Një nga pyetjet më të shpeshta për kinemanë është: cili është filmi më i mirë i Quentin Tarantinos? Këtë herë, vetë regjisori i famshëm ka dhënë përgjigjen, duke treguar gjithashtu cili është filmi i tij i preferuar dhe cili është filmi që ai thotë se ishte “i lindur për ta bërë”, ka shkruar The Guardian.
Duke folur në podcastin “The Church of Tarantino”, 62-vjeçari ka thënë se drama e tij e Luftës së Dytë Botërore “Inglourious Basterds” e vitit 2009 është filmi më i mirë që ka bërë.
Sipas tij, “Once Upon a Time… in Hollywood”, i vitit 2019 mbetet i preferuari personal.
“Por mendoj se ‘Kill Bill’ është filmi përfundimtar i Quentin Tarantinos, sepse askush tjetër nuk mund ta kishte bërë atë”, u shpreh ai për dy pjesët e filmit të tij triller me arte marciale.
Ai ka shtuar se çdo aspekt i filmit në fjalë është i shkëputur në mënyrë të përpiktë nga imagjinata e tij.
“Vjen nga brendësia ime, nga dashuritë, pasionet dhe obsesionet e mia. Prandaj mendoj se ‘Kill Bill’ është filmi që isha i lindur për ta bërë. ‘Inglourious Basterds’ është kryevepra ime, por ‘Once Upon a Time… in Hollywood’ është i preferuari im”, ka thënë regjisori.
Tarantino ka shkruar vetë të gjithë filmat që ka drejtuar që nga debutimi i tij me “Reservoir Dogs” në vitin 1992.
“Mendoj se ‘Inglourious Basterds’ është skenari im më i mirë, dhe ‘The Hateful Eight’ dhe ‘Once Upon a Time… in Hollywood’ janë menjëherë pas. Por ka një aspekt të ‘Hateful Eight’ që unë besoj se është ndoshta regjia më e mirë që i kam bërë materialit tim. Pra, materiali është i shkruar, është i fortë, dhe unë mendoj se aty kam shërbyer më mirë si regjisor ndaj materialit tim”, ka thënë ylli duke folur për skenarët.
Regjisori ka vendosur të mos e drejtojë vazhdimin e “Once Upon a Time… in Hollywood”, i cili ndjek aventurat e aktorit Rick Dalton, rolin e të cilit e luan Leonardo DiCaprio dhe dublantit të tij Cliff Booth, rolin e të cilit e luan Brad Pitt, në Los Angeles të vitit 1969.
Filmi do të quhet “The Adventures of Cliff Booth” dhe do të realizohet nga David Fincher për platformën Netflix, ndërsa Tarantino mbetet skenarist dhe producent.
“Unë mendoj se unë dhe David Fincher jemi dy regjisorët më të mirë. Fakti që David Fincher do të përshtatë punën time tregon një nivel serioziteti ndaj saj që duhet marrë parasysh”, ka thënë Tarantino.
Aktualisht, ikona po punon për një dramë teatrale që pritet të shfaqet në West End të Londrës në vitin 2026, para se të kthehet te filmi i tij i fundit.
Ai vazhdon të jetë i vendosur të pensionohet pas filmit të dhjetë.
“Shumica e regjisorëve i kanë të tmerrshëm filmat e fundit”, ka thënë ai.
Në podcast, Tarantino ka treguar se pse refuzoi të drejtonte “The Adventures of Cliff Booth”.
“E dua këtë skenar, por po ecja në të njëjtin terren ku kam kaluar më parë. Thjesht nuk më entuziazmoi. Ky i fundit duhet të jetë një film ku unë nuk di çfarë po bëj, ku hyj në territor të panjohur”, ka thënë ai.
Prej kohësh përflitej se filmi i fundit i Tarantinos do të ishte “The Movie Critic”, një histori për një kritik kinemaje në vitin 1977. Por në vitin 2024, ai konfirmoi se e kishte braktisur këtë projekt.
“Nuk isha vërtet i emocionuar për ta dramatizuar ndërkohë që isha duke e programuar”, ka thënë ai.
Regjisori ka shtuar se kjo ka ndodhur sepse po përdorte të njëjtën qasje që ai mësoi me “Once Upon a Time… in Hollywood”.
“Si do ta kthejmë Los Angelesin në Hollywoodin e vitit 1969 pa përdorur CGI?”, ka thënë ai duke shtuar se kjo ishte një sfidë.
Sipas Tarantinos, te projekti “The Movie Critic” nuk kishte asgjë për të zbuluar.
“Unë tashmë e dija si ta ktheja Los Angelesin në një kohë tjetër. Ishte shumë e ngjashme me të kaluarën”, ka thënë ndër të tjera ai.