Showbiz

Përgjigjja epike e Mariah Careyt për dasmën e Jeff Bezos bëhet virale

Mariah Carey

Mariah Carey

Foto: Associated Press

Këngëtarja, Mariah Carey, është bërë virale në rrjetet sociale me reagimin e saj për dasmën madhështore të miliarderit Jeff Bezos me ish-prezantuesen Lauren Sánchez, një ceremoni që kushtoi rreth 50 milionë dollarë dhe që zgjati tri ditë në Venecia të Italisë, ka shkruar The Independent.

E pyetur nga paparacët se çfarë mendonte për këtë dasmë me yje, fituesja e pesë çmimeve “Grammy” u përgjigj vetëm me tri fjalë: “Nuk isha aty.”

VIDEO:


Më pas, kur u pyet nëse ishte e ftuar, ajo u përgjigj shkurt: “Mos e ktheni në këtë tani".

Reagimi i saj, që është parë mbi 42 mijë herë, u krahasua menjëherë nga fansat me një moment të famshëm të vitit 2003, kur Carey u pyet për këngëtaren Jennifer Lopez dhe u përgjigj: “Nuk e njoh.”

Nën videon që qarkullon në platformën X (ish-Twitter), një komentues shkruan: “Kush? Çfarë dasme? Ndërsa një tjetër komentues e sheh Careyn si “mbretëreshë të qetë”.

“Mbretëresha është e qetë dhe vetëm buzëqesh”, ka shkruar ai.

Carey nuk është i vetmi personazh publik që ka reaguar me përçmim ndaj dasmës së Bezosit. 
Në një ngjarje bamirësie të aktores Charlize Theron më 28 qershor në Los Angeles, aktorja u tha pjesëmarrësve se po mendon se janë të vetmit që nuk ishin të pranishëm në dasmën e famshme, përfshirë edhe veten. 
“Mendoj se jemi të vetmit njerëz që nuk morën ftesë për dasmën e Bezosit. Por nuk ka problem, sepse ata janë të bezdisshëm dhe ne jemi cool”, ka thënë Theron.

Bezos dhe Sánchez në Venecia, fotografi nga Associated Press

Edhe komedianja Rosie O’Donnell, 63 vjeçe, e kritikoi ceremoninë, duke e quajtur “teprim i neveritshëm”.
“Të shohësh gjithë këta miliarderë që mblidhen në një teprim të neveritshëm... ishte e papërballueshme”, ka shkruar ajo në Instagram.

Ajo madje vuri në dyshim edhe lidhjen miqësore të yllit Oprah Winfrey me çiftin.
“A është vërtet Oprah mike me Jeff Bezos? Seriozisht? Si është e mundur kjo?”, ka shkruar tutje O’Donnell.

Winfrey mori pjesë në dasmë së bashku me mikeshën e saj të ngushtë Gayle King, e cila njihet edhe si bashkudhëtare e Lauren Sánchez në fluturimin hapësinor me raketën Blue Origin, nga kompania e Bezosit.

Bezos, i katërti në listën e njerëzve më të pasur në botë, u martua më 27 qershor në Venecia. Në dasmë ishin edhe të famshëm të tjerë si Leonardo DiCaprio, Kim Kardashian dhe vetë Oprah Winfrey.

Kostoja e ceremonisë vlerësohet të ketë qenë mes 46 dhe 55 milionë dollarëve.

Por jo të gjithë ishin të lumtur me këtë ngjarje luksoze. Banorët lokalë protestuan, duke shprehur shqetësimin për teprimin turistik dhe rrezikun që i kanoset qytetit nga përmbytjet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike.