, llamba e platforma e tejdukshme e ulëseve dhe tavolinave kanë qenë pjesa qendrore e anës vizuale. Që në minutën e parë bëhet e ditur tema qendrore: Serxhi, që luhet nga aktori Ylber Bardhi,  një dermatolog i divorcuar blen një pikturë abstrakte krejtësisht të bardhë të pastër që i ka kushtuar 200 mijë euro. I mllefosur, miku i tij Marku (Ard Islami) e nënçmon atë ndërsa shoku i tyre i përbashkët, Ivani, mundohet të shuajë këto mosmarrëveshje midis tyre. 

Marku është i tmerruar për veprimet e Serxhit i cili argumenton se piktura, e krijuar nga një artist me reputacion të lartë, ia vlen edhe çmimi i tillë, por ai nuk bindet assesi. 

Aktori Bardhi ka konsideruar se kjo shfaqje e vë aktorin në pah. E vlerëson si shfaqje të aktorëve, ndërsa është shprehur se pjesa kryesore ka qenë portretizimi i personazheve. 

“Prej fillimit e kemi diskutuar se si t’i tipizojmë këto personazhe dhe kemi dashur të prekim të gjitha nga pak që të kemi probleme të ndryshme të një personi. Nëse unë e kam pasur një problem, kemi dashur që të ndeshen problemet brenda shfaqjes që të vijmë deri te personalja. Kjo ka qenë ideja e gjithë shfaqjes, e kemi folur duke nisur që nga procesi i provave e deri te dita e premierës”, ka thënë aktori Ylber Bardhi.

Serxhi dhe Marku i rrëfejnë Ivanit mosmarrëveshjen e tyre. Ky i fundit, i fejuar dhe në konflikt me familjen për martesën e ardhshme, qëndron neutral dhe mundohet ta qetësojë situatën. Ai komenton me qetësi dhe mirësjellje pikturën, por pranon se nuk e kupton thelbin e saj. Por pa dashur, ai vetëm se nxit mosmarrëveshje ndërkohë që miqtë e tij e kritikojnë neutralitetin e tij duke iu referuar si ndrojtje.

Aktori Butrint Lumi që e luan këtë rol, ka thënë se karakteri i Ivanit ka qenë rol shumë i përshtatshëm për ta luajtur. 

“Jam munduar ta bëj maksimumin në bashkëpunim me regjisorin dhe partnerët që ta ndërtojmë një karakter sa më të mirë, të arsyeshëm, të logjikshëm dhe të pranueshëm së pari për kërkesat që ka autorja dhe pastaj edhe konceptit regjisorial. E shijova premierën dhe vërejta që edhe publiku u kënaq dhe na dha energji jashtëzakonisht të mirë sonte gjatë shfaqjes”, ka thënë ai. 

E ka konsideruar si karakter interesant e të pëlqyeshëm. 

“Një djalë që tashmë ka dy mijë gajle, pasi e ka martesën afër dhe po mundohet të bëhet gati. Në të njëjtën kohë ka shumë presion prej familjarëve. Ivani, në mesin e këtyre dy shokëve është ai të cilin të gjithë e kemi në jetën e përditshme, që e mban bilancin, neutralen, për hir të shoqërisë. Çfarë ai do është që të jetë gjithçka në rregull në mesin e këtyre shokëve, kështu që nga fillimi e në fund e bën të pamundurën që Marku dhe Serxhi të mos kacafyten”, është shprehur ai më tej. 

Shfaqja me dramatizim nga Zoga Çeta-Çitaku, shfaq tre miqtë duke planifikuar një darkë që rezulton në debat ku gjërat thuhen hapur. Secili e përdor pikturën si justifikim për të kritikuar të tjerët për dështimet e tyre. Marku e sulmon Ivanin që nuk e shpreh kurrë ndonjë mendim thelbësor ndërsa bashkë me Serxhin japin argumente pse ai duhet ta ndërpresë martesën. 

Përfundimisht vendos të mbrojë veten, duke shpjeguar se përherë përpiqet të jetë tolerant dhe i këndshëm, sepse për të shoqëria vjen mbi gjithçka. Miqësia është streha e vetme në jetën e tij jo të lehtë. 

Skenografia me projeksione, llamba e platforma e tejdukshme e ulëseve dhe tavolinave kanë qenë pjesa qendrore e anës vizuale. Që në minutën e parë bëhet e ditur tema qendrore

Pas shpërthimit të Ivanit, të tre qetësohen. Në fund Serxhi e lejon Markun ta dëmtojë pikturën me një laps me ngjyrë portokalli. Por boja hiqet lehtë dhe këtë e dinin të dy. Kjo i çon ata sërish në fillim të këtij rrëfimi. 

Regjisori i shfaqjes “Art” Bashkim Ramadani, ka thënë se e ka pasur veprën të njohur që nga koha e studimeve. Sipas tij, shfaqja është katalizator që provokon biseda të ndjeshme. 

“Tash kur ka ardhur ftesa prej Teatrit Kombëtar më ka ardhur shumë mirë sepse e kam pasur të njohur tekstin dhe tash kur jam marrë më shumë me të, mendoj se kemi depërtuar në ato pika ku është dashur. Teksti flet për tre shokë, njëri prej të cilëve e blen një pikturë dhe bëhet shkak për të hyrë në tema më të rënda dhe më të ndjeshme, për gjëra të pathëna midis miqsh. Bëhet si një katalizator që provokon biseda më të ndjeshme”, ka thënë ai. 

Vepra ngjan në një satirë për artin bashkëkohor, por regjisori Ramadani shprehet se thelbi është më shumë te raportet midis njerëzve sesa tek arti. Teksti i dramaturges franceze, Reza u inskenua për herë të parë në vitin 1994 në Paris. 

“Piktura që është në sfond, kryevepra ‘Modernisima’ trajtohet në shfaqje, por edhe në vepër si personazhi i katërt në skenë. Nuk është një parodi tipike. Yasmina Reza e quan komedi tragjike. Flet më shumë për raportet midis njerëzve sesa për artin, jo në mënyrë direkte, e merr si referencë. Më pas kuptohet se flet për diçka shumë më të rëndësishme, pra për identitetin, për atë se çfarë jemi, si e shohim veten në raport me shokun, si e projektojmë veten te shoku e të tjera. Si një shembull i asaj pasqyre që te këta personazhe fillon të thyhet dhe më nuk e sheh refleksin e vetvetes te tjetri”, ka thënë Ramadani. 

Muzikën e shfaqjes e ka kompozuar Tomor Kuçi, skenografinë e ka punuar Burim Arifi, ndërsa kostumet Yllka Brada. Animacionet dhe videoprojeksionet janë nga Florian Çanga. Inspiciente ka qenë Nazmije Krasniqi ndërsa asistente regjie, Kreshnike Osmani. 

Reprizën e parë shfaqja e pati të shtunën, ndërsa do të shfaqet edhe të dielën në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Më 19 maj do të shfaqet në Teatrin e Gjilanit e më datë 21 në teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren. Më 30 e 31 maj kthehet me shfaqje në Prishtinë. 

Krejt në fund përshkruhet piktura: shfaq një burrë që lëviz nëpër kanavacë dhe zhduket.