“Shqipëria veneciane” është dinamike në kuptim dhe lëviz si nocion dhe në shekullin XVI duket më i ngushtë. Boni dhe Erico, sindikët venedikas për Dalmacinë spikatin rëndësinë e Ulqinit duke i raportuar senatit më 1599 se vetëm Ulqini “i siguron titullin e Shqipërisë”, mbase duke aluduar në prezencën shqiptare, ngase qytetet e tjera – Shkodra, Kruja, Durrësi tanimë ishin në duar osmane. Venecianët e panë Ulqinin si lidhëse e një rajoni më të gjerë me popullsi heterogjene, që kishte dhe kuptimin ekonomik, por edhe strategjik e ushtarak. Venecianët nuk hoqën kurrë dorë nga titulli Albania Venetia, saqë nga 1684 ky titull vendoset përgjithmonë në kuadër të providurit të Kotorrit. Kjo qartazi shpreh dhe mban gjallë aspiratën ndaj Shqipërisë
Çështja e Albanias venciane ka ngjallur interpretime të ndryshme e si rrjedhojë edhe kuptime të ndryshme. Si emërtim, u përdor për një regjion më të ngushtë dhe më të gjerë për pronat veneciane në Adriatik. Por, pas humbjes së Shkodrës e Durrësit e sidomos Ulqinit e Tivarit, vazhdoi të mbesë emërtim shekullor gjatë gjithë ekzistimit të Serreneismaa dhe shprehte edhe ambicie për rikthim-revendikim të hapësirave të humbura. Kjo disa autorëve joshqiptarë iu duk “anakronizëm”, sepse nuk përfillte më hapësirat e banuara me shqiptarë. Kështu, në Ulqin ekzistonte një i posaçëm “providur i Albanias”, që e mbante dhe kapiteni Ulqinit A. Mikael më 1499, që mbase shprehte edhe detyrimin për të menduar për rikthim hapësirash të humbura në gjeografinë e banuar me shqiptarë që u pushtua nga osmanët.
“Shqipëria veneciane” është dinamike në kuptim dhe lëviz si nocion dhe në shekullin XVI duket më i ngushtë. Boni dhe Erico, sindikët venedikas për Dalmacinë spikatin rëndësinë e Ulqinit duke i raportuar senatit më 1599 se vetëm Ulqini “i siguron titullin e Shqipërisë”, mbase duke aluduar në prezencën shqiptare, ngase qytetet e tjera – Shkodra, Kruja, Durrësi tanimë ishin në duar osmane.
Venecianët e panë Ulqinin si lidhës i një rajoni më të gjerë me popullsi heterogjene, që kishte dhe kuptimin ekonomik, por edhe strategjik e ushtarak. Venecianët nuk hoqën kurrë dorë nga titulli Albania Venetia, saqë nga 1684 ky titull vendoset përgjithmonë në kuadër të providurit të Kotorrit. Kjo qartazi shpreh dhe mban gjallë aspiratën ndaj Shqipërisë.
Madje, edhe kah fundi i Republikës Venedike nuk pushoi ambicia për ta pushtuar Shqipërinë. Në pranverë të vitit 1717, në mandatin e dytë në Dalmaci erdhi Alvise Mocenigo (1717-1721), providuri general i ushtrisë (Provveditore Generale dell'Armi in Dalmatia et Albania). Ambicia e tij e vërtetë strategjike ishte pushtimi i Shqipërisë otomane, për çka ai kishte bërë edhe kalkulime operative.
Por, njëherë ky term ishte më i ngushtë dhe kapte pjesën bregdetare të Bokës së Kotorrit, mbi Herceg Novi e Risan deri te kufiri me Pashtroviqët më në jug. Në fakt, kjo tërësi territoriale kishte edhe kompetenca ushtarake dhe gjyqësore, ndërsa termi Boka kuptonte ngushtë vetëm hyrjen në fjordin e Bokës në Oštro. Kjo shihet nga përshkrimi se “nga Boka deri në Verige janë 9 milje”.
