Showbiz

Pierce Brosnan pajtohet me të birin

Pierce Brosnan

Pierce Brosnan

Foto: Associated Press

Aktori Pierce Brosnan, është pajtuar me birin e tij, Christopher, pasi nuk komunikonte me të.

72-vjeçari, 20 vjet më parë, pati pranuar se e ka ndërprerë kontaktin me djalin, Christopher Brosnan, për shkak se ai kishte probleme me abuzimin me drogë. Ditë më parë ata janë parë duke dalë bashkë  nga një kafene në Hotting Hill, të Londrës, pas një darke familjare, ka raportuar  The Irish Mirror.

“Ata dukeshin shumë të lumtur e duke qeshur, ndërkohë që me ta ishte ulur edhe djali tjetër i aktorit, Dylan. Duket se problemet e dokumentuara që kanë pasur Pierce dhe Christopher, janë rregulluar. Ishte mirë t’i shohësh bashkë”, ka thënë një burim për The Sun.

Christopher ka luftuar me varësinë nga kokaine e heronia dhe gati vdiq nga një mbidozë në vitin 2002. Më vonë ai pati kaluar kohë në një institucion rehabilitimi, por është arrestuar për posedim të heroinës në vitin 2005.

Po atë vit, aktori i filmave “James Bond”, i cili ka adoptuar Christopherin dhe motrën e tij të ndjerë, Charlotte, të cilët ishin fëmijët e gruas së tij të parë, Cassandra Harris, pasi babai i tyre biologjik ka vdekur në vitin 1986, pati diskutuar distancimin nga i biri.

Pierce Brosnan  e Cassandra, me fëmijët, Christopher dhe Charlotte.

“Chrisopheri është ende shumë i humbur. Është shokuese. E di se ku është, po ka jetë të vështirë. Vetëm mund të kem besim të fortë se do të rehabilitohet. Ai ua ka testuar kufijtë të gjithëve në familje, por asnjërit më shumë se vetvetes. Ai e di se si duhet të dilet nga  këto rrugë. Nuk do. Është shumë e dhimbshme pasi nuk ke fuqi të bësh asgjë. Nuk mund t'i shkëputesh plotësisht kontaktet, por e kam këputur me Christopherin. I kam thënë: Shko. Angazhohu për të jetuar, apo angazhohu per të vdekur. Unë lutem për të”, pati thënë aktori.

Në vitin 2022, duket se ai është mudnuar të kontaktojë me të birin në ditën e baballarëve, përmes një postimi, në të cilin i ka përshirë të gjithë fëmijët, Christopherin, Seanin,  të cilin e ka me Cassandran, si dhe Dylanin dhe Parisin, të cilët i ka me gruan e dyte, Keely Shaye Smith.

“Dashuria ime përherë e juaja fëmijët e mi të dashur, Paris, Dylan, Sean dhe Christopher, thellësisht faleminderit për dashurinë në ditën e baballarëve”, pati shkruar Pierce.   

Sidoqoftë në fotografinë e postuar, Pierce shihej vetëm me Parisin, Dylanin dhe Seanin.

Cassandra ka vdekur nga kanceri i vezoreve në vitin 1991 në moshën 43 vjeçe, ndërkohë që Charlotte ka ndërruar jetë nga po e njëjta sëmundje në vitin 2013.