Showbiz

Reperi Tory Lanez theret 14 herë me thikë në burgun e Kalifornisë

Tory Lanez

Tory Lanez

Foto: Associated Press

Reperi kanadez Tory Lanez është dërguar me urgjencë në spital pasi u ther 14 herë me thikë në një burg të Kalifornisë.

Sipas zyrtarëve të burgut, sulmi ndodhi të hënën në mëngjes në një njësi të burgut të Kalifornisë.
Reperi 32-vjeçar pësoi plagë në të gjithë trupin, duke shkaktuar kolapsimin e të dy mushkërive, sipas një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ka raportuar BBC.

Lanez, emri i vërtetë i të cilit është Daystar Peterson, po vuan një dënim prej 10 vjetësh burgim për plagosjen me armë zjarri të artistes Megan Thee Stallion në vitin 2020.

Tory Lanez dhe Megan Thee Stallion

Në postimin e bërë në Instagram thuhet se reperi u ther me thikë në shpinë, trup, kokë dhe fytyrë. Ai u vendos përkohësisht në aparat për frymëmarrje, por “tani është në gjendje të marrë frymë vetë”, theksohet në postim.

“Pavarësisht dhimbjeve, ai flet normalisht, është me humor të mirë dhe jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Zotit që po ia del”, thuhet më tej.

Zëdhënësi i departamentit të burgjeve të Kalifornisë, Pedro Calderón Michel, konfirmoi se sulmi ndodhi rreth orës 07:20 me kohën lokale. Ai ka thënë se stafi i burgut i dha ndihmën e parë menjëherë dhe më pas Lanez u transportua në një qendër mjekësore lokale për trajtim të mëtejshëm.

Një hetim është hapur për zbardhjen e incidentit, por autoritetet nuk dhanë detaje për motivin e sulmit.

Lanez u dënua në vitin 2023 për tre akuza penale, përfshirë sulmin me armë gjysmë-automatike, për incidentin që ndodhi në vitin 2020, kur qëlloi me armë këngëtaren Megan Thee Stallion (emri i saj i vërtetë është Megan Pete). Sipas dëshmisë së saj në gjyq, ata ishin duke u larguar nga një festë në shtëpinë e Kylie Jenner në Hollywood, kur debatuan brenda në veturë për marrëdhënien e tyre. Ajo dëshmoi se kishte kërkuar të dilte nga makina dhe në atë moment, Lanez hapi zjarr në tokë dhe i bërtiti: “Kërce!”

Thee Stallion përfundoi në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike për të hequr copëzat e plumbit nga këmba.

Lanez nuk ka kërkuar falje për ngjarjen dhe vazhdon të deklarojë pafajësinë e tij.

Rasti ka shkaktuar ndasi në botën e hip-hop-it, me emra të njohur si 50 Cent dhe Iggy Azalea që kanë marrë anë, madje disa i kanë shkruar gjykatës për të kërkuar ulje të dënimit për Lanez.

Përpara dënimit, Tory Lanez kishte shtatë albume që kishin hyrë në top 10 në SHBA. Edhe nga burgu, ai ka paralajmëruar një album të ri me titull “Peterson”.