Shpresa me Ulqinin “në fillim të Shqipërisë dhe në fund të Dalmacisë”
Anton Diedo, një sindik tjetër venecian i shek XVI, thekson se Ulqini është “në fillim të Shqipërisë dhe në fund të Dalmacisë”, duke vënë theksin në rëndësinë e tij për të arsyetuar titullin dhe mbase ambicien. Diedo i jep kuptim kësaj ngase shqiptarët janë konstantë në luftime me osmanët dhe mbajtja e Ulqinit dhe këtij titulli u japin atyre “shpresën e fuqishme” se njëherë do të kthehen sërish e komplet nën pushtetin venedikas.
Por, Diedoja, sikurse edhe venedikasi tjetër Giustianani, nuk harrojnë të përmendin edhe një tjetër shtesë e motiv të kësaj ambicie: Shqipëria është “hambari i pasur i këtij shteti” dhe se me Shqipërinë nën kontroll nuk do duhej “bërë lypësin në shtete të tjera”.
Për më tepër, Giustaniani, sikurse edhe Diedoja, thekson faktin se shqiptarët luftarakë në këtë kohë ende nuk i ishin dorëzuar osmanëve.
Por, në fakt, “Dalmatia at Albania” me kohë mori kuptimin stabil për të gjithë posedimet veneciane në Adriatikut lindor deri në Ulqin, që qeverisej nga providuri gjeneral me qendër në Zarë, deri më 1797. Providurët kishin kompetencat e tyre të caktuara në sistemin venecian, kështu që providuri në Kotorr kishte përveç pushtetit lokal edhe pushtetin më të gjerë territorial, ushtarak e gjyqësor. Kjo nënkuptonte se ai kishte përveç pjesës së ngushtë (Herceg Novi deri në Rose) edhe një njësi administrative më të gjerë të Bokës (me Budvën, Pashtroviqin, Crmincën e Grbalj).
Një kompaktësi e tillë u sfidua me prezencën dyshekullore osmane në fjord: bregu nga Herceg Novi deri në Risan mbeti në duar osmane nga 1481-1687, e Grbalj madje nga 1497-1718. Herceg Novi nuk kishte baza juridike për pretendim venecian sikurse Shqipëria, sepse ai kishte kaluar drejt nga feudalët hercegovas (Vlatko Kosača) tek osmanët (sanxhakbegu Ajaz). Kjo e kishte mbajtur Bokën të ndarë në dysh në linjën Oštro-Verige që shënonte dy “peshkaqenë” në një ngushticë deti: Venedikun e Perandorinë Osmane. Prandaj, edhe Kotorri kishte rëndësi si pikë mbështetëse që kurrë nuk ra në duar osmane, por që një kohë ishte tmerrësisht i izoluar, gjegjësisht kur osmanët, përveç Herceg Novit kontrolluan edhe Grbaljin. Si rezultat i kësaj, Kotorrit i ishte ndërprerë kontaktin tokësor me Budvën. Perasti luftarak në këtë kohë po ashtu fitoi në kuptim duke qenë sy më sy me hyrjen në Bokë, në “Verige turke”. Kështu, kufiri tokësor në mes të Kotorrit dhe “Hasit të Shkodrës Grbalj”, i caktuar në mes të Zacaria e Freschi e Furuz bej, u shënua i paprekur edhe në defterët e mëvonshëm më 1523, 1570, 1683.
Ky kufi nga ana juglindore “pranë kështjellës së Kotorrit”, nga kisha e shën Treshës (Trojice) deri në lokalitet “Mokra ploča” (ku gjendeshin mullinjtë e Grbaljit), pastaj nën vreshtat Lješeviča dhe mbi kishën e Shën Varvarës në Vranovići, ulej në Bigovo deri në det. Nga Luštica kufiri shkonte deri te bregu i detit te kriporja e Crnojević dhe drejt te gjiri Trašte, ndërsa nga ishulli Stradioti kah kisha e Shën Treshit (Trojice) dhe nga “Mokra ploča” deri në kështjellën e Kotorrit.
Kufijtë tokësorë të Kotorrit nganjëherë janë të paqartë dhe interpretohen ndryshe: në Drisht më 1426 precizohet se kufiri është “në majë mali“, mbase duke menduar për malin Vrmac që e mbyll Kotorrin duke e izoluar atë dhe drejtuar vetëm nga deti; në marrëveshjen e Smederevës thuhet se asaj i takojnë “katunde të Malit të Zi“; më 1599 sindikët për Dalmacinë Bon dhe Erico në mjegull përmendin termin “mbi shpatin mbi Kotorr“.
Lumi Shkurda dhe refleksionet e afërsisë me shqipen
Mikrotoponimia direkte e qytetit të Kotorrit si lumi Shkurda, një lumë shumë i shkurtër që buron mu pranë mureve të qytetit mesjetar të Kotorrit duke kaluar pranë njërës nga portat e tij e duke mbaruar fare afër në det, si dhe gurra tjetër e burimit ujor nëntokësor që gurgullon mu në portën tjetër të qytetit, e njohur si Gurdiq (Gurdić) – mbase mund të nxitin refleksione linguistike të afërta me shqipen ose protoshqipen. Burimi i ujit, gurra, lumi i shkurtër reflektohet edhe në një përpjekje të hershme të një zbërthimi gjuhësor: Šuffly sheh në Acruium (Kotorrin e hershëm) tharmin emërtues për krua, njësoj si në Krujë (Albanopolis). Por, kjo “gjeo-lingustikë” spekulative tani për tani nuk ka ndonjë mbështetje shtesë për t’u konkluduar.
Është edhe një autor shumë interesant me origjinë kotorrase, që e përmendëm më herët, që jetën e ka të lidhur me Novobërdën e Ulqinin, është njohës i shkëlqyer i gjeografisë ballkanike – Martin Segoni. Vepra e tij është një udhëzues e itinerar për shtigje e rrugë për një ndërhyrje ambicioze antiturke, që nga “kalimi ngat Beogradit kah pjesa e epërme e Mezisë dhe Rodopeve, kah Thrakija”, apo “nga i njëjti Beograd përmes dardanëve e tribalëve”, dhe “nga vendi ku nga Panonija kalohet në Mezi afër qytetit Zaslon (Shabac)”, si dhe “rruga që nga Panonija përmbi Transilvani të shpie kah Thrakija e Ponti” etj.
Vepra në fjalë, pra, është më shumë se itinerar; është një traktat që gjerësisht flet për otomanët dhe prejardhjen e tyre, sistemin ushtarak, administrativ, historinë e rajonit dhe shumë aspekte të tjera të dobishme për planet papale, mu në vigjilje të depërtimit e etablimit të otomanëve në Ballkan dhe afrimit të tyre në Adriatik. Për më tepër, vlera e përshkrimit të gjerë gjeografik të Ballkanit, që nga via Egnatia, Vlora-Apolonia, e deri tek “ngushtica Propontide”, Kroacia, “malet Krbave”, Beogradi, bashkimi Drinit, Thrakia, Maqedonia e deri te përmendja e Maltës e Konstandinopojës – janë një material me plot vlera të gjeografisë historike.
Frano Bolica, një kotorras interesant, është njohësi i shkëlqyeshëm i gjeografisë shqiptare dhe brendësisë ballkanike. Në kohën e Luftës së Kandisë (1645-1669) ai ka pasur korrespondencë me parinë e fiseve shqiptare, malazeze dhe hercegovase, si dhe me Ali pashë Čengić (1653) dhe përfaqësues të tjerë otomanë. Është i njohur edhe përpilimi i tij “Relatione et descrittione del Sangiacato di Scutari” (1614).
Nga viti 1578 familja Bolica ishte përgjegjëse për shërbimin postar nga Venediku për në Stamboll, ku Kotorri ishte një lloj hubi, pikëtakim i paevitueshëm i këtij komunikimi ndëradriatikas. Kjo i shërbeu kësaj familjeje për të krijuar një rrjet të fuqishëm në tërë Ballkanin. Nga kjo “dinasti postare”, Franjo Bolica shquhej me rrjetin e vet të kontakteve me parinë osmane e shqiptare, me rrethe të ndryshme tregtare e administrative, sidomos në Shkodër e gjetiu, të cilat i përdorte edhe në funksion të ndihmesës së misionarëve në shumë raste.
Kotorri i paevitueshëm në misionet e shqiptarëve
Privilegji i drejtimit të shërbimit postar, i bartjes së dispensave diplomatike e rrjetit tregtar nga Adriatiku në brendësi të Ballkanit otoman, i dha kësaj familjeje rëndësinë e besimin dhe në dimensione të tjera. Ishte kjo një lloj shtylle logjistike e misioneve katolike të Kundërreformacionit sidomos në Shqipëri dhe Mal të Zi. Franjo Bolica ishte shtylla e veprimit të Kundërreformacionit që kishte lidhje me fiset malazeze, ato shqiptare të veriut, por edhe me zyrtarët venecianë e otomanë, me klerin katolik, tregtarë e zejtarë të ndryshëm. Kjo bëri që përkrahja e Franjo Bolicas për misionin e françeskanëve në Shqipëri të ishte e pazëvendësueshme dhe rrjedhimisht edhe mbajtja e katolicizmit në hapësirat shqipfolëse të Perandorisë Osmane gjatë Kundërreformacionit.
Është mu Franjo Bolica që ka luajtur një rol primar në politikat kadrovike për emërime në poste më të rëndësishme peshkopale në rajonin qe e ka mbuluar. Të përzgjedhurit e tij janë Andrea Bogdani e Gjergj Vladani për argjipeshkëv të Ohrit, por edhe Juraj Usković për peshkop të Sapës e të tjerë. Në fakt, kjo përzgjedhje e Franjo Bolicas krijoi hapësirën për “dinasti” klerikësh si Bogdanët e Vladanjët, që patën rëndësi parësore për jetën fetare e kulturore të shqiptarëve. Kjo nuk ishte e mundur pa një konkretësi njohësish të gjeografisë shqiptare e ballkanike që u mundësojnë atyre komunikimin e njohjen, që u vazhdua me Zmajeviqët. Atëherë, Kotorri dhe sidomos Perasti, u bënë pika logjistike të paevitueshme në këtë gjeografi përnjohjesh e kontaktesh.
Në fakt, Kotorri në këtë kohë shërben si hallka e paevitueshme e komunikimit ndëradriatikas me brendësinë ballkanike e hapësirat ku jetonin shqiptarët. Kotorri përbënte pikën kryesore logjistike për misionet katolike ndër shqiptarë. Komunikimi ndëradriatikas nga Vatikani e Venediku varej nga njohësit e shkëlqyer të gjeografisë shqiptare e ballkanike nga Boka e Kotorrit.
Në fakt, ishin bokelët dhe kotorrasit që mbetën agjentë komunikimesh duke lidhur dy botët andej e këndej detit, si dhe njohës të brendësisë ballkanike dhe të gjeografisë shqiptare. Përzgjedhja e kuadrove që bëri Franjo Bolica, por më vonë dhe Zmajeviqët, sollën në dritë historike plejadën e klerikëve shqiptarë (Mazrreku, Bardhët dhe Bogdanët) që gradualisht e morën këtë rol historik.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Fusnotat janë hequr nga Redaksia. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë